Malajzia njohu shtetin e Kosovës
PRISHTINE-Malajzia zyrtarizoi njohjen e pavarësisë së Kosovës. Shefi i Zyrës së Malajzisë në Prishtinë, Mustafa Mansor, i dorëzoi Ministrit të Jashtëm kosovar, Skënder Hsyeni letrën e homologut të tij malajzian përmes së cilës konfirmoi njohjen e shtetit të të Kosovës.
“Dëshiroj t’i referohem bisedës tonë të përbashkët gjatë takimit të mbajtur në vigjilje të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 27 shtator 2008 në Nju Jork. E çmoj mundësinë që e patëm për të shkëmbyer pikëpamjet lidhur me çështjet e interesit të përbashkët duke përfshirë edhe zhvillimet në Kosovë.
Kam nderin t’ju përcjell Shkëlqesia Juaj dhe përmes jush edhe Qeverisë së Kosovës se, Qeveria e Malajzisë ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Më lejoni Shkëlqesi t’ju përcjellë Ju dhe Qeverisë së Kosovës dëshirat më të sinqerta në përpjekjet tuaja të ardhme”, thuhet në letrën të cilën i dërgoi ministrit Hyseni, homologu i tij nga Malejzia, Dr. Rais Yatim
Me këtë rast, Ministri Hyseni falenderoi shefin e zyrës së Malajzisë në Kosovë dhe është shprehur se pret se do të ketë edhe njohje nga vendet të tjera. Me njohjen nga Malajzia, Republika e Kosovës është njohur nga 52 vende të botës.
(d.b/BalkanWeb)