Dule: Të nisë hetimi i zgjedhjeve të 26 qershorit
Ndarja politike në Tiranë kushtëzon edhe leximin e rezolutës së miratuar dy ditë më parë nga Parlamenti Europian. Lëvizja Socialiste për Integrim, përmes sekretarit të saj të përgjithshëm, Luan Rama, e ka cilësuar dokumentin si konfirmim të qëndrimeve të njëjta që janë mbajtur nga komuniteti ndërkombëtar për sa i përket Shqipërisë, duke u shpalosur si një rrugë nga iu duhet të ecë Shqipëria. “Rezoluta e Parlamentit Europian është në vazhdën e një qëndrimi konstant, në mbështetje të të gjithë këtij procesi europianizues, në të cilin është përfshirë Shqipëria. Rezoluta rithekson edhe një herë rrugën nëpër të cilën nevojitet të ecë Shqipëria dhe në mënyrë të veçantë është dokumenti që përcakton në këtë mënyrë edhe sjelljen politike të klasës politike të vendit, e cila duhet të dominohet dhe të udhëhiqet nga interesat europiane të vendit dhe jo nga interesat e njërit apo tjetrit grup”, u shpreh Rama. Duke u përqendruar te nevoja për dialog, LSI-ja ka interpretuar frymën e rezolutës, e cila duket se për opozitën më shumë sesa një dokument i balancuar shihet si një mjet për të ricikluar kërkesat e bëra që prej një viti. Kështu, kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, e ka përshtatur rezolutën me objektivat e opozitës, sidomos ato që kanë të bëjnë me hetimin parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit. "Të institucionalizohet sa më shpejt komisioni hetimor parlamentar, i cili duhet të bëjë transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe kësisoj me konkluzionet dhe rekomandimet e veta t’i presë rrugën njëherë e mirë dhe në vendin tonë fenomenit të zgjedhjeve të manipuluara dhe të kontestuara", tha Vangjel Dule, kryetar i PBDNJ-së.
#