Deko: Bëra zgjedhjen e duhur duke kaluar te Çelsi dhe jo tek Interi
Mesfushori i Çelsit, Deko, beson se ka bërë zgjedhjen e duhur duke u transferuar në "Stemford Brixh" gjatë merkatos së verës. Me kalimin te blutë e Londrës, portugezi "injoroi" ofertat e Interit. Lojtari, i cili mund të ishte ribashkuar me trajnerin Hoze Murinjo te zikaltërit, flet me elozhe për Luis Felipe Skolarin. "‘Felipao‘ është një person shumë serioz, një profesionist i madh dhe një njeri i shkëlqyer", tha Deko për gazetën braziliane "Fut Lance". "Murinjo dhe Skolari kanë metodat e tyre të punës, të cilat natyrisht që janë të ndryshme: Hoze mund të krijojë përshtypjen e një njeriu arrogant, por ai është shumë profesionist". Të refuzosh kampionët e Italisë në moshën 31-vjeçare, mund të cilësohet një luks që vetëm pak futbollistë e kanë: "Tashmë gjithçka ka përfunduar, shtoi ai. Në karrierën time, në të gjitha skuadrat ku kam luajtur, nuk kam pasur asnjëherë probleme me lojtarët, drejtuesit dhe tifozët. Jam i sigurt se nuk do të kisha probleme as tek Interi, por ndjehem mirë te Çelsi". Mesfushori ka folur edhe për "Topin e Artë", duke u shprehur se Kristiano Ronaldo e meriton ta fitojë trofeun në muajin dhjetor. Pas sezonit fantastik, gjatë të cilit shënoi 42 gola në të gjithë aktivitetet ku u aktivizua, ylli i Mançester ka fituar trofetë e parë individualë. Ronaldo mori çmimin e UEFA-s, si "Lojtari më i Mirë i Vitit" dhe çmimin "FIFPro Lojtari më i Mirë në Botë". Për shokun e skuadrës në Kombëtaren portugeze, Deko tha: "Fituesi i ‘Topit të Artë‘ zgjidhet në bazë të paraqitjeve të sezonit të kaluar, periudhë në të cilën Ronaldo luajti në nivele shumë të larta". Nëse Kristiano Ronaldo do të fitojë, ai do të bëhet portugezi i parë që merr trofeun e revistës "France Football", që prej vitit 2000, kur fitues u shpall Luis Figo.