Rama: Nëse digjen fletët, ndahemi përfundimisht me këtë qeveri
Debati politik për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009 rikthehet në pikënisjen e vet. Një ditë pasi Parlamenti Europian miratoi një rezolutë të posaçme për Shqipërinë për sa i përket integrimit të saj, kryetari i selisë rozë, Edi Rama, ka ofruar një interpretim, i cili riaktualizon në të njëjtat terma kërkesën e opozitës për hetimin e zgjedhjeve. Duke iu përmbajtur njërës prej pikave të rezolutës që sugjeron “hetim të materialeve zgjedhore”, Edi Rama ka dhënë këtë vlerësim politik: “Me material elektoral apo zgjedhor, kodi ynë nënkupton çfarë ndodhet në kutitë e votimit, përfshirë edhe fletët. Jemi të gatshëm të bëjmë një kompromis, që në asnjë mënyrë nuk mund të përfshijë djegien e fletëve të votimit, pasi është ndarja përfundimtare me këtë Parlament dhe me këtë qeveri. Ne e përjashtojmë kategorikisht çdo mundësi kompromisi bazuar mbi djegien e fletëve të votimit. Por, jemi të hapur për çdo kompromis lidhur me qasjen ndaj fletëve të votimit”. Edhe pse për sa i përket kuptimit praktik të “ndarjes përfundimtare” me Parlamentin ngrihet një paqartësi relative, është e dukshme se procedimi sipas Kodit Zgjedhor, për një asgjësim të fletëve do të sillte me vete eliminimin e çdo mundësie për zgjidhjen e krizës. Kjo është thënë hapur nga kreu socialist, i cili nuk ka munguar që të theksojë gatishmërinë e PS-së për t’iu rikthyer protestave, nëse kreu i qeverisë Sali Berisha do të vijojë të shurdhojë me propagandë alarmin që, sipas Ramës, ngre kjo rezolutë. Në këtë frymë analize të rezolutës, por edhe realitetit shqiptar, ai ka ripërsëritur raportin e opozitës me procesin e ardhshëm zgjedhor, për të cilin Rama ka vlerësuar se ai nuk mund të jetë i pranueshëm në formatin e ekzekutuar më 28 qershor. “Ne nuk do të lejojmë që të bëhen zgjedhje, të cilat të jenë një përsëritje e farsës së 28 qershorit dhe një zgjatim i turpshëm i zgjedhjeve të deformuara dhe të korruptuara. Ne nuk do të tërhiqemi, por do të vazhdojmë. Në rast se edhe kjo kambanë e fortë alarmi për politikën shqiptare, e kryesisht për autoritetet shqiptare që vijnë nga PE-ja, nuk do të dëgjohet, protesta jonë do të njohë një fazë të re. Një përshkallëzim të ri me një mbështetje edhe më të madhe sesa mbështetja e jashtëzakonshme që populli opozitar i ka dhënë kauzës së transparencës”, u shpreh kreu socialist. Thënë ndryshe, rezoluta ka ofruar një bazë politike për gjetjen e gjuhës së përbashkët, rreth një krize e cila pranohet tanimë edhe në Parlamentin Europian. Hetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit dhe rinisja e dialogut politik janë dy pika të panegociueshme nga çdo aftësi manipuluese në Tiranë, për sa kohë që ato janë pjesë integrale e tekstit të dokumentit. Ky kuadër i miratuar tri ditë më parë në Strasburg ka profilizuar daljen publike të opozitës, që duket se gëzon tanimë një legjitimitet edhe ndërkombëtar në kauzën e vet të nisur një vit më parë. Problemi kryesor, por edhe shqetësim i PS-së mbetet rruga e instalimit të dialogut dhe procedimi i hetimit parlamentar, për të cilin Edi Rama nënvizoi kërkesën për shumicë në komisionin e posaçëm që do të duhet të ngrihet për këtë çështje. Me një dokument të firmosur ndërkombëtarisht dhe me gatishmërinë për t’iu rikthyer protestave nëse ai shpërfillet, Rama ka përcjellë dje në emër të opozitës premisat e aksionit të saj paraelektoral, i cili ka zënë fill që tani.
#