E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj: Rezoluta përfshiu marrëveshjen e mohuar nga Berisha

Intervistë me kryetarin e G99. Negociatat me eurodeputetët në Strasburg

Përtej rezultatit të votimit dhe tekstit të rezolutës së miratuar nga Parlamenti Europian, kreu i G99-ës, Erion Veliaj, sjell për “Shqip” mesazhin e vërtetë të asaj që ka ndodhur në seancën e fundit në Strasburg dhe që ende po mjegullohet pas deklarimeve të Tiranës.

Z. Veliaj si e cilësoni rezolutën e PE, çfarë do të thotë ajo për Shqipërinë?

Rezoluta ishte një skaner i situatës në Shqipëri, kush ka sy duhet ta lexojë vetë. Rezoluta dënon korrupsionin lebetitës të qeverisë, shtypjen konstante ndaj medias, rrënimin ekonomik të vendit, poshtërimin e administratës publike me militantë e injorancë dhe mbi të gjitha, me amendimet e fundit – ajo evidenton kërkesën unanime të PE-së për transparencë dhe hapjen e kutive sa më shpejt.

Në fakt, në Tiranë leximi i saj ka prodhuar dy interpretime; mund të sqaroni konkretisht a ka shënuar ky dokument një hap përpara në trajtimin e krizës në Shqipëri dhe ku konkretisht? A është përmendur nevoja e hapjes së kutive të fletëve të votimit?

S’ka dy interpretime, por ka një Kryeministër patologjik që gënjen si për çdo gjë tjetër; kujtoni komentin e tij për tifozerinë me Gjermaninë, bëhet me fitimtarin në mënyrë të paprinciptë vetëm pasi ka humbur davanë. Tani, pasi amendimet u kaluan me mbi 500 vota, ai i përshëndet, ndërkohë që teksti i pikës 4 (amendimi 2) është pikërisht teksti i marrëveshjes me 5 pika që ai refuzoi ta nënshkruante. Kjo nuk ka rëndësi, sepse gjithkush e njeh Berishën, rëndësi ka që marrëveshja që kërkonte opozita për transparencë u shndërrua në rezolutë dhe shqiptarëve fitimi i kësaj beteje u intereson më shumë se interpretimet. Pra do të kemi: 1. Hapje të kutive të të gjitha materialeve 2. Komision me shumicë të opozitës. 3. Kryetar të opozitës 4. Me afat para zgjedhjeve lokale 5. Reformë për zgjedhjet e ardhshme.

Si dëshmitar i debatit dhe diskutimeve në Strasburg, çfarë mund të thuhet lidhur me qasjen e politikanëve europianë ndaj vendit tonë? Kemi parë një ndarje të madhe edhe në PE, për të mos përmendur deklarimet gati të njëanshme të krerëve të grupeve parlamentare. A do të ketë një raund negociatash dhe a shpresoni se do të ketë një "ultimatum" për qeverinë shqiptare për arritjen e një kompromisi?

Jo, nuk ka një ndarje në PE, të paktën për transparencën zgjedhore - amendamenti me 5 pikat më sipër u votua thuajse në unanimitet nga 4 grupet kryesore, të djathtë, të majtë, liberale dhe të gjelbër. Kjo tregon disa gjëra: 1. Opozita ka fituar kauzën ndërkombëtare për transparencë 2. S’ka asnjë dyshim te ndërkombëtarët se Sali Berisha është një despot që vjedh zgjedhje, shtyp median e qeveris vetëm për familjen e tij. Dhe 3. Për ata që habiten pse e djathta europiane votoi amendamentet e opozitës së majtë, s'duhet ngatërruar militantizmi i Doris Pack me të djathtën racionale europiane. Siç u tha dhe nga eurodeputët, zonja Pack ngatërron rolin e zëdhënëses së Berishës çka i ka ulur besueshmërinë në PE, e kësisoj ka diskredituar dhe kauzën e Berishës. Personalisht ndihem i keqardhur, zonja Pack ka qenë përkrahëse e punës sonë kur kritikonim keqqeverisjen “Nano”. Kurse për keqqeverisjen e Berishës ajo ka një standard tjetër. Sa keq për të!

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›