E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Presidenti të ofrojë ose imponojë një zgjidhje

Deputeti grevist, Arben Malaj: Hetimi i materialeve zgjedhore mund të jetë pikënisja e një kompromisi

Arben Malaj, njëri prej deputetëve grevistë të Partisë Socialiste, thotë se hetimi i materialeve zgjedhore mund të jetë pikënisja e një kompromisi më të gjerë për një paketë reformash. Në intervistën e tij për “Shqip”, Malaj analizon protestat, grevën dhe zgjidhjen e krizës.

Zoti Malaj, si po ecën greva e urisë dhe si paraqitet gjendja juaj shëndetësore?

Gjendja e kolegëve duket e qëndrueshme, por jo pa shqetësime dhe jo pa risqe potenciale, ky është edhe shqetësimi i ekipit mjekësor që na shërben.

Ju ishit pozicionuar në atë çka u cilësua Lëvizje për Mendimin Ndryshe në PS. Pak kush priste që ju të ishit pjesë e grevës. Si erdhi ky vendim?

Pavarësisht nga debatet për problemet dhe sfidat që ka PS, kam marrë pjesë në të gjitha zhvillimet brenda PS-së, mbledhjet e Kryesisë, mbledhjet e grupit parlamentar, protestat e organizuara në Qarkun e Vlorës dhe në Tiranë. Nuk kam ndryshuar mendim që PS duhet të bazohet tek avantazhet e saj. Pjesëmarrja në grevë u imponua nga fakti që zgjatja e ngërçit politik po dëmton gjithnjë e më rëndë si perspektivën europiane të vendit, ashtu edhe jetën e përditshme të shqiptarëve. Disa hapa konkretë të PS-së, si pjesëmarrja e kushtëzuar në Parlament, votimi unik i rezolutës për vizat, nuk morën asnjë reagim pozitiv nga mazhoranca.

A ka një përçarje në qëndrimin e pesë deputetëve që përbënin LMN-në? Kam parasysh zotin Blushi, Islami, Bello dhe Harasani...

E vlerësoj shumë kontributin e kolegëve që ju përmendni dhe jam i bindur që angazhimi ynë i përbashkët ka influencuar pozitivisht në zhvillimet politike në vend. Vlerësoj me mirënjohje kolegët e mi: Saimirën, Mimozën, Edlirën, Evën, Mondën, Musain, Elmazin, Artanin, Flamurin, Bashkimin, dhe shumë kolegë të tjerë në Tiranë dhe rrethe, për angazhimin e tyre për sfidat e PS-së. Modernizimi i PS-së do të jetë një proces i vazhdueshëm. Arritja e një fitoreje politike për transparencën e votës duhet menaxhuar me shumë përgjegjësi, jo vetëm lidhur me zhvillimet brenda PS-së, por edhe në raport me partitë e tjera politike në vend. Ajo nuk duhet konsideruar si fitore partiake, por si kontribut për demokracinë e vendit. Fitorja nuk do të shërbejë për ta mbajtur të tensionuar situatën politike, por për ta kthyer atë në normalitet.

A keni një vlerësim rreth reagimit të deritanishëm të mazhorancës përballë kërkesave të opozitës dhe grevistëve?

Më shumë se sa keqardhje. Si mundet një mazhorancë të mos ofrojë ndonjë opsion në arritjen e një konsensusi për të ndalur ngërçin politik që dëmton integrimin e vendit dhe rrënon ekonominë e tij? Kur PD dhe PS bashkëpunuan, vendi arriti anëtarësimin në NATO më shpejt edhe se vendet e tjera të rajonit, që dukeshin se ishin hapa përpara. Bashkëpunimi ishte në faktin që PS bëri 80% të reformave konkrete dhe PD në rotacionin politik e trajtoi me prioritet anëtarësimin në NATO. Ky konsensus i dha vendit një arritje historike. E kundërta po ndodh tani, pas dhjetë muajsh situatë të mbingarkuar, pa konsensus për sfidat e integrimit europian. Pasoja, po mbetemi të fundit në lëvizjen e lirë dhe rrezikohemi të vonohemi në përfitimin e statusit kandidat. Kjo mazhorancë po e polarizon shoqërinë shqiptare, ky është dështimi më i madh i saj, që rrezikon të ketë pasoja afatgjata për vendin. Polarizimi politik duket se po rritet, keqpërdorimi partiak i elitave është i trishtueshëm. Përveç një ambienti politik të acaruar, PD po dëmton me keqpërdorimin e saj edhe komunitetin e artistëve, intelektualëve dhe shoqërisë civile, të cilët duhet të ishin amortizues të agresivitetit politik dhe kontribuues të rigjetjes së balancave politike dhe marrëveshjeve kombëtare për sfida historike të vendit.

Po për sa u takon deklaratave të artistëve dhe intelektualëve?

I vlerësoj, sepse realisht me kontributet e tyre në art dhe shkencë shumë prej tyre kanë merita edhe personale të jashtëzakonshme. Ajo që më krijon trishtim është mungesa jo thjesht e personaliteteve inspirues, nxitës dhe pjesëmarrës në sfidat e vendit të tyre. Rreth raporteve mazhorancë–opozitë, George Bernard Shaw shkruante: “Minorancat mund të kenë ndonjëherë të drejtë, mazhorancat asnjëherë”. Kështu e ka konceptuar demokracinë ky personalitet botëror. Me plot shembuj të tillë me personalitete inspirues të vlerave më të mira njerëzore është e mbushur edhe historia e Europës së Bashkuar. Përgjithësisht, artistët janë inspiruesit dhe mbrojtësit e vlerave më të mira njerëzore, të demokracisë, të lirisë, të solidaritet, ndërsa politikanët përgjithësisht i kanë përkeqësuar këto vlera fisnike nën ethet e pushtetit absolut dhe korrupsionit.

