Ekonomik, Grafik Dizajn, Juridik, apo Shkenca Sociale? Të gjashtët e UET-it shpjegojnë dilemat
Zgjedhja e një universiteti me emër të mirë, e një dege që të ofron në të ardhmen siguri në tregun e punës, programe që të përgatisin me seriozitet në profesion... janë çdo vit dilemat e të rinjve që ndodhen përpara dyerve të arsimit të lartë. Të shkojnë pas traditës familjare? Të realizojnë pasionet? Të zgjedhin rrugën më të lehtë për të marrë një diplomë? Gjashtë pedagogët e Universitetit Europian të Tiranës, Luljeta Minxhozi, Bujar Kapexhiu, Migena Leskoviku, Odeta Barbullushi, Ervin Mete dhe Gentian Elezi sjellin një panoramë të gjerë të asaj çka ofron UET-i në këtë vit të ri akademik. Nga Fakulteti Ekonomik, me degët administrim e menaxhim biznesi, financë-bankë, Marketing, deri te Teknologjitë e informacionit, ndër më të kërkuarat sot në tregun global të punës në të gjitha ciklet e studimit, te Juridiku, që si çdo vit mbetet ndër më të preferuarit, ku pedagogë janë juristë me emër, prakticienë të së Drejtës, figura të njohura nga fusha e Drejtësisë, anëtarë apo ish-anëtarë të Gjykatës së Lartë e Kushtetuese. Praktika pesëvjeçare e Universitetit ka treguar se të diplomuarit në UET e kanë gjetur vendin shpejt në tregun e punës. Për të kaluar te dega më e re, e hapur për herë të parë në UET: Grafik Dizajn, e cila sjell hapësira të pafundme punësimi në TV, gazeta, revista, agjenci reklamash, biznese etj. Por edhe Shkencat Sociale, ku studentët që në vitet e para mësojnë të jenë kritikë, të shndërrohen në aktorë e të artikulojnë në debate politike e mediatike. “Universiteti është i madh”, thonë pedagogët. Ka vend për zgjidhjen e të gjitha këtyre dilemave.
Prof. dr. Luljeta Minxhozi, dekane e Fakultetit Ekonomik në UET dhe të Teknologjive të Informacionit
A vijojnë në Universitetin Europian të Tiranës - dhe në të gjithë sistemin në përgjithësi - të jenë më të preferuara degët Financë-Bankë dhe Menaxhim Biznes?
Jo vetëm në UET, por në të gjitha universitetet shqiptare dhe më gjerë, Fakulteti Ekonomik, studimet që zhvillohen në degët e Ekonomisë, Biznesit, Menaxhimit, Teknologjisë së Informacionit janë shumë popullorë. Kjo, jo rastësisht. Ka shumë njerëz që mendojnë se është moda, se do kalojë kjo periudhë dhe do të dalë një degë tjetër. Disa të tjerë mendojnë se ka shumë ekonomistë, u mbytëm me ekonomistë. Ku do të shkojnë? Të gjithë atyre që mendojnë kështu, u them se është cikli i zhvillimit të Ekonomisë globale që na kërkon, është tregu i punës që na thërret në mënyrë të vazhdueshme.
Përse ndodh kjo?
Dekadat e fundit të shekullit XX dhe dekada e parë e shek. XXI përbëhet nga një sistem ekonomik i cili mundohet të komercializojë menjëherë çdo shpikje dhe teknologji. Dhe komercializimi i shpikjeve dhe teknologjisë e bën botën të prodhojë më shumë dhe njerëzit të jetojnë më mirë. Ky komercializim ndodh vetëm nëpërmjet dijes ekonomike, dije që merret në Fakultetin Ekonomik. Kështu që, është një dije jo vetëm e qëndrueshme, por besoj se do të qëndrojë gjatë, në rreshtin e profesioneve të ekonomisë moderne, globale. Fakulteti ekonomik, në të gjitha universitetet, natyrisht edhe në UET, në mënyrë të veçantë thërret studentët më të mirë, për t’u bërë pjesë e iniciativës sonë me shpresën dhe idenë e madhe se do të jenë ata që do të drejtojnë ekonominë, që do të menaxhojnë, marketojnë produktet në tregje të hapura, që do të gjejnë burime prodhimi në tregjet financiare, që do të ndërlidhin më mirë dhe më shëndetshëm tregjet për të evituar krizat si kjo që po jetojmë.
Pra, nuk është e vërtetë legjenda që qarkullon se Fakulteti Juridik është më i preferuar?!
