ISHP, ekzaminimet që kryhen në Laboratorin e Virologjisë
Instituti i Shëndetit Publik ka një fluks të madh ekzaminimesh të mostrave të mbledhura në të gjithë rrethet e vendit. Numri i mostrave të marra nga spitalet rajonale apo mjekët e familjes në rrethe, kanë shtuar rastet e personave të dyshuar ditët e fundit.
Sipas Buletinit Epidemiologjik të publikuar nga ISHP-ja, numri i mostrave të marra gjatë tre ditëve të fundit ka shkuar në 459 mostra nga 440 që ishin më parë. Ndërsa bën të ditur se janë dy raste që pritet të konfirmohen nga Laboratori i Bukureshtit. Mosha më e prekur dhe me numrin më të madh të të dyshuarve është 25-44 vjeç. Kështu, 13 persona të prekur nga virusi në vendin tonë i përkasin kësaj moshe. Ndërsa është rritur mundësia e përhapjes së virusit tek moshat e vogla 5-15 vjeçare. Harta e virusit të gripit të derrit ka marrë një zgjerim të madh të kufijve në pjesën më të madhe të qyteteve. Vendin e parë për raste të ekzaminuara dhe të konfirmuara e zë kryeqyteti, me 323 ekzaminime deri tani. Listës së prekjes së virusit gjatë javës së fundit, i janë shtuar qytetet të tjera si Përmeti, Berati, Kurbini, ndërsa qytetet e tjera ku rastet janë konfirmuar dhe më parë, tani kanë shtuar listën e personave të dyshuar. Qytetet, ku dyshimet për virusin vazhdojnë të jenë prezentë janë: Tirana, Durrësi, Elbasani, Vlora, Korça, Devolli, Mati, Saranda, Fieri etj. Specialistët e ISHP-së japin të dhënat se në Spitalin Infektiv të QSUT-së janë marrë 223 mostra, çka përbën dhe numrin më të lartë nga të gjitha qytetet dhe qendrat e tjera spitalore. Mbivendosja e gripit të derrit me gripin stinor do të jetë shumë i vështirë për tu kuruar, ndaj dhe qytetarët duhet të vaksinohen për gripin e zakonshëm në pritje të vaksinës së virusit A/H1N1. Specialistët shprehen se bluzat e bardha do ta rrisin gjendjen e tyre të gatishmërisë që në ditët e para të muajit shtator. Shkak për këtë është bërë paralajmërimi për një valë më të fortë të gripit të derrit nga specialistët e OBSH-së. Ndonëse gjatë këtyre ditëve të nxehta të verës puna e mjekëve të familjes apo atyre infeksionistë që merren me trajtimin e të prekurve apo të dyshuarve me virusin A/H1N1, nuk ka reshtur sërish shtatori do t’i kalojë ata në një nivel tjetër më të lartë të survejancës. Ndërkohë, OBSH-ja ka premtuar se do të sigurojë fondet për shpërndarjen e vaksinës për disa vende të botës, të cilat nuk kanë mundësi për ta blerë atë. Ndërsa kanë bërë të ditur se tashmë do të nisë faza e dytë e përhapjes së gripit të derrit, e cila do të jetë edhe më e rrezikshme se më parë. Virusi i gripit të derrit do të mundë të krijojë një kombinim me gripin e zakonshëm dhe kjo do të bëje që të ketë një numër tepër të lartë të infektuarish.
Vaksina, sa do të jetë kostoja e blerjes
Shëndetësia shqiptare do të ofrojë falas medikamentin që aktualisht përdoret kundër gripit të derrit, vetëm për disa kategori, duke specifikuar kushtet e tyre. Ndërsa sipas deklaratës së bërë nga specialistët e shëndetësisë pak kohë më parë, Tamifluja që do të blihet nga vetë qytetarët në farmaci kap shifrën e 3700 lekëve. Ndërkohë që, disa nga mjekët infeksionistë në Spitalin Infektiv në QSUT, shprehen se vaksina nuk do të ketë një kosto më të lartë se 1500 lekë. Aktualisht, qytetarët janë në pritje për shkak të panikut që është krijuar nga prekja e virusit AH1N1. Dozat e para me Tamiflu që pritet të vijnë do të jenë falas për kategoritë e përcaktuara. Aktualisht sasitë e sapoardhura u janë shpërndarë urgjencave, spitaleve rajonalë etj. Dozat e Tamiflusë që Ministria e Shëndetësisë ka mundur të sigurojë deri tani, mbajnë përsipër edhe datën e skandencës, ku tek dozat e ardhura është përcaktuar që të skadojnë në janar të vitit 2011. Aktualisht, ISHP-ja po angazhohet për marrjen e masave për sigurimin e medikamenteve antivirale të gripit të zakonshëm. Sipas Drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, duhet kryer vaksinimi i tërë popullatës, pasi virusi i gripit të derrit mund të kombinohet me virusin e zakonshëm dhe të përbëjë rrezik për jetën e qytetarëve.
Historia e udhëtimit për 20 rastet e konfirmuara
3 prej rasteve janë marinarë të huaj të moshës 30, 31 dhe 41 vjeç (Spitali Rajonal - Durrës), të cilët tashmë janë larguar nga vendi
6 raste janë të lidhura me udhëtimin, kryesisht Mbretëria e Bashkuar
Për 11 raste të tjera nuk është raportuar lidhje epidemiologjike që të faktojë rrugën e infektimit
Rastet janë kryesisht në Tiranë dhe 4 raste në Durrës (tre marinarë të huaj)
1 rast në Sarandë
Rastet e konfirmuara me AH1N1
Grupmosha: 4 raste 15-24 vjeç, 10 raste 25-44 vjeç, 2 raste 45-59 vjeç
Shumica e rasteve i përkasin moshave aktive dhe deri tani asnjë rast nuk është vënë re në moshat e vjetra apo ato nën 14 vjeç
Gjinia: 10 meshkuj dhe 6 femra, plus 4 rastet e reja
Vendbanimi: Tirana - 11 raste, Durrës - 4 raste, Saranda -1 rast
Paraqitja në spital: Janë paraqitur 13 raste dhe janë shtruar në spital 8 raste
Pranë Departamentit të Sëmundjeve Infektive në QSUT janë paraqitur 8 raste
26 Gusht 2009