Qeveria, akt normativ për 577 familje të Ksamilit
Familje të komunës së Ksamilit që cilësohen si përdoruese të tokës bujqësore, do të përfitojnë kompensimin
TIRANË- Këshilli i Ministrave ka marrë në shqyrtim dje një akt normativ të propozuar nga ministria e Bujqësisë, me anë të së cilit synohet që 577 familje të komunës së Ksamilit të cilësohen si përdoruese të tokës bujqësore, pra të përfitojnë kompensimin, pa shpërblim, si për të gjitha familjet e punonjësve të ish ndërmarrjeve bujqësore të vendit. Akti normativ përcakton se, gëzojnë cilësinë e familjeve bujqësore ose individëve, si përdorues të tokës bujqësore, familjet bujqësore ose individët që: figurojnë si punonjës të ish Ndërmarrjeve Bujqësore Ksamilit, në periudhën 1.8.1991 deri 1.10.1992 dhe familjet fshatare të ardhura në Ndërmarrjet Bujqësore Ksamil, nga 1.8.1991 deri më 4.5.1994, subjekte të vendimit të KM, "Për dhënie toke, në përdorim, familjeve fshatare, banorë të ish NB-së së Ksamilit", që plotësojnë kushtet e këtij vendimi dhe që në kohën hyrjes në fuqi të këtij akti normativ figurojnë banorë në gjendjen civile të Ksamilit. Në relacionin që shoqëron aktin normativ sqarohet se, miratimi i tij bëhet i domosdoshëm pasi, dy vendimet e qeverisë të nxjerra për të pajisur familjet fshatare në Ksamil me tokë në përdorim nuk kanë gjetur zbatim. Vendimi për ndarjen e tokës bujqësore të NB punonjësve të tyre dhe vendimi për t'u dhënë tokë edhe familjeve që kishin ardhur në Ksamil pas datës 1 gusht 1991, thuhet në relacion, nuk janë zbatuar për shkak të një tjetër vendimi të qeverisë, "Për zgjidhjen e problemeve që lidhen me zbatimin e masterplanit të Turizmit në Zonën e Ksamilit", me anë të së cilit rreth 970 ha tokë bujqësore në Ksamil kaloi në administrim të ministrisë së Turizmit. Në relacion thuhet se, paraqitja e këtij akti në formën e një akti normativ vjen si nevojë imediate, pasi në komisionet parlamentare po shqyrtohen pikërisht një draft i qeverisë që trajton familjet që kanë tokë në përdorim. Por, pikërisht këtu qëndron dhe kundërshtimi që ministria e Drejtësisë dhe ministria e Financave i kanë bërë aktit normativ të hartuar nga ministria e Bujqësisë. Në mendimin që ka dërguar për këtë draft, ministria e Financave dhe ajo e Drejtësisë nuk kanë shprehur miratimin e tyre. Ministria e Drejtësisë shprehet se nuk është i nevojshëm miratimi i aktit normativ dhe rekomandon që të ndryshohet vendimi i qeverisë nr.88 "Për miratimin e zonave që kanë përparësi turizmin", duke vendosur jashtë këtyre zonave hapësirën që kërkohet tu jepet banorëve të Ksamilit. Ndërsa ministria e Financave thotë se, nuk kemi të bëjmë me një rast nevojë ekstreme që problemi të zgjidhet me një akt normativ, duke qenë se kushtetuta përcakton se, "Këshilli i Ministrave në rast nevojë urgjence, nën përgjegjësinë e tij mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit me marrjen e masave të përkohshme".