E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: “Kriza po thellohet, 10 mijë persona kanë humbur vendet e punës”



Partia Socialiste ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila pushoi akuzat ndaj ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, në lidhje me akuzat për korrupsion për ndërtimin e rrugës “Durrës-Kukës”. Deputeti i PS-së, Arben Malaj, tha se Partia Socialiste e respekton vendimin e Gjykatës së Lartë, por pavarësisht kësaj, e konsideron ndërtimin e rrugës “Durrës-Kukës” si një rast korruptiv të qeverisë dhe se çështja nuk është e mbyllur. “Çdo shqetësim i yni ka qenë për mundësitë korruptive të mëdha që ajo pati për shkak të mungesës së garës dhe për shkak të kostove të larta. Ju garantoj se nuk ka asnjë vend jo vetëm në rajon, por edhe në Europë, që të përdorë 10% të GDP-së për të investuar në 100 km rrugë. Përsa i përket çështjes gjyqësore, ne respektojmë pavarësinë e Gjyqësorit, ndërsa mendojmë se procesi nuk ka mbaruar, por duhet thelluar”, - tha Malaj gjatë një konference për shtyp. Deputeti socialist ka kërkuar gjithashtu nga qeveria që të mos rrijë indiferente ndaj përshkallëzimit të efekteve të krizës ekonomike në Shqipëri. Malaj tha se qeveria nuk duhet ta shpërdorojë buxhetin për qëllime elektorale, por duhet të marrë masa konkrete, pasi mbi 10 mijë punonjës kanë humbur vendet e punës. “Mbi 10 000 punonjës kanë humbur vendet e punës, 500 punonjës të ndërtimit janë në risk, 600 punonjës të Alpetrolit për dy muaj s´marrin rrogat, mijëra të tjera janë përballë uljes së pagave apo humbjes së vendit të punës. Grevat e urisë të grupeve sociale për mbijetesë po rriten. Të vetmit të mbipunësuar në vendin tonë rezultojnë kryeministri, me mitingje elektorale çdo ditë, kryetarja e Parlamentit kudo me podiumin me vete dhe ministrat me spotet dhe turet elektorale në garë me njëri-tjetrin. Kjo situatë mitingjesh dhe premtimesh nuk mbështetet në bujarinë e buxhetit, i cili shkon drejt krizës, por në makutërinë elektorale të kësaj qeverie. Në çdo vend, në një situatë pa rritje ekonomike, rritjet e pagave dhe pensioneve nuk janë reale. Në vendet ku ka ndodhur ky fenomen kriza është përshpejtuar, ndërsa pas krizës, me pagat dhe pensionet blihen më pak mallra dhe shërbime. Rënia e rritjes ekonomike në nivele shqetësuese, papunësia në rritje dhe varfëria në rritje, do të ishin të mjaftueshme për çdo qeveri dhe politikan për të ndjerë përgjegjësinë minimale për fatin e vendit të tyre”, - tha Malaj.

13 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›