Mazhoranca: Rama nuk e pranon rezolutën e PE-së
“Edi Rama nuk pranon rezolutën që Parlamenti Europian ka miratuar për Shqipërinë dhe refuzon të plotësojë kërkesat që ajo shtron për hetimin e materialeve zgjedhore. Ky ishte qëndrimi që mbajtën deputetët e Partisë Demokratike, pas miratimit dy ditë më parë të rezolutës për integrimin dhe liberalizimin e vizave të shqiptarëve. Deputeti i PD-së, Osman Metalla, në një deklaratë për shtyp theksoi se dje, ndonëse rezoluta u miratua në Strasburg me konsensus të gjerë të të gjitha grupimeve parlamentare, ajo nuk pranohet nga Rama. Sipas Metallës, Rama refuzon të plotësojë kërkesën e kësaj rezolute për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, i cili do të hetojë materialet zgjedhore dhe do të përmirësojë edhe ligjin zgjedhor në vend. “Duhet t’i kujtojmë zotit Rama se ligji zgjedhor në nenin 178 të tij saktëson se materialet zgjedhore janë procesverbalet e votimit, tabelat dhe procesverbalet e numrit të fletëve të votimit, dhe jo fletët e votimit”, saktësoi Metalla, duke theksuar se kryetari i PS-së duhet ta pranojë këtë rekomandim të PE-së. Sipas tij, Rama është i vetmi politikan në botë i cili pranon vetëm gjysmën e një neni, dhe jo gjysmën tjetër të tij, për shkak se nuk i intereson. I njëjti qëndrim u theksua dje edhe nga ana e kryetarit të Komisionit të Jashtëm, Fatos Beja. Sipas tij, mazhoranca është e gatshme të nisë hetimin e zgjedhjeve sipas propozimit të sugjerimeve të rezolutës së Parlamentit Europian. Sipas Bejës, ky rekomandim i qartë nga ana e PE-së i jep njëherë e mirë fund pretendimin të Partisë Socialiste për hapjen e kutive të votimit. PE rekomandoi që të shqyrtohen materialet e votimit, atë që mazhoranca e ka shprehur prej kohësh. Kështu që tani për mua merr rrugë edhe pretendimi për “hapen, s’hapen kutitë”.
#