E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj, pas sherrit me Braçen, braktis mbledhjen e Kryesisë



Kandidati për kreun e Partisë Socialiste, anëtari i Kryesisë, Arben Malaj, e ka braktisur mbledhjen e djeshme pak kohë pasi ka mbajtur fjalën e tij në forumin e lartë të selisë rozë. Malaj ka deklaruar se largohej nga Kryesia për shkak të një takimi të rëndësishëm në të cilin nuk mund të mungonte, por në të vërtetë, një nga arsyet e tij ka qenë fakti se deputeti socialist ka shkëmbyer polemika të ashpra me kolegun e tij, Erion Braçe. Debatet dhe polemikat midis dy deputetëve dhe anëtarëve të Kryesisë kanë qenë shumë të forta, aq sa janë dëgjuar edhe në korridoret e selisë së Partisë Socialiste. Gjithsesi, Malaj është rikthyer në mbledhje në fund të saj, rreth orës 22:00, për t’i vijuar polemikat edhe pas përfundimit të saj me sekretarin për Çështjet Ligjore, Fatmir Xhafaj. Po kështu, deputeti Braçe ka qenë gjithashtu protagonist i shkëmbimit të replikave, kësaj radhe me anëtarin e Kryesisë, Ben Blushi. Blushi-Braçe kanë shkëmbyer disa replika të forta. Ky ka qenë dhe momenti më i tensionuar i mbledhjes së djeshme të Kryesisë së Partisë Socialiste, e cila është karakterizuar nga debate, polemika dhe batuta midis pjesëmarrësve. Ndër replikat e ashpra kanë qenë edhe ato që deputeti Blushi ka shkëmbyer me kolegen e tij, deputeten Ermelinda Meksi. Debatet e ashpra janë pranuar në përfundim të mbledhjes edhe nga anëtari i Kryesisë, Ben Blushi, i cili tha: “Sigurisht që ka pasur debate, dhe kjo nuk ishte një mbledhje e lumtur. Kemi ardhur nga humbja në zgjedhje dhe natyrisht që tensioni nuk do të mungonte. Çështja ku ndahemi është se kemi humbur sepse na kanë vjedhur votat, apo edhe për fajin tonë? Ne mendojmë se janë të dyja, ndërkohë që të tjerë mendojnë se kemi qenë perfekt në fushatë dhe çdo gjë ka funksionuar më së miri”.

27 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›