E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlerësimi i Euros dhe spekulimet mbi Lekun

Sybi Hida 

Të gjithë këto ditë kemi dëgjuar që leku është zhvlerësuar. E vërteta duket ndryshe. Që të thuhet që një monedhë është zhvlerësuar, duhet që ta ketë këtë raport zhvlerësimi me të gjitha/shumicën e monedhave të tjera. Aktualisht, edhe pse duhen më shumë lekë për të blerë një Euro (por jo monedha të tjera), leku vazhdon të jetë i qëndrueshëm. Ndërsa fenomeni i rritjes së çmimit të euros është rrjedhojë e forcimit të monedhës së Bashkimit Evropian, Euro, dhe jo vetëm karshi lekut.
Gjatë javës së kaluar, ka pasur disa spekulime në lidhje me Lekun. Pretendohet se Leku ka humbur terren si pasojë e zhvillimit ekonomik e politik të vendit, rënies së të ardhurave nga emigrantët, rënies së eksporteve etj. Dhe, një euro arriti deri në 140 lekë ditën e enjte, datë 24 shtator. Rritja e çmimit të monedhës, përveç faktorëve që paraqiten më poshtë, ishte rrjedhojë e drejtpërdrejtë e akuzave mediatike, e frikës së krijuar nga analistë, gazetarë e politikanë të shumtë, e thënë në fjalorin ekonomik: rrjedhojë e faktorit psikologjik. Pavarësisht këtij fakti, analiza duhet të shkojë më thellë dhe të sqarojë këtë situatë krejt të pakëndshme dhe të rrezikshme për ekonominë tonë. Analiza nuk duhet të bazohet vetëm në pjesën që prekim, por edhe atë që nuk prekim. Euro nuk tregtohet vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën dhe efekti i luhatjeve në tregun tonë të brendshëm, në ofertën dhe kërkesën për euron në tregun ndërkombëtar, atje ku përcaktohet çmimi, janë të papërfillshëm.
Pra, çfarë ka ndodhur me Euron? Edhe një herë, duhet analizuar Euro dhe jo Leku.
Euro është një monedhë që shkëmbehet në gjithë botën dhe gjatë tri javëve të para të shtatorit, ajo u forcua në tregun ndërkombëtar. Më 1 shtator 2009, një Euro kushtonte 1.4213 $US dhe në 24 shtator 1.4654 $US, pra një vlerësim i Euros me 3.1 për qind; kurse me dollarin kanadez (me ekonominë që nuk u prek nga kriza financiare) më 1 Shtator, një euro kushtonte 1.5704 dollarë dhe në 24 shtator ajo këmbehej me 1.5977 dollarë, pra një vlerësim prej 1.7 për qind. Vlerësim të euros ka pasur edhe me monedhën Japoneze me 1.2 për qind; me monedhën Britanike me 3.7 për qind; dhe me monedhën Kineze me 3.1 për qind. Ndërsa për të njëjtën periudhë, euro u vlerësua me 4.2 për qind me Lekun, përfshi këtu edhe efektet spekulative: një euro më 1 shtator blihej me 132.31 lekë dhe në 24 shtator me 137.83 lekë. Megjithatë, ditët e fundit ka pasur një stopim të vlerësimit të euros: më 1 Tetor, 1 euro këmbehej me 1.45 $US; dhe në vendin tonë me 135 lekë—pra një vlerësim karshi lekut vetëm me 1.7 për qind krahasuar me 1 shtatorin.
Luhatjet e kursit të këmbimit në kohë krizash janë normale dhe shpeshherë nuk reflektojnë bazat e zhvillimit ekonomik. Megjithatë, faktorët që kanë çuar në forcimin e euros mund t’u dedikohen, si pasojave të krizës financiare, ashtu edhe ecurisë së ekonomisë së zonës euro. “Çdo gjë të bën të besosh se pranueshmëria e euros mund të rritet”, deklaroi presidenti i Bankës Botërore më datë 28 shtator. Pra, euro tashmë është bërë një monedhë që ka fituar terren në tregun ndërkombëtar: pjesa e euros në totalin e rezervave valutore ndërkombëtare është rritur nga 18 për qind në vitin 2000, në 27 për qind në vitin 2008 dhe mendohet të arrijë në 30-40 për qind në fund të 2010. Faktor tjetër i rritjes së kërkesës për euro është edhe rënia e vlerës së dollarit amerikan, duke ndikuar kështu në rritjen e çmimit të euros. Ndërsa, lajmi që zona euro do të dalë më shpejt nga kriza ekonomike sesa Amerika, renditet si një faktor tjetër i rritjes së besimit mbi euron. Megjithatë, pas deklarimit të presidentit të Bankës Qendrore Evropiane, zotit Trichet, më 1 tetor, që luhatjet e çrregullta në kursin e këmbimit kanë ndikime negative për ekonominë, euro u kuotua në çmimin më të ulët të dy javëve të fundit.
Së fundmi, forcimi i euros, monedhës së Bashkimit Evropian, në tregun ndërkombëtar e vendos lekun në një pozicion pranues sesa në një pozicion mbrojtës. Ekonomia jonë nuk ka ato mundësi që t’i kundërvihet zhvillimeve në tregun ndërkombëtar, prandaj Leku ka pasur pothuajse të njëjtin fat si shumica e monedhave jo-Euro. Krahasuar me monedhat e vendeve të rajonit, Leku shfaqet monedha më e qëndrueshme, madje ai shumë shpejt mposhti edhe spekulimet e shfaqura një javë më parë.
* Autori është deputet i Partisë Demokratike

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›