E Diel, 1 Nëntor 2026

Si do të votojnë shtetasit që vuajnë dënimin në burg



Shaban Sulçe
Pavarësisht se janë dënuar me heqje lirie, 5 mijë shtetasve që vuajnë dënimin në burgjet shqiptare apo në institucionet e paraburgimit nuk do t’u mohohet e drejta për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Interesant është fakti se rreth 1000 shtetas vuajnë dënimin në qarkun e Tiranës dhe vota e tyre mund të rezultojë decivize për të paktën një mandat deputeti, duke qenë se në qarkun e Tiranës kandidohet për 32 deputetë dhe mandatet do të përllogariten sipas formulës “D’hondt”.
Në Kodin e ri Zgjedhor është sanksionuar një nen i posaçëm, i cili parapërcakton mënyrën se si do të zhvillohen zgjedhjet në burgjet shqiptare dhe se si shtetasit, të cilët janë dënuar me heqje lirie, do të kenë mundësinë që të votojnë. Kështu, organizimi i zgjedhjeve në burgje dhe në vendet e paraburgimit, të cilat në Kod cilësohen si institucione të posaçme, do të jetë një detyrë e drejtuesve të institucioneve të burgut dhe kryetarëve të njësive vendore. Votimi do të jetë i njëjtë ashtu si në qendrat e tjera të votimit, me përbërje të njëjtë komisionerësh dhe me procedurë normale votimi.
Zgjedhësit
Sipas Nenit 59 të Kodit Zgjedhor, qendrat e votimit në institucionet e posaçme ngrihen edhe kur në to ndodhen nga 15 deri në 100 zgjedhës. Në burgjet dhe në vendet e paraburgimit, për zgjedhjet për Kuvendin, 40 ditë para datës së votimit, drejtuesi i institucionit përgatit listën e zgjedhësve dhe ia dorëzon atë kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore në territorin e së cilës ndodhet institucioni i posaçëm.
Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore, brenda 5 ditëve nga marrja e listës, përfshin emrat e zgjedhësve të burgjeve dhe të vendeve të paraburgimit në listën e zgjedhësve të njësisë së tij dhe ia dërgon ato Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, e cila, brenda 5 ditëve nga marrja e tyre, njofton njësitë përkatëse të qeverisjes vendore të vendbanimit të këtyre zgjedhësve t'i heqin ata nga lista e zgjedhësve të vendbanimit të tyre.
Votimi
Ngritja e qendrave të votimit në institucionet e burgut do të jenë detyrë e Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve që mbulon këtë zonë. Sipas Kodit, KZAZ-ja i propozon KQZ-së krijimin e KQV-ve të posaçme në institucionet e posaçme. Këto komisione kanë të njëjtën përbërje dhe të njëjtat përgjegjësi si dhe KQV-ja. Pra në këto komisione do të jetë e njëjta përbërje komisionerësh, me përfaqësues nga katër partitë, PD, PS, PR dhe PSD, si dhe me vëzhgues të akredituar të partive të tjera pjesëmarrëse në zgjedhje. Votimi do të përfundojë në orën e caktuar në Kod dhe pas kësaj, kutitë e votimit do të dërgohen në Komisionin e Administrimit Zonal, ku votat do të numërohen nga grupet e numërimit.
Kartat
Por, pavarësisht se Kodi i ri Zgjedhor parashikon marrjen e masave që garantojnë të drejtën e votës për shtetasit që vuajnë dënimin në burgjet shqiptare, mospajisja e tyre me karta identiteti rrezikon që t’u mohojë pjesëmarrjen në votime në zgjedhjet e 28 qershorit. Ky shqetësim u ngrit edhe pak ditë më parë nga kryetari i institucionit të Avokatit të Popullit, Ermir Dobjani. Avokati i Popullit rekomandoi fillimin e menjëhershëm të procedurave për pajisjen me kartat e reja të identitetit të të burgosurve dhe të paraburgosurve. Nga verifikimet e kryera në terren, ky institucion ka konstatuar se procesi për këtë kategori nuk ka filluar ende. Për këtë arsye, kreu i këtij institucioni, Ermir Dobjani, i ka kërkuar qeverisë të mos i privojë të burgosurit e të paraburgosurit nga e drejta për të votuar në zgjedhjet e 28 qershorit. Referuar të dhënave që bën publike Avokati i Popullit, mësohet se janë rreth 5000 persona që janë përjashtuar aktualisht nga procesi i pajisjes me kartat e identitetit. Por Ministria e Drejtësisë ka deklaruar se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka kërkuar fillimin e procesit të aplikimit dhe se po pret aprovimin nga Ministria e Brendshme.

13 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›