E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis në Durrës Festival Bar Albania

Aktiviteti Gjatë muajve të verës do të organizohen spektakle të ndryshme

Për herë të parë në Shqipëri do të organizohet Festival Bar Albania. Aktiviteti, i cili do të nisë më 18 qershor dhe që do të zgjasë muajt e verës, do të organizohet në Golem të Durrësit. Ai do të sjellë për pushuesit, por edhe për të gjithë ata që do të duan të argëtohen ndryshe, veprimtari të shumëllojta artistike. Balerinë, këngëtarë, instrumentistë, aktorë dhe moderatorë do të jenë pjesë e trupës profesioniste për Festival Bar Albania, që do të performojnë gjatë muajve të verës nën drejtimin muzikor të Gjergj Lekës e nën regjinë e Alfred Trebickës. Gjatë një konference për shtyp të mbajtur dje në Golem, Gjergj Leka, udhëheqësi artistik i këtij aktiviteti, thotë se Festival Bar Albania ka si qëllim të promovojë talentet nga të gjitha fushat: muzika, aktrimi, baleti, sporti, si dhe të argëtojë të pranishmit. “Ky aktivitet synon të jetë i përvitshëm”, shprehet ai. Regjisori Alfred Trebicka vuri theksin te sipërmarrja e një trupe të madhe artistesh të rinj, që prej muajsh janë aktivizuar për të sjellë një program maratonë, e njëherazi për të zhvilluar sa më shumë jetën kulturore në qytetin e Durrësit gjatë sezonit veror. Përmes këtij aktiviteti synohet që t’i shërbehet imazhit të turizmit shqiptar, promovimit të bukurive natyrore dhe siteve arkeologjike të vendit tonë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›