E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Ushtro të drejtën si kryetar i KLD-së

03/09/2009  Kreu socialist letër kryetarit të shtetit për shkeljet në zgjedhjet parlamentare

“Nuk pranojmë një parlament dhe qeveri të lindur nga shkelja e standardeve demokratike”

Kupola rozë përvijon më tej akuzat e saj ndaj drejtuesve të kampit të djathtë sa i takon procesit zgjedhor. Akuzat e socialistëve për bashkëpunim mes lidershipit blu dhe personave shoqërisht të rrezikshëm gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit tashmë i janë bërë me dije në mënyrë zyrtare edhe kreut të lartë të shtetit. Përmes një letre kreu në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka shpjeguar presidentit Bamir Topi arsyet se pse kjo parti nuk mund të njohë zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Me anë të kësaj letre Rama synon që në emër të PS-së të dëshmojë shkeljet e vëna re gjatë këtij procesi, me qëllim që Presidenti Topi, në cilësinë e kreut të KLD-së, të mund ti marrë parasysh këto prova dhe të veprojë me autoritetin që i bën të mundur kjo instancë ku ai bën pjesë.

Letra

Prej disa ditësh kryetari në detyrë i PS-së, Edi Rama, ka bërë me dije se kjo parti disponon prova të bashkëpunimit të organizuar të Kryeministrit Sali Berisha dhe pushtetit të tij me kriminelë të liruar nga burgjet për fushatë elektorale në shkelje të ligjeve të Republikës së Shqipërisë. Po në këtë linjë, Rama i drejtoi një letër kreu të shtetit shqiptar për të përvijuar më tej një qëndrim të tillë, njëkohësisht dhe për ti bërë me dije shkeljet ligjore të vëna re gjatë procesit zgjedhor në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. “Më lejoni të ndaj me Ju shqetësimin serioz se zgjedhjet e 28 qershorit jo vetëm që nuk plotësuan aspiratën dhe nevojën e Shqipërisë për përmbushjen e standardeve europiane të lirisë e të ndershmërisë së tyre, por ndër të tjera nxorën në pah edhe një problem mprehtësisht kërcënues për demokracinë dhe shtetin ligjor”, - shkruan Rama në letrën që i drejtoi dje presidentit Topi. Për të konkretizuar akuzat e tij Rama vlerëson më tej në këtë letër se “ky problem ka lindur prej shkeljes flagrante të ligjit nga autoritete të larta shtetërore, që kanë mundësuar në periudhën e fushatës elektorale nxjerrjen prej burgjeve të personave shoqërisht të rrezikshëm, jashtë të gjitha kushteve të parashtruara me ligj për dhënien e lejeve të përkohshme”.

Qëndrimi

Kështu, duke iu referuar pikërisht të tilla shkeljeve, në gjykimin e kreut të selisë rozë është më se e drejtë mosnjohja e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe e parlamentit të ri të dalë nga këto zgjedhje. “Ne nuk mund të pranojmë që Shqipëria të jetë vendi ku parlamenti dhe qeveria lindin nga shkelja e standardeve demokratike deri në bashkëpunim mes autoriteteve të shtetit dhe autoriteteve të krimit, ashtu si kundër nuk mund të lejojmë që ky problem kaq i rëndë jo thjesht për zgjedhjet, po për sigurinë e shtetin e së drejtës në Shqipëri, të mbetet pa u trajtuar deri në fund në të gjitha rrugët e mundshme ligjore e institucionale”, - theksohet në letër, pretendime të ngritura prej ditësh këto nga ana e lidershipit të Partisë Socialiste. Për këtë arsye Rama kërkon nga Presidenti Topi që “në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të konsideroni me autoritetin e instancës Suaj materialin bashkëngjitur të siguruar prej nesh në rrugë konfidenciale lidhur me sa parashtrova. Ju uroj punë të mbarë!”

Kundërpërgjigjja

“Publiku u njoh me qëndrimin e Sali Berishës lidhur me pretendimet e ngritura prej nesh për procesin zgjedhor dhe për të gjitha aspektet që e bën këtë proces zgjedhor një maskaradë zgjedhore. Ne jemi të vetëdijshëm se kjo maskaradë zgjedhore nuk mund të prodhojë institucione me legjitimitet të plotë dhe njëkohësisht me institucione me legjitimitet të cunguar nuk mund të ketë demokraci, liri dhe prosperitet, por vetëm thellim të mëtejshëm të një krize të rënë, që është një krizë demokratike, që është një krizë e shtetit të së drejtës, që është krizë ekonomike dhe shoqërore.”

