E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zvarritja e integrimit, faji i politikës

Sondazhi i “Gallup”: 83% e të pyeturve mendojnë se ajo ka ndikuar negativisht

Shqiptarët mendojnë në shumicë se vendi ynë nuk është integruar në Bashkimin Europian për shkak të politikës. “Gallup International” prezantoi dje sondazhin “Shqipëria drejt BE-së apo shqiptarët në BE”, sipas të cilit 83% e shqiptarëve mendojnë se politika ka ndikuar negativisht në procesin e integrimit të Shqipërisë. Fondi Europian për Ballkanin, Akademia e Studimeve Politike dhe Lëvizja Europiane në Shqipëri në bashkëpunim me “Gallup Europe” organizuan dje një diskutim në lidhje me përcaktimin e shqiptarëve dhe integrimin europian. Drejtori ekzekutiv i “Gallup”-it, Robert Manchin, gjatë prezantimit të projektit i cili është kryer në të gjitha vendet e Ballkanit, theksoi se vetëm 17% e shqiptarëve mendonte se faji për mosintegrimin në BE të Shqipërisë u takonte vetë përfaqësuesve të Brukselit. Nga sondazhi mësohet se mbështetja e shqiptarëve për integrimin europian është rritur ndjeshëm dhe ka arritur në shifrat e 88% dhe së bashku me Kosovën, duke i bërë këto vende të kenë treguesit më të lartë në rajon në lidhje me këtë çështje. Nga ana tjetër, sondazhi zbulon se shqiptarët mendojnë që aspekti më pozitiv i përfshirjes së tyre në Europë lidhet me faktin se ata do të kenë mundësi të lëvizin lirisht. 94% e tyre shprehen se liberalizimi i vizave është e “mira” më e madhe që ata do të përfitojnë nga ky integrim. Po kështu, sondazhi i “Gallup” tregon se 38% e shqiptarëve do të donin të jetonin në një tjetër shtet. Kjo sipas sondazhit është shifra më e lartë krahasuar me të gjitha vendet e rajonit. Madje, sondazhi tregon se dëshira për të jetuar jashtë Shqipërisë është rritur me 6% krahasuar me vitin 2006. Por nga ana tjetër, sondazhi i “Gallup” evidenton se shqiptarët kanë ende probleme me fenomenin e korrupsionit. Rezultati i përftuar nga testimi mbi elementin e korrupsionit tregon se rreth 52% të të pyeturve u është dashur që të paguajnë nën dorë vitin e shkuar, një shifër që mund të konsiderohet më e larta në rajonin e Ballkanit. Por nga ana tjetër, Shqipëria duket se përbën surprizën e vëzhgimit, pasi rezultatet e pyetjeve tregojnë se është rritur ndjeshëm perceptimi në disa faktorë mes të cilëve standardi i jetës apo edhe identifikimi me lidershipin politik. Kështu, pavarësisht krizës ekonomike, vlerësimi pozitiv për standardin e jetesës është rritur me 10% në krahasim me vitin e shkuar duke arritur në shifrat e 54% të të anketuarve, shifër kjo e cila është ndër më të lartat në vendet e rajonit. Sondazhi tregon gjithashtu se shqiptarët janë populli më optimist në rajon në lidhje me fqinjësinë e mirë me vendet e tjera të rajonit. Po kështu, sondazhi i “Gallup” thekson se qytetarët e Shqipërisë dhe të Maqedonisë mendojnë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë përmirësuar ndjeshëm gjatë pesë viteve të fundit, duke u shprehur në masë pro fqinjësisë të mirë të dy vendeve. Në këtë kuadër, sondazhi del në përfundimin se në të gjithë rajonin tonë janë ulur ndjeshëm frikërat për konflikte të armatosura.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›