Maqedoni, sekuestrohen 8 tonë cigare kontrabandë
SHKUP- Tetë tonë cigare me banderola të falsifikuara janë konfiskuar dje pasdite në kompaninë “Popeco Tabak” në Strumicë.
Kompania që drejtohej nga Risto Popecov (33), konsiderohet si distributor kryesor për Maqedoninë Juglindore i Kombinatit të Duhanit në Kumanovë, një pjesë e aksioneve që menaxhoheshin nga biznesmeni i arrestuar kumanovar Bajrush Sejdiu.
Drejtoria e të ardhurave publike ka vërtetuar se tek cigaret e konfiskuara ishin vendosur banderola të falsifikuara. Personi i arrestuar do të dërgohet nesër pranë gjykatësit hetues në Gjykatën Themelore të Shkupit. Ministria e Brendshme bëri të ditur se do të vazhdojë kontrollin e të gjitha kompanive në Maqedoni që merren me distribuimin e cigareve.
Qeveria e Maqedonisë ka ndërmarrë një sërë masash kundër kontrabandës së duhanit, e cila është mjaft fitimprurëse. Kështu në një operacion të ndërmarrë një javë më parë policia arrestoi 28 persona mes tyre dhe Bajrush Sejdiun. Po kështu rreth 40 policë të qytetit të Kumanovës janë nën hetim sepse dyshohet se mund të jenë të përfshirë në aktivitete të paligjshme.
(s.g/Ina/BalkanWeb)