Berisha: Rama, i pazoti në Bashki
ADI SHKEMBI
Kryeministri Sali Berisha shfrytëzon inaugurimin e një rruge në zonën e Patokut për të sulmuar kreun e opozitës, Edi Rama, këtë herë për pozicionin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Kreu i ekzekutivit tha se gjatë mandatit të parë dhe një viti në mandatin e dytë Qeveria ka investuar në Komunën e Fushë-Kuqes për ndërtimin e 26 km rrugë, ndërkohë që Bashkia e Tiranës megjithëse ka taksat më të larta, ka asfaltuar vetëm 12 km. “Ne po shndërrojmë në realitet një premtim solemn për të kthyer kombin me sy nga deti, sepse në këtë komunë kemi ndërtuar 26 km rrugë apo 2.2 herë më shumë se çka ndërtuar kryetari i Bashkisë së Tiranës në kryeqytetin e vendit dhe kjo, sepse kryetari juaj e ka mendjen te ju, mendon se si të lehtësojë jetën tuaj, cilat projekte t’i paraqesë Qeverisë për t’i shndërruar në realitet. Kurse shoku Rama mendjen e ka te një kupolë e ngushtë, ndonëse ka katërfishuar taksat qytetarëve të Tiranës, ia ka dalë të asfaltojë gjithsej 12 km rrugë”, u shpreh Kryeministri. Kreu i maxhorancës ka ironizuar edhe përdorimin e vargjeve të Fan Nolit Rama. “Dua t’i them zotit Rama hiq gjyslykët e Spiro Kolekës, sepse edhe Fan Nolin kur e lexon, e lexon me gjyslykët e dajës tënd. Mos u merr me të, por shih të ardhmen, sepse edhe ty kjo Qeveri gjer tani të ka përcaktuar të paktën 160 milionë euro, por t’i zihesh me veten tënde dhe s’je i zoti të përdorësh ato”, vijoi më tej Berisha. Në fjalimin para banorëve të zonës, kreu i Qeverisë ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës se vendi ndodhet në krizë. Sipas tij, nëse kjo do të ishte e vërtetë, nuk do të ishte e mundur ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës si edhe të disa segmenteve të tjera. Berisha tha se kreu i opozitës kërkon të përcjellë te qytetarët humbjen që ai pësoi në zgjedhjet e 28 qershorit. “Le ta pyesim pak bashkë, zoti Rama Korridori i Kombit, që u inaugurua në vitin 2009, në mesin e krizës botërore, u ndërtua nga kriza apo nga paratë e shqiptarëve në një ekonomi, e cila është më solide në rajon? Zoti Rama, në krizë po ndërtohen këto qindra e mijëra kilometra në mbarë Shqipërinë? Apo me të ardhurat e një ekonomie solide dhe entuziaste, që zhvillohet çdo ditë e më shumë?”, u shpreh Kryeministri Berisha. “Ju dëgjoni çdo ditë kreun e opozitës që nga mëngjesi deri në darkë flet vetëm për krizë aq sa gazetat e quajnë mister kriza. Mos mendo ti se duke folur poshtë e përpjetë, duke ngritur çadra këtu apo aty do mund të ndalësh rrotën e historisë, zhvillimin e vendit. Jo dhe jo. Zoti Rama njësoj si ata që synuan të fusin shqiptarët në bunkerë, kërkon t’i mbushësh ata në kuti vetëm e vetëm se dhimbjen nga humbja e zgjedhjeve kërkon ta shndërrosh në dhimbje për mbarë shqiptarët”, përfundoi fjalën e tij Kryeministri.