Malaj: PS po i zëvendëson forumet me tavolina hotelesh

Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Arben Malaj, analizon zhvillimet e fundit në tryezën e negociatave mes mazhorancës dhe opozitës. Në një intervistë për “Shqip”, Malaj flet për qëndrimet e opozitës, zhvillimet brenda Partisë Socialiste dhe afatin e skadimit të mandateve të deputetëve.
Zoti Malaj, si e komentoni takimin e parë Berisha-Rama në tryezën e thirrur nga Presidenti Bamir Topi?
Më vjen keq që edhe pas 20 vjetëve tranzicion, një takim midis krerëve të partive të ndryshme politike konsiderohet një sukses i madh i politikës. Analistët debatojnë se kush fitoi nga organizimi i tavolinës edhe kur kjo tavolinë pati si arritje pranimin për t’u takuar sërish. Pasojat negative të këtij mentaliteti të krerëve politikë shumëfishohen negativisht nëpër qytete e fshatra, duke e rritur ndarjen dhe agresivitetin partiak, shtojnë politizimin e administratës politike, rrisin abuzimin partiake me mandatet politike dhe administrative.
Ndaj takimet e krerëve partiakë, edhe kur përfaqësojnë parti të ndryshme politike, si në rastet kur janë në mazhorancë dhe kur janë në opozitë duhen trajtuar si takime të detyrueshme. Këto takime nuk duhet të jenë thjesht kur ka kriza, por edhe kur kërkohet qëndrim unik për prioritetet kombëtare, të sigurisë, politikës së jashtme dhe të perspektivës europiane. Në të ardhmen ndoshta media dhe opinioni publik gjithnjë e më shumë do të përqendrohen te vendimet e këtyre takimeve, tek efekti pozitiv apo negativ në jetën e përditshme të të gjithë shqiptarëve. Nuk është e nevojshme të bëjmë teatër politik, duke e bërë më të vështirë takimin apo duke e zvarritur afrimin e qëndrimit që na nxjerr nga ngërçi politik. Njëkohësisht nuk është e mirë që zgjatja e takimeve dhe për më tepër deklaratat kategorike gjatë kohës të negociatave nga zëra të ndryshëm partiakë apo solidarësh, të duken si eksperimente praktike të aspekteve të ndryshme të teorive të negociatave.
Sipas deklarimeve të pas kësaj tryeze, duket se të dyja partitë janë në një situatë komode, duke kërkuar që të jetë Presidenti ai që të gjejë formulën e zgjidhjes...?
Presidenti ka meritën që nuk nxitoi të mbante qëndrim kategorik “pro” apo “kundër” debateve partiake. Presidenti nuk ka instrumente të veçanta kushtetuese për të preferuar apo imponuar një zgjidhje të paracaktuar për daljen nga ngërçi politik. Në këtë aspekt, në asnjë rast Presidenti nuk mund të bëhet sado pak fajtor për situatën e krijuar dhe për zvarritjen e negociatave apo të zgjidhjes. Dështimi i negociatave është meritë e qëndrimeve kategorike të krerëve partiakë. Arritja e një zgjidhje që nuk cenon funksionimin kushtetues të vendit dhe që nuk është një sajesë që prodhon kriza dhe instabilitet të përhershëm, do të ketë brenda edhe angazhimin dhe kontributin pozitiv edhe të Presidentit. Duket se mazhoranca ka hezituar t’i japë sado pak mundësi publike Presidentit që të jetë në qendër të zgjidhjes së ngërçit politik.
Një prej zgjidhjeve që po artikulohet kryesisht në media është që të hapen kuti votimi që nuk janë të lidhura me vendimet e gjykatës. A mund ta kthejë kjo zgjidhje PS-në në Parlament?
Teorikisht mund të ketë shumë zgjidhje. Nuk besoj se mungojnë opsionet apo ekspertiza konkrete. Problemi qëndron se krerët e partive edhe sot kanë qëndrime kategorike. Ekspertët janë të dobishëm kur politikanët e ndiejnë të nevojshme ekspertizën e tyre. Ata e kanë të pamundur të bëhen të dobishëm kur politikanët që janë bashkëpronarë të prodhimit të krizës, kanë frikë të mos jenë njëkohësisht dhe plotësisht bashkëpronarë të përfitimeve të zgjidhjes së krizës. Ndaj ekspertët mbahen larg kontributeve të tyre për një zgjidhje optimale. Ekspertët nuk mund të bëhen pjesë e opsioneve alternative kur që në momentin e parë të negociatave palët përfaqësohen nga krerët e partive dhe kur qëndrimet kategorike janë publike dhe 5 minuta përpara takimit te Presidenti.
