Malaj: Deklarata e PD për BB, dëshmi e dështimit të qeverisë
Partia Socialiste shprehu shqetësimin për qëndrimet e qeverisë Berisha me institucionet financiare ndërkombëtare. Deputeti i PS, Arben Malaj e cilësoi arrogant dhe të dëmshëm reagimin e qeverisë ndaj Bankës Botërore, për çështjen e vazhdimësisë së projektit të Jalës edhe pa financimin e këtij organizmi.
Deklarata e qeverisë Berisha se ajo është e zonja ti tregojë derën Bankës Botërore për këtë projekt, siç ka bërë në vitin 1996 dhe siç bëri pak kohë më parë edhe me propozimin e ofruar nga FMN për ta asistuar nga afër Shqipërinë në këtë periudhë paqartësish të risqeve ekonomike në rritje, është dëshmi e dështimit dhe arrogancës së kësaj qeverie, vijoi Malaj. Sipas tij, qeveria shqiptare i përgjigjet me akuza, përçmime dhe arrogancë tipike provinciale angazhimit të menjëhershëm të Bankës Botërore dhe institucioneve financiare për reduktimin e krizës. Duke replikuar me deklaratat e qeverisë për Bankën Botërore, Malaj tha se rasti më i turpshëm i dështimit është projekti i zonës bregdetare, në vlerën 38.6 milion dollarë, dhe që financohet nga pesë donatorë, ku Banka Botërore financon rreth 50% të projektit. Deputeti i PS, ish-ministri i Financave, Arben Malaj, u shpreh se me ardhjen në pushtet, qeveria Berisha vështirësoi ndjeshëm dhe në disa raste edhe bllokoi fillimin e disa projekteve, për të cilat ishin nënshkruar edhe marrëveshjet financiare me donatorët. Qeveria bllokoi për rreth tre vjet investimin rreth 70 milionë euro në rrugën Fier-Tepelenë, projekt i financuar nga Banka Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim dhe Banka Evropiane për Investime, vijoi Malaj. Për PS, po ashtu Qeveria gjatë këtyre viteve dështoi në koordinimin dhe thithjen e financimeve nga donatorët e huaj. Investimet e huaja nga donatorët gjatë viteve 2005-2008 u pakësuan ndjeshëm, duke u kompensuar me kredie me kushte të rënda tregtare, çka rëndon mbi taksapaguesit shqiptarë dhe cilësinë e jetës së tyre, u shpreh ai. Deputeti socialist Malaj i bëri thirrjet qeverisë të heq dorë nga vështirësitë artificiale që krijon në tërheqjen e financimeve nga donatoret e huaj. PS i bën thirrje Qeverisë të marrë urgjentisht përsipër çdo detyrim, përgjegjësi dhe angazhim që lehtëson fillimin sa më parë dhe më efektiv të projekteve të vonuara ose të bllokuara që ka me BB dhe donatorë të tjerë, projekte shumë të rëndësishëm për ekonominë e vendit tone, përfundoji Malaj.