Gjykatat administrative të hënën në komisionin e Ligjeve
Komisioni parlamentar i Ligjeve rinis të hënën shqyrtimin e projektligjit Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e Drejtësisë Administrative, një nga draftet më të rëndësishëm të reformës në drejtësi. P/ligji, diskutimi i të cilit në komision ka nisur që në muajt e fundit të vitit 2008, ende nuk i është përcjellë seancës së Kuvendit.
Ai konsiderohet me një rëndësi të veçantë në marrëdhëniet mes gjyqësorit dhe shoqërisë, pasi synon vendosjen e limiteve të qarta ligjore kundër abuzivizmit. Krijimi i rrjetit të gjykatave administrative parashikon mbrojtjen e biznesit nga rastet abuzive të administratës shtetërore, si dhe parandalimin e zvarritjeve në gjykime. Për këtë qëllim projekti parashikon që çështjet në këtë gjykatë të përfundojnë brenda dy muajve, (një muaj në gjykatën e shkallës së parë dhe një muaj në apel), një periudhe kohore shumë e shkurtër. Drafti parashikon që sistemi gjyqësor administrativ do të përbëhet nga gjykatat në dy shkallë: gjykata e shkallës së parë administrative, që do ta ketë qendrën e saj në Tiranë dhe gjykata e Apelit administrativ. Gjykata, do të jetë pala e tretë, mbi individin dhe mbi shtetin, që në kushte barazie, transparence dhe profesionalizmi do të vendosë të drejtën. Nisma e Ministrisë së Drejtësisë 'për gjykatat administrative' ka nisur fillimisht si bashkëpunim i saj me një projekt të BE-së, për të bërë të mundur sjelljen e modelit dhe përvojës më të përparuar në perëndim, në krijimin e sistemit të gjykimit administrativ. Kontribut në hartimin e draftit kanë dhënë dhe ekspertët të sistemit gjyqësor, shoqata të gjyqtarëve, KLD, shoqata të biznesit, bankave etj