Malaj: Qeveria nuk po bën asgjë për krizën ekonomike

Është e qartë se qeveria Berisha, e angazhuar kryesisht në mitingje dhe spote elektorale më shumë se sa në sfidat ekonomike të vendit, duke keqpërdorur për qëllime elektorale administratën publike dhe taksat e shqiptarëve, nuk po bën asgjë për krizën ekonomike. Kështu është shprehur deputeti i PS-së Arben Malaj në një konferencë për shtyp. Ai theksoi "se rënia e eksporteve, rënia e importeve, rënia e dërgesave të emigrantëve, rritja e vështirësive të marrjes kredi, rënia e të ardhurave të buxhetit, niveli i ulët i investimeve publike, rritja e abuzimeve me çmimet e referencës, rritja e abuzivitetit me faturimin e energjisë, mashtrimet mediatike për projekte të suksesshme, janë vështirësitë që ka ekonomia e vendit tonë dhe që po sjellin rritjen e papunësisë dhe të varfërisë". Sipas tij qeveria duhet të kontaktojë dhe të diskutojë drejpërdrejtë me eksportuesit, ndërtuesit, me institucionet bankare dhe financiare për mundësitë konkrete të lehtësimit të vështirësive që ka ekonomia shqiptare.