E Hënë, 2 Nëntor 2026

Enver Hoxha dërgon një prift “komunist” në Stamboll

25/02/2005  Si e shikonte Patriarkana e Stambollit këmbënguljen greke për kishat shqiptare?

Elementët grekë në Stamboll u përpoqën t`i frikësonin organizatorët e kishës shqiptare, duke i kërcënuar ata se do t`i zhduknin fizikisht. Cili ishte presioni që i bënë autoritetet turke shqiptarëve, që nuk frekuentonin kishën shqiptare?

“Marrëdhëniet shqiptaro-greke gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, përbëjnë një ndër problemet e rëndësishme të historiografisë sonë, ende të pastudiuara. Pikërisht, kjo ka qenë arsyeja kryesore që më ka nxitur për t’i hyrë studimit të tyre, me shpresën se ky kontribut mund t’i shërbente inteligjencës, studentëve dhe lexuesit të gjerë shqiptar”, tregon historiani Beqir Meta, në librin e tij. Botimi “Shqipëria dhe Greqia” (1949-1990), që i paraqitet lexuesit, është rezultat i punës kërkimore të Metës në bibliotekat e Shqipërisë, Greqisë, SHBA, Britanisë së Madhe, Turqisë e Bullgarisë dhe në arkivat shqiptare, amerikane e britanike. Ai është vazhdim i studimit të mëparshëm me titull: “Tensioni greko-shqiptar 1939-1949”, botuar në vitin 2002. Në qendër të këtij botimi është situata e krijuar midis Greqisë e Shqipërisë, gjatë periudhës më të gjatë të Luftës së Ftohtë, tendencat e zhvillimit të saj, përpjekjet, vështirësitë, dështimet dhe progresi që u bë për normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Janë pasqyruar faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që ndikuan në këtë proces si dhe rezultatet historike të tij.

Në këtë kohë kishte shpërthyer edhe një polemikë e ashpër midis qeverisë, shtypit, kishës dhe organizatave të emigracionit grek kundër peshkop Efthimit, i cili ishte shpallur peshkop i “Kishës Ortodokse Turke”. MPJ e Greqisë po i akuzonte autoritetet turke se, jo vetëm që kishin toleruar, por edhe kishin inkurajuar këtë veprim ilegal. Kisha ortodokse greke kishte protestuar në Kombet e Bashkuara, në Këshillin Botëror të Kishave dhe në kishat e tjera ndërkombëtare. Këto protesta ishin kundërshtuar nga kryeministri turk, Urguplu, i cili e akuzonte Patriarkanën e Stambollit dhe kishën greke se po përpiqeshin të ndërhynin në punët e brendshme të Turqisë. Debati që u zhvillua në shtyp, e detyroi Këshillin e KOASH të Stambollit të përgjigjej, duke i bërë të qartë opinionit publik turk dhe të huaj se, kombi shqiptar ishte një komb i vjetër i Ballkanit dhe se, KOASH, që i kishte hedhur rrënjët fillimisht në Amerikë, në vitin 1908 dhe më vonë ishte njohur nga Patriarkana e Stambollit, kishte plotësisht të drejtë të kishte degët e saj, ashtu si të gjitha kishat autoqefale ortodokse kudo në botë dhe asnjë fije më pak nga Athina, Sofja, Beogradi, Bukureshti etj. Këshilli, gjithashtu, denoncoi veprimtarinë e kishës greke dhe synimet e saj. Në deklaratën e tij thuhej: “Ne trembemi nga ato kisha, të cilat i shtyjnë shqiptarët të pranojnë nënshtetësinë e një shteti, që kërkon zyrtarisht aneksimin e gjysmës së atdheut tonë, sepse atje ka shqiptarë të fesë ortodokse. Trembemi, gjithashtu, kur shohim një dhespot si ai i Gallatës, i cili disa vjet më parë ftoi shqiptarët ortodoksë të krijonin në Stamboll një “silog” të ashtuquajtur “vorioepirot”, anëtarët e të cilit të shërbenin si jallanshahite për copëtimin e atdheut të tyre”.