Kongresi i jashtëzakonshëm

Në fund të muajit që sapo lamë pas Partia Socialiste mblodhi Kongresin e saj të jashtëzakonshëm për të diskutuar dhe miratuar pikërisht mbi zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, për rezultatin e marrë nga kjo parti në këto zgjedhje si dhe për qëndrimin e saj ndaj institucioneve të dala nga ky proces. Në fjalën e mbajtur prej tij kreu në detyrë i PS-së Edi Rama radhiti një sërë shkeljesh gjatë procesit zgjedhor, shkelje të cilat kushtëzojnë njohjen e këtyre zgjedhjeve. Megjithatë, ky forum ia delegoi kryesisë dhe Asamblesë së PS-së marrjen e vendimit përfundimtar për pjesëmarrjen apo jo në kuvendin e ri.

Qëndrimi i Asamblesë

Rezultati i marrë nga PS-ja në zgjedhjet parlamentare si dhe qëndrimi që do të mbajë kjo parti mbi të ishte një nga çështjet më të debatuara nga anëtarët e Asamblesë Kombëtare, të mbledhur pak kohë më parë dhe për të cilën ky forum u nda në dy qëndrime, pavarësisht se në fund miratimi i rezolutës “Rama” i dha të drejtë qëndrimit të këtij të fundit për të mos i njohur ato, pavarësisht pjesëmarrjes në Kuvend. Por objektivi kryesor për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme mbetet dhe në vijim. Ndërkohë kreu në detyrë i kësaj partie ka artikuluar se PS-ja do të bojkotojë parlamentin e ri të dalë nga këto zgjedhje.

Kundërshtarët e Ramës

Kundërshtarët e kryetarit në detyrë të PS-së Edi Rama i mëshuan me forcë faktit se bojkoti i parlamentarit është një ide vetëm e këtij të fundit, e cila nuk është diskutuar, për më tepër të merret një vendim në forumin më të lartë vendimmarrës sikundër ishte Kongresi i jashtëzakonshëm i kësaj partie. Sipas tyre, PS-ja nuk erdhi në Kongres me idenë për të bojkotuar Kuvendin, Kongresi nuk ka marrë vendim për të bojkotuar atë. Madje, përfaqësuesit e këtij grupimi ngulmuan në një qëndrim të tillë, pasi sipas tyre në kongres nuk u hodh ideja për bojkot nga askush, aq më pak nga Rama.

Gara për kreun e ri të PS-së

Lakrori i bindur në fitore

Kandidati për postin e kryetarit të PS-së Maqo Lakrori në ditën e parë të fillimit të fushatës elektorale brenda kësaj partie nuk ka vonuar të hedhë poshtë zërat që flasin për një garë fiktive. “Ska asgjë fiktive, unë jam angazhuar shumë seriozisht në këtë proces, jam menduar thellë për këtë gjë. Jam në PS që në fillimet e saj, kur nuk njihja as zotin Rama dhe shumë të tjerë. Ky do të jetë një proces shumë serioz, që do të demokratizojë më tej Partinë Socialiste”, - vlerësoi Lakroi gjatë fjalës së tij. Ndërkohë, referuar platformës me të cilën ai do të garojë për këtë post, Lakrori propozon ndryshime në statut që synojnë të sanksionojnë drejtim kolegjial të partisë dhe konkurrim të hapur, por dhe bashkim të së majtës. “Bëhet fjalë për metoda të ndryshme drejtimi. Unë ofroj këtë metode drejtimi, një metodë drejtimi kolegjiale, ku secili të ndihet i respektuar. Sipas konceptit tim, kryetari, cilido qoftë ai, është zëdhënësi numër një, është përgjegjësi numër një, por vendimet merren në mënyrë kolegjiale dhe për zbatimin e tyre punohet me ekipe”, - theksoi rivali i Ramës. Ndërkohë që duke kundërshtuar idenë e bojkotit të Parlamentit, Lakrori vlerësoi se PS-ja duhet të shfrytëzojë Parlamentin jo vetëm për të bërë kritikë ndaj qeverisë, por edhe për të realizuar qëllimin e saj për rrëzimin e qeverisë “Berisha” dhe zgjedhje të parakohshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›