Në zgjedhje ekziston edhe një moment psikologjik. Shumë studentë të rinj mendojnë të shkojnë pas prindit, pas traditës së familjes. Shumë studentë të rinj mendojnë të shkojnë në një degë që është e lehtë të marrin një diplomë. Universiteti është i madh, i hapur, ka vend për të gjitha këto dilema. Unë ftoj fort studentët që duan të studiojnë ekonomi, në kuptimin që do të qëndrojnë gjatë në tregun e punës, do të punësohen shpejt, do të thirren shpejt nga tregu i punës, sepse profilet që ofrohen nga universitetet që kanë programe ekonomike janë profile që kërkohen fort nga ky treg pune.
ǒmund të na thoni për Teknologjitë e Informacionit? Thonë që është shumë e kërkuar...
Është e ardhmja, sepse pjesa më e madhe e produkteve sot shiten dhe blihen me anë të teknologjisë së informacionit. Dija është shumë e transferueshme. Transferimi i dijeve bëhet me anë të teknologjisë së informacionit. Është një nga degët që e kërkojnë të gjitha profesionet, por në mënyrën më të natyrshme i kërkon Ekonomiku. Mjetet teknologjike janë bërë të përdorshme nga të gjithë ne, por t’i përdorësh këto mjete në mënyrë fitimprurëse duhet të studiosh programet e studimit në teknologjitë e informacionit. Në UET këto programe janë hapur vjet dhe janë ende nën Fakultetin e Ekonomisë për shkak të një ndërthurjeje bazike që kanë, por me shpresën se, nëse do të zgjerohen, do të krijohet një fakultet më vete, një fakultet i ri i Teknologjisë së Informacionit, pranë UET-it. Ky është synimi ynë afatmesëm. Në afate të gjata do të vazhdojmë të përshtatemi me kërkesat që ka tregu i punës për këto profesione.
Prof. dr. Bujar Kapexhiu, Mjeshtër i Madh i Grafik Dizajnit
Pse jeni angazhuar në degën e Grafik Dizajnit në UET?
Unë kam përfunduar studimet në Akademinë e Arteve - përpos profesioneve të mia si regjisor dhe aktor - edhe për Arte Figurative, në degën Grafikë. Dua të them se gjatë gjithë kësaj kohe, përveç skenës edhe filmit, jam marrë me Grafikën. Me grafikën artistike, me grafikën e aplikuar, që sot është nga më të kërkuarat dhe nga majat e krijimtarisë artistike. Gjithçka që shohim ka pas një mendje që e krijon. Është edhe kompjuteri, i cili e ndihmon këtë mendje në realizim. Sot, kur të rinjtë nisen për të marrë një profesion, për t’u shkolluar, përveç pasionit dhe dëshirës janë edhe ndikimet e prindërve. Por del natyrshëm edhe pyetja: “Ku do të gjesh një vend pune?” Nëse ka vende pune, më tepër se në çdo lloj profesioni, sot është në dizajn. Gjithçka që shohim është krijimtari e dizajnerit. Dizajner në TV, dizajner në gazeta, revista, agjenci reklamash... çdo ndërmarrje që prodhon, patjetër do dizajnerin. Pra, kudo duhet mendimi krijues, mendimi i dizajnerit.
A duhet të dijë dizajneri të vizatojë?
Unë them se ka raste kur ai nuk di të vizatojë, por mjafton të ketë krijuar idenë apo formën në mendjen e tij dhe me anë të kompjuterit ai mund të realizojë gjithçka. Ka edhe nga ata që kanë mbaruar pikturë dhe vazhdojnë për dizajner. Dizajni ka një avantazh të madh, sepse nuk je vetëm artist, por ke edhe një zanat. Dizajneri sot është i kërkuar gjithkund dhe, çka është më e rëndësishmja, vetë një dizajner mund të hapë një agjenci të tijën private dhe të fitojë më tepër.
Kur do t’i kemi dishepujt tuaj në këtë zanat?
Kjo degë në UET hapet për herë të parë në këtë vit akademik. Ka pasur shumë kërkesa. Kemi studimet Bachelor në tre vjet “Komunikim dizajn” dhe në Master “Grafik Dizajn”.
Përveç jush, a ka pedagogë të tjerë po kaq të njohur?
Natyrisht ka pedagogë të talentuar, pedagogë që do të vijnë si dizajnerë nga jashtë. Ka edhe më të njohur se unë.
Zv.dekane e Juridikut në UET, Dr. Migena Leskoviku
Si po shkon dega e Juridikut këtë vit në UET? A ka mbaruar uria e madhe për t’u regjistruar të gjithë në Juridik, tani në këto kohë të vështira sidomos për sistemin e drejtësisë?
