Withers: Tragjedi si Gërdeci duhet të mos ndodhin më
Ambasadori amerikan, John Withers, ka qenë mesditën e sotme në qytetin e Poliçanit ku është bërë prerja e shiritit për vënien në punë të një linje të re për demontimin e municioneve. I shoqëruar nga zv.ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahia, ambasadori Withers ka vizituar ambientet e Kombinatit Mekanik të Poliçanit ku që prej një viti po punohet për demontimin e municioneve. Qeveria amerikane nëpërmjet Zyrës së Departamentit të Shtetit për reduktimin dhe zhdukjen e armëve i ka dhënë Shqipërisë me qira një makineri të quajtur TRADS, e cila ndihmon në asgjësimin e rezervave të tepërta të municioneve të kalibrit të ulët. Kjo makineri tashmë do të ndihmojë në eliminimin e 7000 tonë plumbave 7.62 mm nga rezervat e tepërta të ushtrisë shqiptare. “Të gjithëve ju kujtohen ngjarjet e marsit të vitit 2008, ndërsa pamë të tmerruar shpërthimin që ndodhi në Gërdec dhe pasojat në njerëz e në banesa. Kjo na tregoi të gjithëve se sa të rrezikshme e shkatërruese mund të jenë të gjitha armët e pashpërthyera për jetën e njeriut dhe puna juaj në këtë uzinë dhe puna e të gjithë amerikanëve që punojnë në këto mjedise është që të sigurohemi që këto tragjedi të mos ndodhin më e që këto armë të shkatërrohen një herë e mirë”, është shprehur Withers. Ambasadori amerikan ka thënë se faktet për Gërdecin flasin vetë, pasi në Poliçan janë duke u shkatërruar fishekë me një shpejtësi shumë të madhe dhe si qeveri e Shteteve të Bashkuara jemi shumë krenarë që të mund t’u ofrojmë ju ekspertizën dhe burimet tona për t’ju ndihmuar në këtë proces. Withers ka pohuar se kontraktorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, EOD Solution të cilët po mbikëqyrin edhe mbarëvajtjen e operacioneve të demilitarizimit në Uzinën e Poliçanit, janë më të mirët në këtë fushë. Qëllimi i kësaj makinerie, ka thënë Withers, është të ndihmojë në eliminimin e 7 000 tonë plumbave 7.62 mm nga rezervat e tepërta të Ushtrisë Shqiptare, pasi ajo shkatërron 7.5 tonë fishekë në ditë. Withers ka përfunduar fjalën e tij duke pohuar se puna që po bëhet për çmilitarizimin e armëve dhe siguria që është treguar të vazhdojë deri në përfundim të këtij procesi, pasi është bërë një nisje e mbarë që ka nevojë për një qëndrueshmëri në këtë përpjekje, me shpresën që një ditë të mund të shkatërrohen të gjitha armët dhe që e ardhmja të jetë e sigurt. Pas prerjes së shiritit të inaugurimit të Linjës së Re Teknologjike për asgjësimin e municioneve të këmbësorisë, ambasadori amerikan ka vizituar dhe ka parë nga afër punën që kryhet në këtë uzinë për asgjësimin e municioneve luftarake nëpërmjet funksionimit të makinerisë së dhënë nga qeveria amerikane. Interesimit të gazetarëve për situatën politike në vend, ambasadori amerikan i është përgjigjur duke thënë se ka ardhur në Poliçan për të folur për teknologjinë e re të asgjësimit të municioneve dhe jo për politikë, pasi inaugurimi që po bëhet është i një rëndësie të veçantë për të ardhmen e Shqipërisë.
#