E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli vazhdon turin në komunat e Shkodrës, premton rritje të investimeve



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në kuadër të turit “NATO, ne ia dolëm”, është ndalur dje në Postribë dhe në komuna të tjera të rrethit të Shkodrës. Në një atmosferë mikpritëse e entuziaste, postribasit shprehën kënaqësinë e veçantë që kryetarja e Kuvendit erdhi për të ndarë me ta gëzimin e kësaj ngjarjeje të madhe historike.
Postribasit, në emër të vlerave të lirisë dhe demokracisë sakrifikuan shumë që Shqipëria të arrinte këto ditë, kur fjala e saj të jetë e barabartë më atë të aleatëve strategjikë të politikës dhe ekonomisë globale. Kryetarja e Kuvendit tha se Shqipëria në NATO është një premtim i tejkaluar, sepse katër vite më parë kryeministri Berisha kishte premtuar marrjen e ftesës në NATO. “Ne e kemi tejkaluar këtë premtim për një arsye të thjeshtë, sepse qeveria dhe maxhoranca e sotme janë seriozë me çdo qytetar”, – u shpreh kryetarja e Kuvendit. “Premtimet që ne bëmë gjatë fushatës elektorale në fund të katërvjeçarit kthehen në realitet. Realitete që preken, shihen, admirohen”, - tha Topalli.
Kryetarja e Kuvendit tha se në mandatin e ardhshëm maxhoranca e djathtë do të thellojë luftën kundër varfërisë dhe do të vazhdojë më rritjen e pagave dhe pensioneve. “Prioriteti ynë në mandatin e ardhshëm është që të pasurit jo të pasurohen, por të varfrit të dalin nga varfëria, duke bërë të mundur rritjen e rrogave dhe pensioneve”, - u shpreh kryetarja e Kuvendit.

13 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›