Malaj: Edi Rama nuk duhet të rikandidojë. Nëse humbas në garë pa standarde, nuk do të heshtNga TemaUnifikimi i së majtës dhe kryesisht unifikimi i të gjithë faktorëve brenda PS-së, është një ndër pikat thelbësorë të platformës që Arben Malaj do të pa
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Malaj: Edi Rama nuk duhet të rikandidojë. Nëse humbas në garë pa standarde, nuk do të heshtNga TemaUnifikimi i së majtës dhe kryesisht unifikimi i të gjithë faktorëve brenda PS-së, është një ndër pikat thelbësorë të platformës që Arben Malaj do të paraqesë në kongresin e 29 gushtit, si kandidat për postin e kryetarit të PS-së. Malaj foli mbrëmë në emisionin “Ora e debatit” për garën përballë Edi Ramës dhe për raportet që Malaj ka me Ben Blushin, njërin prej figurave, që u duk se do të ishte kandidat për postin e kreut të PS-së. Malaj tha se ishte takuar me të gjithë faktorët politikë brenda PS.
Malaj përsëriti qëndrimin e tij lidhur me rikandidimin e Ramës. Malaj tha se Rama duhet të ndjekë shembullin e paraardhësit të tij, Fatos Nano, i cili dha dorëheqje nga posti i kryetarit të PS kur humbi zgjedhjet e 3 korrikut 2005, por nuk rikandidoi. Malaj kërkoi sërish largimin e Ramës nga posti i kryetarit të PS-së dhe mospërfshirjen e tij në garën për këtë post. “Rama u bë kryetar i PS kur kryetari që ishte dha dorëheqjen dhe krijoi frymën dhe hapësirën në parti. Në shkencat politike thuhet se “liderat realë duken kur ndjejnë nevojë për të ikur”. Debati aktiv me Ramën nuk ka të bëjë me mohimin e kontributeve të tij si kryetar. Rama ka akoma kohë që të mos e shkarravisë filozofinë me të cilën erdhi”, tha Malaj.
Duke folur për vështirësitë e garës, të cilën ka vendosur të nisë konkretisht në kongresin e 29 gushtit, Malaj u shpreh se shpreson që Rama të mbajë përgjegjësinë e duhur për garantimin e një gare të ndershme dhe të mos përdorë pushtetin që ai ka për të deformuar garën. “Gara ka kuptim në momentin që ajo nuk arrin në kufijtë që ajo deformohet totalisht. Unë jam rritur në atë parti dhe nuk mund të paragjykoj”, tha dje Malaj. Ai tha se nuk ndodh asgjë po iki Edi Rama nga PS.
Malaj u shpreh se Rama është duke humbur kapitalin politik që ka fituar deri tani, duke e akuzuar si nxitës të disa peticioneve që vijnë nga këshillat socialiste të disa rretheve, të cilat kërkojnë që Rama të mos largohet nga posti i kryetarit të PS-së. “Rama është duke humbur edhe atë kapital politik që kishte fituar. E kam fjalën për atë intervistë që dha në një të përditshme, për ato lëvizje të pamatura siç janë nxitjet nga baza, të cilat i luten aman kryetar, mos ik, etj...”, tha Malaj. Ai deklaroi se në rast se do të humbasë në një garë të manipuluar, nuk do të heshtë më, ashtu siç është bërë këto katër vite nën drejtimin e Ramës.
Duke folur për ambiciet e mundshme të Ben Blushit për të kandiduar për postin e kryetarit të PS-së, Malaj u shpreh se vlerëson maksimalisht kontributet e Blushit në PS duke theksuar se është në të njëjtin qëndrim me Blushin për disa çështje thelbësore, por kryesore është qëndrimi për Ramën, që ky i fundit të mos rikandidojë për postin e kryetarit ë PS-së, pasi ka humbur kredibilitetin për të hyrë në këtë garë, në 29 gusht, kur dhe do të jetë kongresi i jashtëzakonshëm i PS-së. “Jemi unik me Blushin se kredibiliteti i Ramës është cenuar rëndë, dhe jemi në një mëndje që Rama nuk duhet të rikandidojë. Do unifikojmë qëndrimet dhe të maksimizojmë mbështetjen ndaj nesh”, tha Blushi.
Kandidati për kryetar i PS-së foli për një sërë çështjesh që kanë të bëjë me drejtimin e PS-së, duke premtuar se do të punojë për unifikimin e PS-së dhe më pas të së majtës, duke organizuar një opozitë konstruktive në këto katër vite.
“Takimi me Nanon ishte i nevojshëm, jam takuar edhe me Ruçin e Meidanin”
Kandidati për kryetar i PS-së, Arben Malaj, është takuar dje me Ben Blushin, i cili është një prej kundërshtarëve të Ramës në PS, por ende nuk ka shpallur kandidimin për kryetar të PS-së. Kundërshtarët e Ramës në PS, Ben Blushi dhe Arben Malaj janë takuar dje paradite në ambientet e hotel Rogner në Tiranë. Malaj dhe Blushi thanë pas takimit se është folur rreth paketës së ndryshimeve statutore që do t’i paraqiten kongresit të 29 gushtit.
Sipas burimeve, Malaj ka mirëpritur paketën me propozimet për ndryshime në statut, por nuk ka detaje lidhur me mbështetjen ose jo të Blushit ndaj Malajt, pasi ky i fundit e ka shpallur kandidaturën për kryetar të PS-së. Ben Blushi e Arben Malaj janë dy prej figurave të rëndësishme në PS, të cilët deklaruan të parët se PS humbi në 28 qershor dhe se Edi Rama duhet të dorëhiqej për këtë arsye nga posti i kryetarit të PS-së.
Dy ditë më parë, kandidati për kryetar i PS-së Arben Malaj zhvilloi një takim me ish-kryetarin e PS-së Fatos Nano. Përgjatë një dreke për thuajse katër orë në një nga lokalet e kryeqytetit, Malaj e Nano, kanë folur për zhvillimet në PS, dhe kandidimin e Malajt për postin e kryetarit të PS-së. Sipas burimeve pranë takimit, pritet të ketë një angazhim të ish-kreut të socialistëve në mbështetje të kandidimit të Malajt. Për takimin me ish-kreun e socialistëve, Malaj u shpreh mbrëmë në emisionin “Ora e debatit”, se ishte takuar me Nanon dhe se takimi me të ishte i domosdoshëm, ashtu siç ishte takuar me figura të tjera të rëndësishme të PS-së dhe së majtës. Ai tha se kishte zhvilluar takime me ish-presidentin Meidani dhe kryetarin e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, dhe se takimet ishin në funksion të kandidimit të tij për postin e kryetarit të PS-së. “Kur je në garë sigurisht që nevojiten konsulta. Jam mirëpritur si kandidat nga të gjithë, edhe nga ata që quhen mbështetës të Ramës. Patjetër duhet të takohesha me zotin Nano, por jam takuar me shumë të tjerë. Me Nanon kemi folur për momentin me të cilin ndodhet e majta dhe kryesisht PS. Kemi diskutuar për opsionet më të mira për daljen nga kriza. Gjithçka është diskutuar ishte në funksion të nxjerrjes nga kriza të PS dhe të së majtës. Kam firmosur për Nanon president sepse kam pasur kurajë për të mbajtur pozicionin tim”, tha dje Malaj.
“Personalitetet duhet të kthehen dhe të luajnë rolin e tyre pozitiv në PS, unë nuk them që të kthehen liderët e larguar dhe të drejtojnë PS, por ata duhet të kontribuojnë për të krijuar kohezionin e humbur të PS”, tha Malaj, duke iu referuar Nanos.