E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Sdo e këmbej mandatin me poste. Nano: Votoni Malajn, jo Kokëdhimën

arben-malaj

Deputeti Arben Malaj, ashtu siç kishte paralajmëruar, doli në një konferencë për shtyp së bashku me ish- kryetarin e PS, Fatos Nano, duke deklaruar kandidimin si i pavarur.

Dëshiroj të falënderoj të gjithë socialistët që në karrierën time nga viti 1992 më kanë inspiruar dhe më kanë mbështetur. Unë jam dhe mbetem një socialist me zemër të madhe, që i kam shërbyer me dashuri e përkushtim vendit tim, tha Malaj.

Ai shtoi se vendimi për të kandiduar si i pavarur ka qenë i vështirë.

Por Malaj tha se mandati që do të fitojë si i pavarur do jetë në shërbim të socialistëve.

Ai pranoi se ka pasur oferta nga parti të tjera, me të cilat mund të merrte kollaj një mandat.

Po paguaj një çmim për atë qëndrim që kam mbajtur publikisht. Nuk i kam votuar ndryshimet kushtetuese, kam kërkuar që të ndërpritej bojkoti i parlamentit, kam protestuar për zvarritjen për gjashtë vite të mosorganizimit të FRESSH dhe Forumit të Gruas, tha Malaj duke shtuar: Jam i bindur se PS mund ti fitojë zgjedhjet duke u bazuar tek kapitali i saj.

Malaj tha se pretendon që të marrë mandatin e tetë të PS në këtë qark.

Socialistët në qarkun e Vlorës kanë marrë shtatë mandate. Ne duhet të bëjmë maksimumin për të marrë mandatin e tetë sepse ai mandat u takon socialistëve dhe progresistëve të Vlorës, tha Malaj.

Ish- ministri i Financave beson se modeli i qeverisjes së Ramës në PS mund të thellojë krizën që ka hapur Berisha.

Ashtu siç kishte porositur edhe në Facebook që në mëngjes, Malaj tha se duhet bërë një fushatë pozitive, pa sulme, sharje e fyerje.

Në fund Malaj premtoi se nuk do e përdorë mandatin nëse e fiton atë, për të marrë ndonjë post.

Mandati im nuk do shkëmbehet kurrë me një karrige qeveritare. Ai do jetë një mandat që do të shërbejë për qarkun e Vlorës dhe njerëzit e mrekullueshëm të Vlorës, tha Malaj.

Kurse ish- kryetari i PS, Fatos Nano, tha se ai do e mbështesë kandidatin e pavarur, Malaj.

Besoj se është i qartë motivi që më sjell në krah të Arben Malajt. Është një angazhim parimor. Nuk ka asgjë të errët në marrëdhëniet e mia me përfaqësues të zgjedhur në disa mandate në drejtimin e PS-së apo në qeveritë e saj si Malaj apo Islami, tha Nano duke shtuar se Malaj e ka lindur dhe krijuar PS-në si politikan.

Nano shpalli një fushatë tjetër në qarkun e Vlorës, atë se kush do fitojë më shumë vota, Malaj, apo kandidatët e PS-së.

Ne do të bëjmë të pamundurën që kjo fushatë të maksimizojë votat socialiste në elektoratin shqiptar dhe këtu mbaron angazhimi ynë.

Unë jam këtu për të mbështetur dhe e përsëris publikisht se jam këtu për ti bërë thirrje socialistëve të Vlorës dhe mbarë Shqipërisë që të votojnë socialistët e denjë. Në rast se fenomeni Malaj, që është një nga më përfaqësuesit e vlerave, do marrë më shumë vota se PS në Vlorë, do jetë shumë domethënëse për të rivendosur integritetin dhe besimin tek njerëzit që shërbejnë me devocion dhe sakrifikojnë interesat private, tha Nano, duke theksuar se: Rama do jetë përgjegjës nëse votat shkojnë tek Malaj dhe jo tek Kokëdhima.

Pas fjalës së Nanos, Malaj deklaroi se Edi Rama e ka marrë vendimin për përjashtimin e tij nga listat e kandidatëve dy vite më parë./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›