Nuk mendoj se drejtësia ka opinion kaq të keq. Vërtet mund të ketë fenomene shumë të përfolura, por pa sistemin e drejtësisë asnjë shtet nuk do të mund të realizonte të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve. Është një nga tre pushtetet dhe një element i domosdoshëm në një shtet. Pa juristë, në fundit të fundit, nuk do të bënim dot. Sërish Fakulteti Juridik në UET konsiderohet si një nga degët kryesore, për faktin se kemi një numër gjithmonë në rritje të studentëve. Këtu e kam fjalën në të gjitha nivelet tona të studimit, jo vetëm në ciklin e parë të studimeve - në Bachelor - por edhe në nivelin Master-Profesional apo shkencor - si edhe së shpejti edhe në studimet e Doktoraturës që kemi nisur. Nga kjo pikëpamje, do të thosha që Drejtësia mbetet degë atraktive. Në UET e shohim këtë tendencë, numrin në rritje të studentëve, interesimin e tyre, duke pasur parasysh emrin e mirë të krijuar të universitetit.
ǒmund të bëjë UET-i dhe ju për të sjellë profesionistë?
Ne ofrojmë programe studimi, të cilat duhet thënë që bazohen në modelet më të mira bashkëkohore, të mbështetura nga një trupë pedagogjike, nga një staf shumë i mirë e me eksperiencë. Kemi pedagogë me përvojë, kemi juristë shumë të mirë, prakticienë të së Drejtës, figura të njohura nga fusha e Drejtësisë, anëtarë apo ish-anëtarë të Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese, që e kompletojnë më së miri këtë tablo në fakultetin tonë. Kështu që Juridiku mbetet një nga degët e preferuara, gjithmonë në sensin pozitiv, që të prodhojmë dhe nxjerrim juristë për t’iu përgjigjur sa më mirë nevojave në rritje të tregut.
Odeta Barbullushi, Ph.D. në Universitetin e Birmingham-it, Angli; specialiste e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, pedagoge në UET
Si janë të organizuara Shkencat Sociale në UET dhe si e ka përballuar ky universitet sfidën që këto shkenca kanë kudo, aq më tepër në Shqipëri? Tani nuk preferohen më. Apo jo?
Nuk është e vërtetë. Nuk është se nuk i preferojnë më. Ka pasur një inflacion për shumë vite të studentëve që preferonin të studionin në Gazetari, Shkenca Politike, Marrëdhënie Ndërkombëtare. Shkencat sociale janë më të ndjeshme ndaj ndryshimeve, sfidave, krizave të shoqërisë, sepse janë më të lidhura me to. Në Shkencat Sociale shqiptare mendoj se ndër sfidat më të mëdha mbetet sfida e Metodologjisë shkencore. Kjo ishte një nga sfidat kryesore me të cilat u përballa unë dhe kolegët e tjerë të Shkencave sociale në Fakultetin tonë para dy viteve kur erdha nga Anglia. U mundova që ekspertizën dhe njohuritë e mia të fituara në Britaninë e Madhe t’i transferoja në kontekstin shqiptar. Diçka që u themi shpesh studentëve tanë është: “Ju mund të bëni çdo lloj argumenti. Nuk ka argument të pavërtetë, apo të pamoralshëm, përsa kohë mund ta vërtetoni me argumente shkencore”. Kjo vazhdon të jetë një sfidë për ne që u mësojmë studentëve Shkenca Sociale. Kur erdha para dy vitesh në Shqipëri, gjeta një traditë shumë të mirë të Shkencave Politike në UET. Një grup studentësh që pas tre-vjeçarit vazhduan Masterin Shkencor. Një grup studentësh që jo vetëm mësonin, por që në vitin e parë të shkollës kishin mësuar të mendonin në mënyrë kritike dhe të bëheshin menjëherë aktorë apo të artikulonin pozicione të ndryshme në debate politike, mediatike etj. Kjo ndihmonte për Shkencat Sociale, duke qenë edhe për famën e UET-it nga djemtë që e themeluan, për shkak se disa prej lektorëve të tyre të ishin shumë të artikuluar dhe vizibël në media dhe publik. Ne e vazhdojmë këtë traditë, i ftojmë studentët të bëhen bashkëpunëtorët tanë. Së dyti, ajo që na dallon prej të tjerëve, është që teoritë ose dijet që transmetojnë Shkencat Sociale mundohemi t’i dizenjojmë dhe presim sipas një objektive me implikim praktik.
Thënë më qartë?
