Malaj: Duhet te hyjme ne Kuvend, mjaft me radikalizim
Diskutimi im ne Asamble nuk ka per qellim te reagoje ndaj akuzave te Rames, por per te theksuar domosdoshmerine per te mbledhur sa me pare Kryesine dhe Grupin parlamentar te PS-se, per te diskutuar me pergjegjesi dhe prioritet mbi sfidat e PS ne vitin e ri politik 2010.
Rama aludoi se shqetesimi yne per sfidat e PS po heq fokusin nga analiza e permbytjes se Shkodres ne nje debat permbyses brenda PS-se.
Duke respektuar krahasimin e perzgjedhur nga Rama, deshiroj te qartesoj se pikerisht permbytjet mund te ndalen vetem nga perdorimi i mire i digave. Digat e nje force politike qe duhet te maksimizojne kete energji, eshte Kryesia e Partise, eshte grupi parlamentar dhe Asambleja kombetare. Mos perdorimi i tyre sjell keq perdorimin e energjive dhe rrezikon permbytje te cilat ne kete rast permbysin shpresat dhe perkushtimin e anetaresise dhe mbeshtetesve te PS-se.
PS ben shume mire qe zhvillon nje aktivitet per permbytjet dhe deshtimin e qeverise, por njekohesisht duhet te mirekuptoje shqetesimin e ngritur nga koleget Blushi dhe Zela per nevojen e nje analize per sfidat tona ne vitin 2010 dhe per nje rrugedalje nga bojkoti i institucioneve. Ne ju kemi deklaruar kolegeve tane, qe nuk jemi ne nje protagonizem personal, por ne nje ftese te perhershme dashamirese dhe vellazerore per te gjetur nje zgjidhje per situaten politike ne te cilen ndodhet vendi yne dhe PS-ja. Kjo eshte edhe arsyeja qe nuk reaguam pse nuk ka media ne kete moment ne salle, duke shpresuar se do te kishte me shume dashamiresi dhe pergjegjesi per sfidat e PS-se.
PS dhe ne forumet e saj nuk mund ta fshehin, nuk mund ta spostojne dhe nuk mund ta zbukurojne realitetin politik ku ndodhemi. Jemi forca me e madhe politike opozitare, jemi jashte Parlamentit te vendit, jemi jashte kontributeve tona te drejtperdrejta politike.
Une e konsideroj te demshme euforine qe vjen nga mitingjet tona ne raport me pergjegjesine tone per hallet e perditshme qe kane anetaret e PS, mbeshtetesit e saj dhe gjithe qytetaret shqiptare.
Per koleget e PS-se duhet te deklaroj ne Asamblene Kombetare se e kam bere kete debat ne kryesine e Partise Socialiste perpara se te fillonim bojkotin. Per nje force politike kaq te madhe, per nje force politike qe ka qeverisur kete vend, eshte e papranueshme qe, kur fillon nje aksion politik te mos kete nje exit-strategji, qe nenkupton nje strategji te suksesshme, jo nje pazar te minutave te fundit. Pergjigja juaj z. Rama ka qene e mbetet konstante: "Ne nuk duhet te kemi exit strategji, ajo eshte pergjegjesi e Berishes".
Lidhur me debatin per mandatet: Nuk shqetesohem aspak nga diversioni se cilin nga ne ka blere Berisha, nese disa nga ne shkojne ne Parlament. Per mua ishte shqetesuese shitja qe eshte bere per te ndryshuar Kushtetuten brenda dy oresh, eshte e qarte qe ka qene marreveshje midis dy kryetareve te dy partive te medha politike, duke demtuar rende sistemin e kontrollit dhe te balances midis tre pushteteve, duke demtuar rende demokracine funksionale.
Per zgjidhjen kushtetuese te vlefshmerise se mandateve, ne duhet te qartesojme veprimin tone politik, dhe jo te bejme sofizma me hapesirat ligjore.
Nese ju doni, per te qene besnik i partise, une neser mund te gjej nje avokat dhe te atakoj ne Gjykaten Kushtetuese letren e znj. Topalli se me 7 Mars kam humbur mandatin si deputet, sepse po bojkotoj Parlamentin ne respekt te nje vendimi partiak. Por nese vendimi i Gjykates Kushtetuese e konsideron te drejte faktin qe cdo deputet, pavaresisht nga arsyeja konkrete, nuk ka bere betim dhe ka munguar mbi 6 muaj ne Parlament e humbet mandatin, atehere pasojat jane te renda per suksesin politik dhe efikasitetin e veprimeve politike te PS-se, jashte Parlamentit.
Ne keto kushte, mos mbledhja e strukturave politike, mos rishikimi i vendimit ne funksion te nje opozite sa me te efektshme per sfidat e vendit, zgjat periudhen e amullise, rrit mungesen e kohezionit dhe te qartesise per hapat konkrete te PS-se perpara dates, 7 Mars 2010.
Une propozoj te mblidhen me perparesi dhe pa humbur kohe strukturat drejtuese politike te PS-se, si kryesia, Grupi Parlamentar dhe Asambleja Kombetare per te dale nga ky ngerc politik i vendit dhe nga ky radikalizim i metejshem i jetes politike dhe i PS-se.
*Diskutimi ne mbledhjen e Asamblese Kombetare te PS