Reali e do sulmin argjentinas
Humbja e papritur në Kupën e Spanjës, kundër Real Union Irun dhe në të njëjtën kohë lajmi i qëndrimit për shumë kohë jashtë fushave i Rud Van Nistelroit, e kanë prishur qetësinë në shtëpinë e Real Madrid. Përveç kësaj, trajneri Bernd Shuster, pankina e të cilit, sipas disa të përditshmeve spanjolle, po lëkundet vërtet shumë, ka kërkuar nga klubi madrilen të ndërhyjë në merkaton e dimrit, për të blerë një tjetër sulmues klasi, i cili të mund të zëvendësojë holandezin e dëmtuar dhe të garantojë gola të shumtë për Realin. "Nuk jemi të detyruar me patjetër të blejmë një sulmues, ka nisur kështu rrëfimin e tij trajneri i madrildenëve, por është normale, që duke hequr dorë nga lojtar për një periudhë shumë të gjatë është e nevojshme të hedhësh një sy në merkaton e futbollistëve. Shpresoj se, nëse do të vijë ndonjë, të jetë një sulmues i fortë, vërtet në gjendje të japë një ndihmë të mirë skuadrës dhe mua". Tre janë emrat e sulmuesve që qëndrojnë në "pole position": më i preferuari duket sigurisht Hernan Krespo, si për hapësirën e pakët që futbollisti argjentinas ka pasur nën drejtimin e Munrinjos, ashtu edhe se mund të përdoret në Champions League. Por, edhe sepse operacioni i tij për ta sjellë në Spanjë është më i lehtë se i të tjerëve. Nuk janë për t‘u nënvlerësuar, edhe pse kërkojnë më shumë kohë e impenjim, as kandidaturat e Diego Militos, sulmuesit të Xhenoas dhe Karlos Tevezit, prej kohësh i ndjekur nga madrilenët, por që, sipas disa zërave, po rinovon kontratën e tij me "Red Devils". Shuster është në dritare, në pritje që Kalderon t‘i dhurojë një tjetër xhevahir. Por mund të kuptohet se, deri në blerjen e sulmuesit tjetër, trajneri i Shuster do të vazhdojë të qëndrojë në stolin e Realit.