Elementët grekë në Stamboll u përpoqën t`i frikësonin organizatorët e kishës shqiptare, duke i kërcënuar ata se do t`i zhduknin fizikisht. Ndërsa autoritetet turke shpallën se, ata shqiptarë, që nuk frekuentonin kishën shqiptare, por shkonin në kishat greke, do të dëboheshin nga Turqia.

Megjithëse kisha shqiptare në Stamboll u çel, vështirësitë për funksionimin normal të saj nuk ishin kapërcyer të gjitha. Nuk ishte marrë leja e Patriarkanës dhe nuk ishte gjendur prifti shqiptar. Në fund të vitit 1965, si rezultat i presionit grek, grupi nismëtar i kishës filloi të shfaqte shenja lëkundjeje, të cilat u bënë më të theksuara pas një gjyqi, që Patriarkana ngriti kundër tyre. Në dhjetor të këtij viti, ata e hoqën nga ndërtesa e kishës pllakatën me mbishkrimin KOASH. Ndërkohë, në vitet 1964-1965, në kuadrin e masave që mori qeveria turke kundër emigrantëve grekë në Turqi, u dëbuan edhe shumë shqiptarë me shtetësi greke. Kishte nga ata që kërkonin të merrnin përsëri shtetësinë shqiptare ose turke, por organet lokale turke nuk i pranuan kërkesat e tyre. Kjo lëvizje e pakësoi komunitetin shqiptar ortodoks në Turqi.

Një nga vështirësitë për funksionimin e kishës shqiptare, ishte edhe pakënaqësia e shqiptarëve ortodoksë ndaj mënyrës se si e kishte trajtuar qeveria turke kërkesën e tyre për çeljen e kishës. Ata nuk ishin të kënaqur me faktin që, ajo për disa vjet i kishte refuzuar kërkesat e tyre, ndërsa tani po përpiqej ta formonte Komitetin Ortodoks Shqiptar, për ta shfrytëzuar në fushatën kundër Patriarkanës dhe Greqisë, e cila po zhvillohej në kuadrin e konfliktit për çështjen e Qipros. Një pjesë e mirë e shqiptarëve ortodoksë, të cilët më parë kishin firmosur kërkesën për formimin e komunitetit ortodoks shqiptar, tani, me pretekse të ndryshme, filluan t`u shmangeshin mbledhjeve, në të cilat do të konkludohej për formimin e komunitetit ortodoks shqiptar. Shqiptarët hezitonin edhe për faktin se, Turqia nuk kishte ndjekur një politikë të qëndrueshme ndaj Greqisë. Ata trembeshin se, po të rregulloheshin përsëri marrëdhëniet turko-greke, do të mbeteshin në marrëdhënie jo të mira me të dyja palët.

Presioni i Patriarkanës filloi të bëhej gjithnjë e më i fortë dhe më i drejtpërdrejtë. Shqiptarët prekeshin në ndjenjat fetare ose gratë e tyre greke nxiteshin që t`i detyronin burrat dhe familjarët e tyre të hiqnin dorë nga përkrahja e kishës shqiptare. Patriarkana propagandonte mes shqiptarëve se, potenciali politik i qeverisë greke ishte shumë i madh në të gjithë shtetet e botës, presioni i të cilëve, në një të ardhme jo të largët, do ta detyronte qeverinë turke të ndryshonte rrugë, ashtu siç ishte bërë në Lozanë në vitin 1922 dhe, atëherë, ortodoksët shqiptarë do të mbeteshin përsëri të vetmuar. Patriarkana, duke parë se me krijimin e Komunitetit Ortodoks Shqiptar vihej në rrezik qëndrimi i saj në Stamboll, moblizioi të gjithë levat e saj dhe opinionin grek për të ushtruar presion mbi shqiptarët. Ajo u bëri thirrje atyre që, në këto momente kaq kritike, ta përkrahnin dhe të qëndronin afër saj. Fanari drejtoi dhe nxiti një fushatë të ashpër në shtyp. Për të mbrojtur padinë e saj kundër organizatorëve të kishës shqiptare, Patriarkana angazhoi katër avokatët grekë më të mirë të Stambollit. Ajo ia arriti qëllimit që ta neutralizonte dhe ta bënte pasive masën e ortodoksëve shqiptarë, të cilët tani trembeshin të merrnin në dorë një kishë, e cila ishte bërë “afaros” (ishte mallkuar) nga Patriarkana.

