E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trojka e BE: Vazhdoni me të njëjtin ritëm reformat

• Shqipëria ka marrë një tjetër mesazh pozitiv nga ana e Bashkimit Evropian për progresin e kryer.ADI SHKEMBIKëtë radhë ka qenë përfaqësuesi i lartë i BE-së, Havier Solana, i cili ka vlerësuar me nota tejet pozitive reformat e paraqitura nga Tirana zyrtare. Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin tonë të Jashtëm, Lulzim Basha, në përfundim të dialogut politik Shqipëri-Trojka e Bashkimit Evropian, Solana vlerësoi mënyrën me të cilat Shqipëria po zgjidh problemet që i dalin në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. "Për ne ka qenë inkurajuese mënyra se si Shqipëria po i trajton problemet me të cilat përballet vendi, procesin e reformave në shumë fusha nga ekonomia te drejtësia dhe lufta kundër krimit të organizuar etj. Unë dua të vlerësoj punën që na parashtroi ministri si dhe të theksoj se kjo është rruga nëpër të cilën duhet të vazhdojë Shqipëria", theksoi Solana para mediave. Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Jashtme, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian ka shprehur mbështetjen e plotë për të vazhduar reformat në të njëjtën rrugë dhe me të njëjtin ritëm. "Trojka e BE-së, konstatoi me kënaqësi progresin e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe në zbatimin e marrëveshjes së ndërmjetme, përshëndeti arritjet e qeverisë shqiptare në reformat e saj ekonomike, politike e ligjore dhe shprehu mbështetjen e plotë të BE-së për vazhdimin në të njëjtën rrugë dhe me të njëjtin ritëm në avancimin e mëtejshëm të Shqipërisë në trajektoren e saj të pakthyeshme evropiane", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Evropian dhe Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Havier Solana, ka vlerësuar në të njëjtën kohë ecurinë e arritjeve të Shqipërisë si shumë pozitive dhe shprehu bindjen e tij për përfundimin me sukses të procesit të ratifikimit të MSA nga të gjitha vendet anëtare. Në veçanti, u vlerësua roli konstruktiv në partneritet të plotë me BE-në që Shqipëria luan në bashkëpunimin rajonal. Nga ana tjetër ministri i Jashtëm Lulzim Basha, ka siguruar se e vetmja rrugë që do të ndjekë qeveria shqiptare është ajo e avancimit me reformat e nisura. "Unë dua t'u siguroj në emër të qeverisë për vendosmërinë tonë për të vazhduar më tej në rrugën e reformave. Për Shqipërinë nuk ka rrugë tjetër, të gjitha përpjekjet tona janë përqendruar drejt një objektivi të vetëm që është edhe objektivi kryesor i Shqipërisë, anëtarësimi në BE", theksoi Basha para mediave. Gjatë takimit me Solanën, Basha u përqendrua në rezultatet e arritura në fushat prioritare të çështjeve të brendshme, të drejtësisë dhe në reformën zgjedhore në vend. Ai i njohu përfaqësuesit e Trojkës evropiane me arritjet konkrete të qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, konsolidimin e reformave ekonomike dhe fiskale si dhe ecurinë e reformës në drejtësi dhe reformës elektorale.Basha: Gati të bashkëpunojmë me të gjithë rajoninNë këtë takim ministri Basha është shprehur se Shqipëria është e gatshme për bashkëpunim të hapur dhe të gjithanshëm me të gjitha vendet, duke vendosur në krye të këtij angazhimi bashkëpunimin rajonal dhe rolin konstruktiv të Shqipërisë si një faktor sigurie dhe stabiliteti. Mbështetja e gjithanshme për shtetin e ri të Kosovës dhe perspektiva evropiane e gjithë vendeve të rajonit, zunë gjithashtu një vend qendror gjatë dialogut Shqipëri-BE.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›