E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Dy parti të të fortëve, risk i madh për të ardhmen

Intervista Flet anëtari i kryesisë së PS-së: “Të rishikohet strategjia. Radikalizimi sjell kosto edhe për opozitën”

Situata aktuale politike përfaqëson një sfidë të vërtetë politike për të dyja forcat kryesore në vend, veçanërisht për Partinë Socialiste. Si pjesë thelbësore e opozitës së gjithanshme të shoqërisë ndaj qeverisjes aktuale, si nyje institucionale e shpresës për një alternativë reale për të ardhmen, selia rozë sot është e ekspozuar më shumë se asnjëherë ndaj skanimit të shoqërisë shqiptare. Anëtari i kryesisë së saj, Arben Malaj, njëkohësisht deputet dhe ekspert i ekonomisë, argumenton në intervistën për gazetën “Shqip” se përpjekja e opozitës për të mbërritur në pushtet është legjitime dhe se ajo motivohet nga nevoja për ndryshimin e gjendjes në Shqipëri. Sikurse është vënë re kohët e fundit, debati dhe kritika që bie mbi disa veprime të PS-së, të ekipit të saj drejtues, lidhet me rrugën e përshtatjes së aksionit politik, i cili ende luhatet mes radikalizmit dhe përforcimit të zërit në institucione. Të gjithë këta elementë, së bashku me problemet që vërtiten ende mbi situatën e brendshme në PS, Malaj i aktualizon si pjesë të analizës komplekse dhe të hapur që opozita duhet të zhvillojë brenda vetes, në mënyrë që orientimi dhe harmonizimi me kërkesat e shoqërisë të jetë koheziv dhe efecient.

Z. Malaj, para dy ditësh Parlamenti Europian miratoi një rezolutë për Shqipërinë, ku preket situata e tanishme. Në një lexim tuajin të këtij dokumenti, cilat janë përgjegjësitë që shtrohen para PS-së dhe a duhet që aksioni i saj politik të rishikohet? A duhet që PS të bëhet pjesë e vendimmarrjes dhe reformave në vend?

Jo thjesht dhe vetëm në respekt të rezolutës së PE-së, Partia Socialiste duhet të ketë një strategji më të qartë dhe konkrete për misionin e saj si partia më e madhe opozitare. Partia Socialiste duhet të luftojë për standardet e demokracisë, duhet të luftojë për sfidat ekonomike dhe sociale në vend, duhet të luftojë kundër kapjes së shtetit, kundër korrupsionit, kundër dështimeve të qeverisë, por duke mos braktisur misionin e saj si parti parlamentare. Partia Socialiste duhet të synojë që nga opozitë parlamentare të arrijë të bëhet mazhorancë qeverisëse, dhe jo nga parti parlamentare të shndërrohet në opozitë jashtë institucioneve dhe pastaj të synojë të bëhet mazhorancë qeverisëse. Në rastin e parë, PS meriton të fitojë qeverisjen e vendit, në rastin e një radikalizimi, çdo fitore do të jetë si fitore e Pirros. Ambienti politik në vend do të jetë agresiv, qeverisja e vendit do të bëhet akoma më e vështirë, kriza politike dhe ekonomike do të jetë më e gjatë dhe e rëndë. Për pasojat e radikalizimit - si strategji e kthimit në parti qeverisëse - PS do të duhet të respektojë mençurinë e popullit të saj që kujton/qartëson se rruga e shkurtër shpesh të del më e gjatë.

A është sipas jush realiste kjo rezolutë dhe a është e mundur që një marrëveshje të arrihet mes palëve pa ndërmjetësim? Për më shumë, a e pezullon transparencën e zgjedhjeve përmbajtja e këtij dokumenti, e cila duhet thënë se e kufizon hetimin e 28 qershorit te materialet zgjedhore?