Duke ndjekur këto ditë krizën e Greqisë, vërej se ka shumë analiza të ekspertëve të ekonomisë, por ka analiza edhe nga personalitetet publike të Greqisë. Para pak ditësh ata pyesnin publikisht: Mos vallë politikanët tanë e keqpërdorën perspektivën europiane, e keqpërdorën bujarinë dhe solidaritetin europian për të na shkëputur nga diktaturat dhe varfëria, për të fshehur dështimet e tyre? Ata pyesin se ndoshta integrimi europian, fondet e mëdha mbështetëse, ushqyen politikat populiste dhe korruptive të qeverive të tyre? Nëse artistët dhe intelektualët e vendit tonë do ta shikonin sado pak me dashamirësi grevën, qoftë edhe në aspektin njerëzor, do të kuptonin se transparenca e votës, besueshmëria publike te zgjedhjet dhe institucionet kushtetuese, reduktimi i krizave politike pas zgjedhjeve, i bëjnë më reale vlerat europiane për të gjithë shqiptarët. Kam parë shumë eksperienca të letrave të hapura publike në vende të ndryshme, përgjithësisht ato kanë të përbashkët përgjegjësinë ndaj vendit dhe jo shërbimin ndaj mazhorancave të caktuara politike. Një angazhim i tillë u ka shndërruar influencën publike të këtyre personaliteteve në një të mirë publike për vendin e tyre. Të gjithë dëshirojmë përfitimin sa më parë të lëvizjes së lirë të të gjithë shqiptarëve dhe përfitimin sa më parë të statusit të vendit kandidat. Nuk e konsideroj integrimin europian si shkopin magjik të zhdukjes së halleve dhe arritjes së sfidave historike të vështira të vendit. Midis dy opsioneve që diskutohen shpesh në diplomacinë europiane, (1)anëtarësimi i vendeve duke kontrolluar një nga një plotësimin e kushteve (skenar i cili mund të zgjasë kohën e pritjes, mund të ulë mbështetjen për reformat, mund të përkeqësojë situatën politike dhe ekonomike), apo (2) toleranca për t’i pranuar dhe aty të bashkëpunohet për të përmirësuar standardet e demokracisë dhe ekonomisë së tyre, kam preferuar opsionin e dytë. Por edhe në këtë rast tolerance të Brukselit, ne nuk duhet të harrojmë se për çfarë nuk bëjmë mirë për reformat në vendin tonë, kostot e mungesës së vullnetit për reformat, kostot e populizmit dhe korrupsionit do t’i paguajmë prapë po ne, ndoshta edhe më shtrenjtë. Ky është leksioni i krizës greke.

Si i shikoni kontaktet midis ndërkombëtarëve dhe Presidentit të Republikës. A besoni se mund të arrihet në një formulë zgjidhjeje?

Presidenti i Republikës është e vërtetë që ka hapësira të limituara kushtetuese për të zgjidhur krizën, por ai mund të përdorë me efikasitet profilin e tij publik dhe influencën publike për të ofruar apo imponuar gjetjen e një zgjidhjeje. Ndërkombëtarët meritojnë mirënjohjen tonë, pasi mbështetja e tyre për integrimin euro-atlantik të Shqipërisë ka qenë konkrete dhe efektive. Suksesi i arritur për anëtarësimin në NATO mund të ishte shoqëruar edhe me përfitimin e lëvizjes së lirë dhe statusin e vendit kandidat. E vlerësoj kontributin dhe e konsideroj efektiv angazhimin e tyre të drejtpërdrejtë ose indirekt që vendi t‘i kthehet normalitetit politik.

Cila mendoni se është pika që do t’u bënte ta linit grevën e urisë për t’ju rikthyer aktivitetit normal parlamentar, zoti Malaj?

Vetëm nëse faktori ndërkombëtar do t’i kërkonte drejtpërdrejt PS-së ndaljen e grevës së urisë për t’i dhënë vendit liberalizimin e vizave apo statusin e vendit kandidat. Por edhe nga takimet e drejtpërdrejta në Bruksel, ata respektojnë kërkesën për transparencën e votës, që është në themel të demokracisë dhe sugjerojnë të gjendet një rrugë kushtetuese për ta arritur atë. Ky këndvështrim është shumë domethënës. Ne nuk duhet të gjejmë një kompromis si ta mbyllim këtë grevë, por realisht shqiptarët të kenë standardet e demokracisë.

është përfolur ditët e fundit ideja e hapjes së kutive të materialeve zgjedhore si një opsion kompromisi. A e shikoni edhe ju si të tillë, apo keni rezervat tuaja?

Mund të ketë shumë opsione, që mund të respektojnë kërkesën e opozitës për rritjen e transparencës së votës, që në themel do të thotë kredibilitet i zgjedhjeve dhe i institucioneve të vendit. Dalja nga ky ngërç politik është bërë imperative. Ndoshta edhe hetimi i materialeve zgjedhore mund të jetë një pikënisje e një kompromisi, i cili patjetër duhet të jetë i shoqëruar me një paketë të rëndësishme reformash për Kodin Zgjedhor, për sistemin e drejtësisë, për reformat që e forcojnë shtetin ligjor. Gjetja e një zgjidhjeje për të kthyer normalitetin politik në vend dhe për të rritur besueshmërinë te zgjedhjet dhe institucionet e dala prej tyre është bërë imediate, për të mos penguar asnjë ditë proceset integruese të vendit. Greva e urisë synon jo radikalizimin e një krize politike, por ofrimin e një zgjidhjeje për ngërçin politik dhe standardet e demokracisë shqiptare.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›