E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brazil 2014, Lula kundër FIFA-s për sovranitetin

Presidenti brazilian është kundër direktivave të Federatës Ndërkombëtare

Gjithnjë edhe më e ashpër lufta mes FIFA-s dhe Lulas në prag të Botërorit 2014 që do të zhvillohet në Brazil. Në valle janë miliarda “reais” (pra rrjedhimisht në euro), por mbi të gjitha sovraniteti i kombit amerikanojugor. FIFA ka hapur një filial operativ në vendin e sambas dhe po kërkon të imponojë ndërtimin e stadiumeve të rinj, rrugëve dhe aeroporteve përmes ndërmjetësit të saj lokal, Federatës Braziliane të Futbollit (CBF) të drejtuar familjarisht prej 21 vjetësh nga Rikardo Teikseira. Prej disa ditësh gazetat “Karioka” dhe “Puliste” shkruajnë për vonesat e Brazilit dhe akuzat e FIFA-s, si nga ajo e zëvendëspresidentit francez, Xherom Valke (ish-gazetar i “Canal +”), i ngjitur në mënyrë misterioze në majat e FIFA-s pas një dënimi në SHBA me 90 milionë dollarë për çështjen “Visa-Mastercard”, ashtu dhe nga goja e vetë Teikseira. FIFA celebroi si fitoren e një kupe bote përjashtimin e stadiumit më të mirë të San Paulos, “Morumbin”, që duhet të priste ndeshjen hapëse të Brazil 2014. FIFA ka bërë një “listë të mrekullueshme shpenzimesh” për Brazilin nëse do të marrë një notë 9 për organizimin, si Afrika e Jugut, më mirë se Gjermania në Botërorin 2006 (ndoshta sepse “lady” Merkel nuk pranoi direktivat e FIFA-s për të ndërtuar një stadium të ri për të mikpritur finalen, as të ndryshonte fytyrën e stadiumit historik të Berlinit). Zoti Valke, mik i Teikseiras, është kandidat në postin e Blaterit në zgjedhjet 2015, të cilat parashikohen të nxehta. Teikseira e aspiron fronin e Blaterit. Konkurrent tjetër jokomod është koreanojugori me emër të paprononcueshëm, pronar i Hyundait. Lula tha disa ditë më parë se presidenti Teikseira nuk mund të vazhdojë më, pasi do të përcaktohet një mandat 8-vjeçar për presidentin e federatës. Ky i fundi ka dalë me një kritikë të ashpër mbi situatën e aeroporteve. Shumë në Brazil pyetën, ironikisht, nëse ndeshjet e Botërorit 2014 do të luhen në hangarë apo në stadiume. Sigurisht “kaosi ajror” është një problem brazilian (por jo vetëm…) që duhet ta zgjidhin dy autoritete, “Infraero” e “Anac”. Ndërhyrja e shefit të CBF-së duket e pavend. çështja më delikate mbetet përjashtimi i “Morumbit”, që është njësoj si në Italia ‘90 t’i hiqnin San Siron Milanos ose Romës Olimpikon për të ndërtuar një stadium të ri enkas për FIFA-n. Teikseira mbështeti Vaklen në deklaratat anti-“Morumbi”, përjashtimi i të cilit irritoi Lulan. Ndryshe reagoi ministri brazilian i Sporteve, Orlando Silva Jr., i cili, në çdo polemikë mes Lulas (vartës i të cilit është) dhe Teikseiras (vartës i të cilit në teori nuk është), ka mbrojtur gjithmonë të dytin. Para pak vitesh në Brazil u mbajtën Lojërat Panamerikane të Rios. Atëherë ministri i Sporteve ishte i njëjti që është sot dhe në atë epokë garantoi se gjithçka do të ecte vaj, më pas kostot për eventin u dhjetëfishuan gjatë përgatitjeve. Qeverisë iu desh të mbushte vrimat dhe Lula mori një mal me vërshëllima në ceremoninë hapëse. Ndaj Lula nuk do që historia të përsëritet. Pasi nuk do që të organizojë një botëror në një mënyrë jotransparente. Problemi i vetëm është se, për herë të parë në historinë e botërorëve, Komiteti Organizator Lokal nuk numëron në radhët e tij as anëtarë të shoqërisë civile, as të qeverisë qendrore. Mund të duket akoma edhe më e pabesueshme, sepse përveç Tekseiras, bëjnë pjesë edhe 5 persona të tjerë, të gjithë të lidhur me të. Zhoana Havelanzhe (administratore e përgjithshme, e bija e Teikseiras), Françisko Musnih (konsulent juridik dhe avokat kryesor i Daniel Dantas, biznesmenit të dënuar me 10 vite në Shkallën e Parë në Brazil për një seri krimesh financiare), Karlos Langoni (ish-president i “Banco Centrale”, mik i Teikseiras), Karlos de La Korte (konsulent për stadiumet, mik i Teikseiras) dhe Rodrigo Paiva (shef i komunikimit në CBF-në e Teikseiras).

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›