Bosch: Mazhoranca mund të vendosë me kartonë, por demokracia ka nevojë për kompromis
është zhvilluar dje Forumi i Vlorës për dialog internacional, “Europa ndërmjet meje dhe teje”, iniciativë kjo prej disa muajsh e Fate Velaj, e cila ka sjellë sot në Vlorë ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch. Si përfaqësues i OSBE-së, Bosch është ndalur pikërisht në organizmin ndërkombëtar që ai përfaqëson, duke prezantuar për të pranishmit një ekspoze të historisë së OSBE-së, zhvillimit të saj, e duke u ndalur konkretisht në mënyrën e funksionimit të këtij institucioni të rëndësishëm. Në mënyrë më të detajuar, ambasadori Bosch ka dhënë mënyrën e funksionimit në vendin tonë, organizmat përfaqësues, nëpërmjet katër zyrave që janë të shpërndara në vend, si dhe ndihmesën e deritanishme në jetën shoqërore politike në vend. Pas referatit të mbajtur në kuadër të këtij forumi, Bosch i është përgjigjur edhe interesimit të auditorit në lidhje me çështje të tilla si pronat, organizmat joqeveritare në vendin tonë, apo situatës politike. Duke ju referuar zhvillimeve politike, ambasadori i OSBE-së në Tiranë tha: “Unë nuk jam përfaqësues i Bashkimit Europian, por unë kam lexuar deklaratën e Parlamentit Europian dhe mesa unë e kuptoj, është ajo çka ata po bëjnë thirrje për një bashkëpunim midis partive politike dhe kjo duket rruga e vetme. Dhe në fjalimin tim e përmenda që duhet të gjenden pika për bashkëpunim dhe kompromis dhe jo pika ku ndryshojnë. E përmenda gjithashtu që, në një mënyrë që një demokraci të zhvillohet dhe të funksionojë, duhet në të gjitha nivelet, si në nivel parlamenti, ashtu edhe në nivel bashkie. Duhet që palët të ulen të gjitha së bashku dhe të arrijnë një kompromis. Kjo fjalë e shpjegon që duhet arritur në një pikë të përbashkët dhe nuk duhet arritur në një pikë ku çdo palë mund të mbetet e lumtur nga ajo çka mund të arrihet. Dhe ky është parimi i përgjithshëm i një demokracie, që të gjitha palët të ulen së bashku dhe të arrijnë kompromisin”. Kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, theksoi më tej në fjalën e tij se “ nëse nuk është e mundur që të arrihet një kompromis, atëherë është e mundur që mazhoranca vendos, pasi është shumica. Megjithatë duhen bërë përpjekje për kompromis”. Ndërkaq, duke iu përgjigjur pyetjes nëse ai vetë mendonte se mazhoranca mund të vendosë edhe pa opozitën, Bosch është përgjigjur se “po flasim parimisht se si duhet të funksionojë një demokraci, nuk po flasim për çështje specifike dhe megjithatë unë e thashë që mazhoranca në një sistem demokratik mund të vendosë, por gjithashtu përmenda se duhet të jetë një kompromis, duhet të jetë një bashkëpunim dhe një dialog midis palëve. Kjo është mënyra se si në fund mazhoranca mund të vendosë. Mesazhi im është të gjendet një kompromis”.
#