E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ashton: Kujdes me krizën! Duhet dialog

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Sigurinë në Bashkimin Europian, Catherine Ashton, njëkohësisht zëvendëspresidente e Komisionit zhvilloi një vizitë zyrtare në Ballkan dhe mbylli turin me Kosovën. Megjithëse nuk e vizitoi Tiranën, përfaqësuesja e lartë e BE-së ka përcjellë mesazhin e saj të parë për Shqipërinë nga Beogradi. Në fjalën e saj, ndërsa përmend ecurinë e vendeve të rajonit, Ashton thotë se vitet e fundit edhe Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm, megjithatë, vështirësitë aktuale politike po rrezikojnë përparimin e mëtejshëm. “Më duhet të them me sinqeritet se jam mbështetëse e fortë e dialogut politik dhe jo bojkotit si rrugë për të gjetur zgjidhje politike”, u shpreh Ashton. Për liberalizimin e vizave, Ashton deklaroi se po punohet me qeveritë e vendeve të rajonit që nuk përfituan nga ky proces vitin e kaluar. Bëhet fjalë për Shqipërinë dhe Bosnjën për të cilët Ashton garantoi se nuk do të kenë kritere shtesë përveç atyre që parashikon udhërrëfyesi. Ekspertët e BE-së po vlerësojnë në terren sipas saj përmbushjen e kushteve nga këto dy vende. Edhe pse pesë shtete të Bashkimit Europian ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Europian, Catherine Ashton, konsideron se ka një qëndrim unik të Bashkimit Europian që e ardhmja e Kosovës të jetë në BE. Përfaqësuesja e lartë e BE-së, ishte dje në Kosovë dhe pas takimit me Kryeministrin Hashim Thaçi ka vlerësuar të arriturat në Kosovë, megjithëse ka theksuar se ka ende shumë për t’u bërë. “Bashkimi Europian është 100 për qind i bashkuar në një çështje që e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Europian. Pra për mua dhe punën time është shumë lehtë që të punojmë në mënyrë bashkëpunuese këtu, që misioni i EULEX-it të jetë këtu dhe të ofrojë mbështetje për zhvillim ekonomik dhe të shihet se Kosova si pjesë e Bashkimit Europian”, ka thënë Ashton, siç raporton “KosovaPress”. Ashton ka paralajmëruar që javëve të ardhshme në Kosovë do të vijë një ekip i Bashkimit Europian për të bërë vlerësimet për procesin e liberalizimit të vizave. Ndërsa Kryeministri Thaçi ka shprehur përkushtimin e plotë të qeverisë së Kosovës për implementimin e plotë të kritereve demokratike, të domosdoshme në procesin e paraanëtarësimit në Bashkimin Europian.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›