Pra, nuk është e nevojshme vetëm të dish sa më shumë - siç ka qenë dikur ambicia e një studenti të shkencave të filozofisë apo shkencave politike - por të dish edhe implikimet praktike e jetike të kësaj dijeje. Ne mundohemi ta reflektojmë këtë në revistat tona shkencore. Që prej vitit të kaluar jam kryeredaktorja e revistës shkencore “Polis” - revista e Fakultetit të Shkencave Sociale - dhe aty mundohemi të krijojmë një pol të mendimit kritik. Mendoj se ajo çka e dallon-dhe nuk është çështja që ne marrim vetëm kontingjentin që nuk hyri tek Universiteti Publik - është se ne mundohemi që botojmë literaturën më bashkëkohore dhe më kritike nga shtëpitë botuese më të mira në Angli apo ShBA dhe mundohemi të sjellim ato praktika më të mira në Shqipëri.
Ervin Mete, Master në London School of Economics dhe në të Drejtë Ekonomike në Universitetin e Harvardit në ShBA, pedagog në UET
ǒbën një jurist me dy nga shkollat më prestigjioze të botës, në Shqipëri?
Pesha specifike e këtyre shkollave është shumë më e madhe këtu sesa atje. Hapësira, qoftë për të kontribuar këtu, qoftë për të evoluar, mendoj se është më e madhe këtu. Atje janë ngopur, qoftë hapësirat, qoftë tregjet.
Pse keni zgjedhur UET-in?
Mendoj që UET-i është një ishull pozitiviteti dhe serioziteti në këtë terrenin e vështirë dhe të lëkundshëm shqiptar. Bëhen përpjekje serioze dhe reale për të përçuar një mësimdhënie cilësore.
ǒështë metoda anglo-saksone që e dëgjojmë kaq shpesh? A mund të aplikohet në Shqipëri?
Ky është një mendim i ndryshëm i Filozofisë së të Drejtës. Në kemi qasje ende formaliste në përgjithësi, të trashëguara nga sistemi i kaluar. Ata kanë një qasje realiste që e ndërthurin me ekonomi, shkenca politike, psikologji... Unë them se mund të arrihet të aplikohet në Shqipëri dhe atë po përpiqemi të bëjmë. Sigurisht që është e vështirë të sjellim Harvardin këtu, por me copëza mund t’ia arrijmë.
A mund të identifikoni sa studentë të UET-it mund të ishin tani në Harvard?
Ne jemi në përgjithësi racë inteligjente. Çështja është sesa mundësi na ofron sistemi për të avancuar dhe konkurruar pastaj në ato ambiente. Mendoj se sistemi deri tani ka qenë i vështirë. Por aktualisht po krijohen hapësira që ata studentë që mbarojnë te ne, të mund të evoluojnë me aftësitë e tyre në atë nivel të shkollave të huaja.
Gentian Elezi Dokt., në përfundim të Doktoraturës në Universitetin Sussex, Angli, mbi Çështjet e Integrimit
Kur do të fillojë një qasje kritike për Integrimin europian në këtë vend, duke nisur nga auditorët e shkollave, nga UET?
Kjo lidhet edhe me pyetjen mbi shkollën anglo-saksone, që do të thotë se një nga elementet karakteristike të kësaj shkolle është qasja kritike. Në këtë kuadër, ka filluar një lëvizje në qarqet akademike duke debatuar e diskutuar mbi euroskepticizmin. Mendoj se është interesant dhe i dobishëm si debat. Nuk është as vonë, as herët. Është koha të fillojë ky debat, sidomos në qarqet akademike. ǒështë e vërteta ka pasur tentativa të mëparshme. Ka qenë një konferencë para gjashtë vitesh nga Liberalët, por gjëra të vogla. Ne kemi pasur në revistën “Polis” një numër që trajtonte aspektin e ndërkombëtarëve dhe si luajnë rol në Shqipëri. Patjetër që duhet inkurajuar një debat i tillë, por gjithmonë duke ruajtur sensin e masës. Për të mos e shndërruar Bashkimin Europian në ish-Bashkimin Sovjetik për Shqipërinë gjatë komunizmit, por as të mos e kthejmë në një lloj anatemimi siç i bëhej Amerikës gjatë periudhës komuniste.
A u thoni studentëve të mos e kenë ëndërr Europën, se nuk është parajsë, por ka edhe shumë detyrime?
Ne kemi filluar ta bëjmë, edhe me studentët tanë. Debatet dhe seminaret që organizojmë i kemi edhe në këtë kuadër. E analizojmë edhe nga ana kritike integrimin. Por ky debat duhet fokusuar në fillim në botën akademike dhe më pas, kur te piqen argumentet, mund të dalë më tej edhe në publikun e gjerë.
*Marrë nga Zonë e Lirë.