E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Interesat klanore të qeverisë Berisha, vonojnë integrimin e Shqipërisë në BE

Kryesocialisti, akuza nga Gjirokastra
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama nuk ka kursyer akuzat ndaj qeverisë edhe nga qyteti  i Gjirokastrës. Rama ka vënë theksin tek fakti se politika e vogël e interesave personale e klanore e ka kthyer qeverisjen e vendit në një lojë që mund ta luajnë vetëm politikanët. "Kjo politikë e vjetër që jeton me dështimet që i shkakton vetë, duhet të marrë fund dhe ne duhet të konkurrojmë se kush i bën gjërat më mirë në shërbim të njerëzve dhe jo kush bllokon, pengon e shan më shumë tjetrin, duke nxitur mllefin e përçarjen mes njerëzve dhe duke vonuar vendin në rrugën e krijimit të mirëqenies e të bashkimit me Evropën", është shprehur Rama. Gjatë takimit që ka zhvilluar me vullnetarët e bashkimit të ri për ndryshim në qytetin e Gjirokastrës, kreu i PS, ka veçuar fitoren e 28 Qershorit, si hap historik. Më 28 qershor ne do të bëjmë historinë. Që në 28 qershor të mos fitojnë ata që kanë fituar gjithmonë, edhe kur kanë humbur politikanët, por të fitojnë ata që kanë humbur gjithmonë edhe kur kanë fituar qytetarët, na duhet një bashkim i ri qytetarësh dhe jo një pazar i vjetër kryetarësh. Fitorja e 28 qershorit nuk do vijë për të ndërruar disa ministra me disa të tjerë. Fitorja e 28 qershorit do të vijë për të lidhur fjalët me veprat, u shpreh ai. Rama është pritur në Gjirokastër me një miting madhështor të organizuar nga dega lokale e PS së në kuadrin e turit të ndërmarrë në gjithë vendin me vullnetarët e Bashkimit të Ri për Ndryshim. Duke iu drejtuar të rinjve të pranishëm në takim ai ka theksuar se qeveritarët e sotëm ju çojnë çdo muaj faturën e papërballueshme afrofe të kostos së rritur të jetesës, kurse vetë dalin në televizor për tju thënë se sa mirë jetoni. Këto zgjedhje, sipas Ramës, janë mundësia dhe mjeti për ti hapur rrugë shpresave dhe ëndrrave. Këto zgjedhje janë një udhëkryq mes së shkuarës dhe së ardhmes dhe një shtysë për ti dhënë jetë një bashkimi njerëzish që nuk duan të mbeten peng i lojës së interesave të të njëjtave personazhe e oborre familjare e klanore sa djathtas e majtas, u shpreh ai. Ndër të tjera, ai ka vijuar se këto zgjedhje janë të lidhura me çka ne mund të bëjmë së bashku për të kthyer fletën e historisë, duke e kthyer politikën nga mjet ekskluziv jetese i politikanëve në mjetin e ndryshimit në duart e qytetarëve. Ju nuk keni dritë, ata ju thonë se jua japin 24 orë, pavarësisht se juve ju ikin dritat. Ju nuk keni punë, ata ju thonë se Shqipëria po zhvillohet më shpejt se Kina. Ju nuk arrini dot fundin e muajit dhe nuk blini dot as ilaçet, e jo më dhuratën për ditëlindjen e fëmijës, ata ju thonë se ju kanë rritur pensionin e rrogën, si asnjëherë më parë. Ju nuk keni certifikatën e pronësisë mbi tokën që punoni, ata ju thonë se kjo është një gënjeshtër e opozitës. Ju nuk i blini dot fëmijës abetaren, ata ju thonë se jemi në moshën e internetit, është shprehur ndër të tjera kreu i PS, i cili në takimin në Gjirokastër, ka qenë i shoqëruar nga deputetët e Qarkut të Gjirokastrës Gramoz Ruci dhe Vangjel Tavo. Ndërsa nga qyteti i Tepelenës, kreu i opozitës Edi Rama u kërkoi vullnetarëve, të mos lënë edhe katër vite të tjera që politikët të luajnë me të ardhmen e tyre. Kreu i PS, risolli në vëmendje të të pranishmëve premtimet e pambajtura sipas tij të pushtetarëve ndër vite, duke e lënë qytetin të zhytur në varfëri, papunësi dhe pa asnjë mundësi për zhvillim. Kryetari i opozitës tha se zgjedhjet e 28 qershorit janë një mundësi për tu ndarë nga e shkuara dhe për të ndërtuar të ardhmen. Kryetari i opozitës dhe deputetët që e shoqëronin në këtë takim bënë apel për një bashkim të ri, të të gjithë shqiptarëve që më 28 qershor kanë një mundësi për të ndryshuar fatet e tyre.  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›