E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: PS nuk organizon forume, por tavolina hotelesh

Duke folur për situatën politike, Malaj shprehet se Partia Socialiste, duhet t’u largohet radikalizmave.

“Sërish deklaroj që PS-ja duhet të ndalë radikalizimin e saj, duhet të ketë një strategji fituese bazuar në vlera dhe avantazhet e saj. Debati për afatin që një deputet si individ ose një grup parlamentar i çdo force politike të mos qëndrojë më shumë se 6 muaj pa aktivitet parlamentar kur është votuar si parti parlamentare, ka rëndësi të veçantë për raportin midis ligjores dhe partiakes. U bë një fushatë e tërë nga kreu i PS-së me tezën “Përtej të majtës dhe së djathtës”, ndërsa tani për ditë e më shumë po flitet për popullin socialist”, tha Malaj në një intervistë për gazetën “Shqip”.

Pyetjes, se si e shihni qëndrimin e disa aleatëve të PS-së, të cilët kërkojnë me ngulm vijimin e protestave, Malaj u përgjigj se ata janë fokusuar te radikalizimi i politikës shqiptare dhe te negociatat me kushte të panegociueshme. “Sigurisht, ndryshimi i qëndrimeve edhe publike të shumë prej tyre, nga momenti kur u ndjenë humbës te momenti kur shohin një rreze drite më shumë dhe për keq. Ata janë bërë justifikimi dhe ushqimi publik i radikalizimit të PS-së. Kjo është shumë shqetësuese, PS-ja që për tre vota mund të ishte mazhoranca qeverisëse e vendit, po shkon sot drejt një partie jashtë institucioneve. Në PS nuk mblidhen forumet për të diskutuar për negociatat dhe për afatin e marsit, por organizohen tavolina hotelesh ku shprehet solidariteti revolucionar”, tha më tej deputeti opozitar, i rreshtuar në të ashtuquajturin “Lëvizja për Mendim Ndryshe”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›