Fillimisht, duke parë seancën e Parlamentit Europian, një mirënjohje të veçantë i takon medias shqiptare. Ajo seancë diskutoi dy rezoluta: një për Kosovën dhe një për Shqipërinë. Problematika që u diskutua për krizën politike në Shqipëri nuk duhet të zhvendoste sadopak fokusin, vëmendjen, kohën dhe mbështetjen që meritonte rezoluta për Kosovën. Në këtë rezolutë u kërkohej edhe 5 vendeve të mbetura të BE-së ta njohin Kosovën, si dhe u konfirmua perspektiva e qartë e Kosovës në familjen e vendeve të BE-së. Rezoluta njëkohësisht u kërkonte kosovarëve të luftojnë krimin, korrupsionin, të respektojnë më mirë minoritetet dhe të përballen më mirë me sfidat sociale dhe ekonomike të vendit të tyre. Debati për krizën tonë politike i vodhi jo pak kohë dhe fokus kësaj seance, ku duhej rritur mbështetja për Kosovën, kaq shumë e domosdoshme tani në prag të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare për statusin e saj, por dhe për impaktin e përhershëm pozitiv që Kosova duhet të ketë në paqen dhe prosperitetin në rajonin tonë.

Lidhur me Shqipërinë, diskutimet e shumë europarlamentarëve, po të mbajmë parasysh vendet dhe partitë e ndryshme politike që përfaqësonin, ishin një leksion i mirë për të gjithë politikanët shqiptarë. Aty diskutohej për vlerat dhe standardet e demokracisë së një populli dhe nuk jepeshin qëndrime thjesht mbi preferenca apo aleanca partiake. Analiza e tyre duhet mirëkuptuar, rekomandimet e tyre duhen respektuar. Kjo ”ndërhyrje nga jashtë”, për një vend që e ka ëndërr historike të jetë brenda komunitetit të vendeve të Europës së Bashkuar, është e domosdoshme dhe e dobishme. Partia Socialiste i mirëpriti rekomandimet për zgjidhjen e krizës. është koha të dalim sa më parë nga kriza politike dhe të përgatitemi për fitoren e zgjedhjeve vendore. çdo vonesë do të ketë pasoja jo të vogla për demokracinë dhe sfidat integruese të vendit, por edhe për PS-në.

Z. Malaj, thuajse përditë PS ngre shqetësimin për veprimet e qeverisë lidhur me situatën ekonomike. A janë prekur realisht depozitat e qytetarëve shqiptarë për të siguruar rritjen e pensioneve? Sa rrezikon kjo në stabilitetin e vendit po të mbajmë parasysh se përfaqësues të PS-së kanë folur për “katastrofë kombëtare”?

PS me shumë përgjegjësi dhe profesionalizëm ka ndjekur nga afër sfidat e ekonomisë së vendit. Populizmi i qeverisjes së vendit dhe koncertet festive të mrekullisë berishiane në qeverisjen e vendit, pa dyshim duhet të jetë shqetësuese për çdo shqiptar. Optimizmi i qeverisë, sidomos gjatë situatave të vështira, është shpesh i domosdoshëm dhe në pak raste ndoshta edhe i dobishëm. Ndërsa mbi-optimizmi i qeverisë kur përdoret për të fshehur krizën, përmasat dhe pasojat e saj, është gjithmonë i dëmshëm. Krizat mund t’i fshehësh vetëm përkohësisht, por edhe në këtë rast kostot e mëvonshme janë shumë më të mëdha se sa në rastet kur merr përgjegjësinë për masat adekuate, qofshin këto përkohësisht shumë të vështira. Pikërisht me rritje pagash e pensionesh si pjesë e populizmit të tyre, u kapardisën me shumë fodullëk shumë kryeministra populistë në jo pak vende të ish-Europës Lindore. Të gjitha vendet e tyre sot po shtrëngojnë rripin duke paguar papërgjegjshmërinë e populizmit fodull të qeverive të tyre. Po shtrëngojnë rripin, duke ngrirë apo shkurtuar pagat, pensionet, përfitimet sociale dhe në jo pak raste duke rritur edhe taksat. Në qoftë se qeveria “Berisha” rrit pagat dhe pensionet jashtë një logjike ekonomike dhe përgjegjshmërie politike, në qoftë se shkurton investimet publike më shumë se shpenzimet korrente, në qoftë se rrit deficitin më shumë se rritja ekonomike e vendit, në qoftë se rrit borxhin publik dhe koston e tij nga njëri vit në tjetrin, në qoftë se pakëson ofertën monetare për kreditimin e konsumatorëve dhe biznesit privat, në qoftë se rrit koston e parasë në ekonominë e vendit të tij, pa dyshim kjo politikë jo vonë do t’i detyrojë gjithë shqiptarët ta shtrëngojnë rripin. Pa dyshim jo vonë edhe rripi politik i Berishës do të jetë këputur, por shumë familje shqiptare do të detyrohen ta mbajnë të shtrënguar fort edhe për një kohë më të gjatë rripin e mbijetesës së detyruar nga pesha e rëndë e borxheve dhe shkurtimeve buxhetore.

