E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj kundër veprimeve bojkotuese të PS

Një ditë pas deklaratës së deputetit Ben Blushi se bojkoti i parlamentit mund të minojë kohezionin e Partisë Socialiste, reagon edhe deputeti tjetër dhe anëtari i kryesisë së PS që bashkë me Blushin dhe disa deputetë e figura të tjera brenda socialistëve kanë mbajtur tjetër qëndrim nga ai i kryetarit në detyrë, z. Rama.

Në ditën që Kryesia e Partisë socialiste pritet të marrë vendimin e një bojkoti të mundshëm të parlamentit, z. Malaj shprehet publikisht kundër veprimeve bojkotuese të Partisë socialiste.

Z Malaj vlerëson se qëndrimet emocionale dhe të imponuara mund ta shndërrojnë PS nga një force moderne dhe brenda institucioneve të vendit, në një parti radikale, duke dëmtuar rëndë investimin e përhershëm të socialistëve për të modernizuar vendin e tyre.

“Qëndrimet bojkotuese mund të cenojnë vlerësimin dhe mbështetjen publike, dëmtojnë kohezionin dhe bashkëpunimin në forumet e Partisë Socialiste, kufizojnë efikasitetin e Grupit parlamentar, dobësojnë mbështetjen dhe partneritetin ndërkombëtar, duke vështirësuar fitoret tona në ballafaqimet e ardhshme vendore dhe parlamentare”, thotë z. Malaj.

“Partia Socialiste është forca më e madhe opozitare në vend dhe në misionin e saj parlamentar duhet të synojë dy objektiva të mëdha politike: Të evidentojë, të denoncojë dhe të veprojë në rrugë institucionale për të ndalur keq-qeverisjen e vendit. Partia Socialiste mund ta arrijë këtë objektiv nëpërmjet; pjesëmarrjes aktive në debatin parlamentar, nëpërmjet forcimit të kontrollit parlamentar mbi institucionet kushtetuese dhe nëpërmjet sensibilizimit dhe solidaritet në rritje me opinionin publik shqiptar. Partia Socialiste duhet të rrisë efikasitetin e saj politik dhe parlamentar për të përshpejtuar integrimin e vendit, që Shqipëria të bëhet sa më parë vend kandidat i BE-së duke përfituar më shumë dhe në mënyrë më të drejtpërdrejtë nga politikat dhe fondet e BE-së”, vijon më tej z. Malaj.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›