E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Duro: Pse e shkarkuam kryeinspektorin

Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta prezantoi dje inspektorin e përgjithshëm të Inspektoratit Shtetëror të Punës, Thoma Melo. Sipas ministrit Duro, Melo zëvendëson në këtë detyrë ish-inspektorin e përgjithshëm Thoma Miço, i cili u shkarkua nga Kryeministri pas propozimit të tij.

Duro ka sqaruar se "propozimin për shkarkimin e drejtuesit më të lartë të Inspektoratit e kishte mbështetur në shkeljet e përsëritura të Miços në drejtimin e ISHP-së". Ai ka renditur edhe ankesat e përfaqësuesve të biznesit për kontrolle tendencioze, selektive dhe të dubluara, të urdhëruara nga Inspektori i Përgjithshëm, të cilat, sipas tij, pas verifikimeve, rezultuan të vërteta. Po ashtu, ministri i Punës theksoi se ish-inspektori i përgjithshëm Miço prej disa kohësh ishte bërë pengesë në funksionimin e Komisionit Qendror të Apelimit të Gjobave, me kërkesën e paligjshme që të ishte vetë drejtues i këtij Komisioni, detyrë që ishte në konflikt interesi me atë të Inspektorit të Përgjithshëm.

Nga ana tjetër, Thoma Miço theksoi se "Duro, në shkelje të hapur të ligjit, hartoi një akuzë me shpifje nga më banalet që nuk kanë asnjë lidhje me të vërtetën". Për shkarkimin e tij nga detyra Miço tha se nuk është zhvilluar asnjë procedurë ligjore që parashikon ligji, pasi nuk është njoftuar nga ministri për masën e marrë, që në përputhje me ligjin të dëgjohej dhe të mbrohej për akuzat e ngritura. Në fund, ai i kujton Kryeministrit Berisha që "nëse shteti ligjor që duam të ndërtojmë pranon ende praktika të tilla në shkelje totale të ligjeve, atëherë demokracia është në rrezik". Sipas Miços, marrëzitë dhe lufta partiake, nuk duhet të ndotin sistemin e qeverisjes, duke e shfrytëzuar atë për larje primitive hesapesh. Ai shtoi se "kur kryeinspektori i Punës hiqet në këtë mënyrë, çfarë duhet t‘iu themi qindra mijëra punonjësve që çdo ditë iu shkelen të drejtat në punë. A mund t‘i drejtohen ata këtij institucioni për shkelje të të drejtave të tyre kur vetë të drejtat e mbrojtësit të tyre shkelen në këtë formë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›