Në fillim të vitit 1966, interesi i autoriteteve turke për funksionimin normal të KOASH, ishte i lartë. Me nxitjen e tyre, ortodoksët shqiptarë të Stambollit filluan të riaktivizohen dhe të shtonin përpjekjet për gjetjen e priftit shqiptar. Ata arritën një marrëveshje me “Vatrën” për të sjellë një prift nga Amerika. Marrëveshja, gjithashtu, parashikonte që “Vatra” t`i jepte KOASH të Stambollit edhe një ndihmë prej 20.000 dollarësh. Por këtë inciativë e pengoi me vendosmëri qeveria shqiptare, e cila po këmbëngulte në mënyrë të prerë që, prifti të vinte nga Shqipëria dhe të ishte plotësisht nën kontrollin e saj. Komiteti organizator i kishës ftoi nga Amerika priftin Noni. Ai erdhi në Stamboll në vitin 1967, por nuk mundi të qëndrojë, pasi ambasada shqiptare dhe njerëzit e saj në koloninë shqiptare të Turqisë e sulmuan atë, duke e paraqitur si agjent të grekëve dhe të amerikanëve. Ndërkohë, qeveria shqiptare kishte bërë një gjest miqësor ndaj qeverisë turke, duke përkrahur qëndrimin turk për Qipron. Behar Shtylla dha një intervistë, që pati efekt pozitiv në opinionin turk dhe në emigracionin shqiptar, i cili e shtoi përkrahjen për nismën e ortodoksëve shqiptarë. Mirëpo, qeveria shqiptare nuk dëshironte të ndërmerrte veprime efektive të drejtpërdrejta, duke e diskutuar çështjen e kishës shqiptare dhe të komunitetit ortodoks shqiptar me qeverinë turke, për gjetjen e një zgjidhje të përbashkët të këtyre problemeve. Qeveria turke, e pakënaqur nga propaganda komuniste, që zhvillonte legata shqiptare në Turqi, nuk pranoi ardhjen e priftit nga Shqipëria. Kështu, hapja dhe funksionimi normal i KOASH në Stamboll po zgjatej shumë dhe hyri në një rrugë pa krye. Gjithashtu, përkrahja e organeve të sigurimit turk për kishën shqiptare ra përsëri, pas vrasjes në këtë kohë të nëndrejtorit të Përgjithshëm të Sigurimit Turk, Beqir Killiçtape, i cili ishte shqiptar dhe kishte punuar shumë në përkrahje të KOASH të Stambollit. Madje, për këtë arsye kishte dyshime se në vrasjen e tij kishte gisht edhe Patriarkana e Stambollit.

Ndërkohë, në vitin 1967, në Shqipëri, u zhvillua fushata kundër fesë dhe institucioneve fetare, e cila e dëmtoi edhe më shumë imazhin dhe pozitat e qeverisë komuniste në emigracionin shqiptar. Qeveria shqiptare bëri edhe veprimin tjetër të gabuar, që i shkatërroi përfundimisht përpjekjet për krijimin e KOASH, në Turqi. Në pranverë të vitit 1969, ajo solli fshehurazi dhe kundër dëshirës së autoriteteve turke, një prift nga Shqipëria. Situata në komunitetin e shqiptarëve ortodoksë u keqësua. Të gjendur nën presionin e autoriteteve turke dhe të Patriarkanës, ata nuk e miratuan ardhjen e priftit nga Shqipëria. Gjithashtu, në vitin 1970 u fuqizua përsëri tendenca e ortodoksëve shqiptarë për t`u larguar në Greqi.

Në këto rrethana konfliktuale, shumica e anëtarëve të komitetit organizator të kishës u larguan prej tij. Këtë situatë u përpoq ta shfrytëzonte Patriarkana dhe konsullata greke në Stamboll, të cilat gjatë viteve 1970-1972 e intensifikuan punën dhe propagandën për largimin e shqiptarëve ortodoksë për në Greqi. Në vitet ’60, shqiptarët e Turqisë patën mundësi të mira për të krijuar kishën dhe komunitetin e tyre, por këto mundësi, siç e përshkruam më lart, nuk u shfrytëzuan. Një rol negativ luajti politika e gabuar klasore e qeverisë komuniste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›