E Hënë, 2 Nëntor 2026

Malaj mendon për Buxhetin e 2006

11/03/2005  Malaj ka mbledhur sekretarët e Përgjithshëm të të gjithë ministrive për të filluar diskutimin mbi Buxhetin 2006. Me këtë rast, ministri i Financave ka menduar të bëjë dhe një diskutim në lidhje me menaxhimin më të mirë të shpenzimeve publike, për të cilat është kritikuar shumë nga ndërkombëtarët. Keqadministrimi i shpenzimeve publike ka qenë një nga pikat më shumë të kritikuara nga Banka Botërore. Sipas BB-së, punësimi në sektorin publik është i lartë, sepse 18 për qind e të punësuarve marrin pagat nga shteti. Gjithashtu financimi i disa zërave të domosdoshëm si operacionet, mirëmbajtja apo subvencionet, varet nga disponibiliteti i burimeve. “Me gjithë përmirësimet e viteve të fundit, administrimi i shpenzimeve publike është akoma jo efikas dhe ka nevojë për më shumë transparencë”, ka bërë të ditur në raportin e vet Banka Botërore. Duket se në përgjigje të kësaj kritike, qeveria ka vendosur të bëjë disa ndryshime. “Në kuadër të përmirësimit të procesit të menaxhimit të shpenzimeve publike, do të bëhen disa ndryshime në proces, të cilat do të synojnë harmonizim më të mirë të objektivave prioritare si dhe rritje të efektivitetit të përdorimit të fondeve publike”, ka deklaruar Malaj në takim. I gjithë ky proces po paraprihet nga ndryshime institucionale dhe strukturore, ku Drejtoria e Buxhetit do të shndërrohet në drejtori të përgjithshme, por edhe nga ndryshime në procedura dhe në manuale, gjë që bën të mundur një formulim, zbatim dhe kontroll korrekt të buxhetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›