Mbeten edhe 3 seanca parlamentare deri në datën 4 mars, kur deputetët e PS-së duhet të hyjnë në Parlament. Vijoni t’i mbeteni qëndrimit për të hyrë në Kuvend si një detyrim kushtetues dhe a parashikoni një vendim të pjesës tjetër të partisë kundër këtij vendimi?
Që në fillim, publikisht kam theksuar që nuk kemi qenë në garë kush futet i pari në Parlament, por kemi kërkuar dhe këmbëngulim akoma edhe publikisht që PS-ja të “bojkotonte” bojkotin. Ne nuk kemi synuar që thjesht si individë të jemi “bojkotues” të bojkotit të PS-së. Ajo duhet të marrë pjesë në Parlament, të kërkonte/kërkojë transparencën e zgjedhjeve si detyrimin e saj më të madh politik për standardet e demokracisë, ku standardet e zgjedhjeve janë obligim prioritar edhe për aspirimin tonë europian. Sërish deklaroj që PS-ja duhet të ndalë radikalizimin e saj, duhet të ketë një strategji fituese bazuar në vlera dhe avantazhet e saj. Debati për afatin që një deputet si individ ose një grup parlamentar i çdo force politike të mos qëndrojë më shumë se 6 muaj pa aktivitet parlamentar kur është votuar si parti parlamentare, ka rëndësi të veçantë për raportin midis ligjores dhe partiakes. U bë një fushatë e tërë nga kreu i PS-së me tezën “Përtej të majtës dhe së djathtës”, ndërsa tani për ditë e më shumë po flitet për popullin socialist. Politika bipartizane, konfliktet e përditshme midis partive kryesore politike, radikalizimi reciprok i forcave kryesore politike, gjendet sot në rrënjët e dështimeve dhe krizave të rënda ekonomike dhe sociale në jo pak vende shumë më demokratike dhe me institucione mjaft më të konsoliduara se Shqipëria. Në mëngjesin e lutjeve në Amerikë, ku kishte edhe disa kolegë parlamentarë shqiptarë, Presidenti Obama fjalën e tij e përqendroi te civilizimi dhe politika, duke u ndalur tek opozita bllokuese. Ndërsa lidhur me pyetjen tuaj, zgjidhja e krizës duhet të arrihet përpara datës 4 mars, jo thjesht se kjo ruan unitetin qoftë edhe formal të grupit parlamentar të PS-së, por sepse krijimi i këtij precedenti do të jetë një kosto e rëndë për çdo qeveri. Ndoshta këtu vlen të theksohet se çdo qeverisje e çdo vendi pas një krize është më e vështirë. Ajo kërkon më shumë konsensus publik dhe politik, për të cilin punohet që përpara zgjidhjeve apo zgjedhjeve. Në rast të kundërt, një zgjidhje apo zgjedhje për shkak të radikalizimit të politikës, do të jetë një zgjidhje apo zgjedhje e lindur e dëmtuar. Jetëgjatësia e saj apo suksesi i saj do të kushtëzohet rëndë nga dëmtimet e paralindjes.
Zoti Malaj, si e shihni qëndrimin e disa aleatëve të PS-së, të cilët kërkojnë me ngulm vijimin e protestave?
Nuk është se ata janë të fokusuar thjesht te protestat. Nga deklarimet e tyre publike ata janë të fokusuar te radikalizimi i politikës shqiptare dhe te negociatat me kushte të panegociueshme. Sigurisht, ndryshimi i qëndrimeve edhe publike të shumë prej tyre, nga momenti kur u ndjenë humbës te momenti kur shohin një rreze drite më shumë dhe për keq. Ata janë bërë justifikimi dhe ushqimi publik i radikalizimit të PS-së. Kjo është shumë shqetësuese, PS-ja që për tre vota mund të ishte mazhoranca qeverisëse e vendit, po shkon sot drejt një partie jashtë institucioneve. Në PS nuk mblidhen forumet për të diskutuar për negociatat dhe për afatin e marsit, por organizohen tavolina hotelesh ku shprehet solidariteti revolucionar.
Si i shikoni zhvillimet e mëtejshme politike edhe në kuadër të situatës ekonomike që po kalon vendi?
Mazhoranca nuk duhet ta nënvleftësojë përkeqësimin e situatës ekonomike dhe sociale në vend, edhe për shkak të kësaj krize politike. çdo tendencë për të fshehur rritjen e papunësisë, borxhit familjar dhe publik, rritjen e varfërisë nesër është një kosto e rëndë për shqiptarët. Dështimi i qeverisë është një risk në rritje, kriza aktuale e përshpejton dhe e rrit këtë dështim.
PS-ja duhet të synojë një zgjidhje që ndoshta nuk është më e mira afatshkurtër, por do të jetë më e mira për të nesërmen qeverisëse të vendit tonë që nuk ka nevojë të parcelizohet sipas bindjeve apo preferencave partiake.