E Diel, 1 Nëntor 2026

PDK-Gurakuqi: “Kodi garanton standarde dhe votën e qytetarëve”

Autori i Lajmit: red.
Partia Demokristiane dhe kryetari i saj, Anton Gurakuqi, kanë përshëndetuar miratimin e Kodit të ri Zgjedhor në seancën parlamentare të ditës së martë. Nëpërmjet një deklarate publike demokristianët nënvizojnë se “PDK beson se Kodi i ri Zgjedhor garanton standarde dhe garanci të votës së qytetarëve shqiptarë, kjo edhe falë modaliteteve dhe asistencës së ofruar nga OSBE-ODHIR. Votimi i këtij projekti nga një shumicë dërrmuese deputetësh është një hap para për parlamentarizmin, kur një deputet voton dhe miraton sipas vlerave të dokumentit që ka përballë, dhe jo sepse ata janë të imponuar. Me Kodin e ri Zgjedhor ne shpresojmë se politika shqiptare do t i japë fund kontestimit të zgjedhjeve në vend, ashtu sikurse ka ndodhur në vite. Pas miratimit të Kodit, mendojmë se është momenti për t u përgatitur për zgjedhjet e 2009-ës, konform rregullave të miratuara dje në Kuvend. Po kështu, si pjesë e kësaj mazhorance dhe aleate e partive të djathta, beson se tashmë, pas miratimit të kodit, është momenti i kordinimit të punëve dhe bashkëpunimit të mëtejshëm për të maksimalizuar fitoren e së djathtës në 2009-ën. PDK beson se ky variant i miratuar i Kodit të ri Zgjedhor ishte më demokratiku, më transparenti dhe i zhveshur nga çdo insinuatë politike, çka na jep mundësinë e integrimin të plotë të vendit, me realizimin e zgjedhjeve të ndershme, të lira dhe të pakontestuara nga asnjë palë”, thuhet në deklaratën për shtyp të PDK-së.
Ky lajm është publikuar: 20/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›