Lidhur me pyetjen tuaj për depozitat. Po sqaroj pjesën që rrit efektin psikologjik negativ te depozituesit, sepse nuk dëshiroj që të ketë asnjë pasiguri mbi depozitat. E para - depozitat e çdo shqiptari deri në nivelin 2.5 milionë lekë janë të siguruara nga shteti. E dyta, qeveria e financon deficitin dhe borxhin e saj nga paratë e shqiptarëve në banka dhe jo nga fitimet apo kapitali i bankave dhe kjo ndodh në çdo ekonomi. Shqetësimi ynë është se sa më shumë shteti rrit deficitin dhe borxhin, aq më shumë ai pakëson mundësinë që kursimet e shqiptarëve të financojnë ekonominë e vendit në mënyrë sa më të efektshme, aq më shumë qeveria pakëson burimet e financimit të sektorit privat, aq më shumë rritet kostoja e parasë në ekonominë e vendit tonë. Kundërargumentet e qeverisë ndaj argumenteve profesionale të opozitës - duke deklaruar se qeveria nuk e financon ekonominë nga depozitat - nga pikëpamja jo vetëm profesionale janë deri edhe qesharake.

PS aktualisht përballet me një raund zgjedhjesh të brendshme që zhvillohen kryesisht ditën e diel. Në dijeninë tuaj apo edhe analizën që ju bëni, a ka realisht tension për sa u përket vendimeve të fundit të kryesisë për përzgjedhjen e kandidaturave? A ndodhet PS-ja përpara një situate që sikurse u shpreh z. Blushi “rriskon kohezionin e saj”?

Disa kolegë në kryesinë e PS-së shprehën shqetësime për procesin e zgjedhjeve. Kohët e fundit është në rritje reagimi pozitiv për mosradikalizimin e PS-së, për rritjen e demokracisë së brendshme, për nxitjen e konkurrimit në bazë të vlerave dhe jo të preferencave, për respektimin real të anëtarësisë. Disa kolegë kërkuan që të ketë një promovim të vlerave reale, që ky proces zgjedhor të shërbejë për harmonizimin më të mirë të të gjitha kontributeve në PS. Kërkuan që procesi i zgjedhjeve të mos rrezikohet të shndërrohet në një proces emërimesh preferenciale. Fatkeqësisht këto diskutime edhe publike nuk po mirëkuptohen dhe respektohen; kjo përbën rrezikun e vonesave në rritje për strategjinë dhe përkushtimin e fitores së PS-së në misionin e saj si partia më e madhe opozitare.

Zgjerimi i hapësirave demokratike, funksionimi demokratik i PS-së në çdo nivel të saj, dhënie prioritet propozimeve përzgjedhëse të strukturave vendore, reduktimi deri në eliminim i çdo influence negative nga sipër, reduktimi i autoriteteve abuzuese të të zgjedhurve si kryetarë komunash, bashkish, deputetë, anëtarë kryesie, do ta ndihmojnë PS-në të funksionojë si një ekip i përkushtuar për fitoren e zgjedhjeve vendore dhe parlamentare. çdo mentalitet pronësimi, çdo pushtet i përdorur në mënyrë abuzive, çdo influencë negative, që redukton dhe deformon funksionimin e Partisë Socialiste, rrezikon ta dëmtojë rëndë atë. Transparenca, demokracia e brendshme, meritokracia, respekti dhe jo disiplina formale, emërimet preferenciale, partneritetet klienteliste - do ta ndihmojnë Partinë Socialiste të jetë parti moderne dhe parti fituese. PS duhet të mbetet partia e njerëzve të përkushtuar dhe të mençur dhe jo të rrezikohet të shndërrohet në parti e njerëzve të fortë apo klienteliste. Dy parti të të fortëve dhe klientelistëve janë një risk i madh për të ardhmen tonë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›