E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjelbërimi, mbillen 70 rrape dekorativ në rrugën "Ndre Mjeda"

Fillon mbjellja e pemëve dekorative edhe në rrugën "Ndre Mjeda" në kryeqytet. Ndërmarrja Nr. 1 e Punëtorëve të Qytetit të Bashkisë së Tiranës po punon për mbjelljen e 70 pemëve të llojit rrap dekorativ. "Mbjellja e pemëve mbetet gjithmonë një lajm i mirë për një Tiranë që ka nevojë të rrisë dita-ditës përmasën e gjelbër në një kryeqytet, ku pemët përfaqësojnë jo vetëm dëshirën për të jetuar në një mjedis më të mirë, por njëkohësisht, edhe kurajën për të parë një të ardhme të gjelbër për kryeqytetin dhe për komunitetin kryeqytetas dhe po ashtu kuptimin më të madh të një akti, i cili ka të bëjë me ardhmërinë në tërësi të shoqërisë sonë, që duhet të bashkëjetojë gjithnjë e më shumë me përmasën e gjelbër", u shpreh kryebashkiaku Edi Rama dje gjatë këtij aksioni për mbjelljen e pemëve të reja. Sipas tij, ky gjelbërim i përshtatet nevojave të përditshme të më të moshuarve, më të rinjve, të fëmijëve, të familjarëve. "U jam mirënjohës, theksoi Rama, që ky lajm i përsëritur dhe i përcjellë përmes jush, shkon tek të gjithë kryeqytetasit, tek të gjithë shqiptaret dhe shqiptarët, në një kohë kur nevoja për të pasur një bashkëjetesë gjithnjë e më harmonike me mjedisin, për të pasur një kryeqytet, një atdhe të pastër dhe të balancuar, po ashtu një mjedis të qëndrueshëm, është më e madhe se kurrë".

Nga ana tjetër, ka ftuar që të bashkëpunojnë për këtë nismë, të tjera banka dhe një sërë sipërmarrjesh. "E përsëris thirrjen time për të gjithë sipërmarrësit, që të kontribuojnë për të mbjellë pemë në kryeqytetin tonë të përbashkët, në vendin që do t‘u lëmë fëmijëve tanë, sepse sa më shumë pemë të mbjellim sot, aq më e garantuar është e ardhmja e qytetit tonë dhe e fëmijëve tanë dhe aq më e qartë është perspektiva e vendit tonë", nënvizoi Edi Rama.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›