Si u bastisën kasafortat në kryeqytet
Ambasada Daneze u vodh me thyerje ndërsa biznesmeni u vodh pas djegies me oksigjen të derës së fqinjit të tij
Një nga ngjarjet për të cilën akuzohen të arrestuarit, është edhe vjedhja e Ambasadës Daneze në Tiranë, ndodhur më 23 tetor të këtij viti. Vjedhja e ambasadës u realizua me thyerje, nga ku u mësua se brenda saj është vjedhur së paku një kompjuter që dispononte informacione të rëndësishme për aktivitetin e përfaqësisë diplomatikë në Tiranë.
Ndërkaq, menjëherë pas ngjarjes ambasada e Danimarkës në vendin tonë, në një komunikim zyrtar të saj për shtyp njoftoi mbylljen e saj në mënyrë të përkohshme pikërisht për shkak të kësaj ngjarjeje. Këtë vjedhje Policia e kryeqytetit e kaloi në heshtje, ndërsa selia diplomatike ndërmori aktin ekstrem duke mbyllur zyrat për disa dite me radhë.
Ambasada nuk qëndroi gjatë e mbyllur, ndërkohë që kyçja e saj erdhi pas dyshimeve për marrjen e një kompjuteri lap -top, brenda të cilët ndodheshin informacione për aktivitetin e përfaqësisë diplomatike.
Nga burime të policisë mësohet se zyrtarët e Ambasadës Daneze në Tiranë, e cila ndodhet në Rrugën "Nikolla Lena", pasi kanë parë që në zyrat e tyre nuk ndodhej një kompjuter, kanë kryer edhe një denoncim në polici. Në kohën kur u regjistrua vjedhja, Policia nuk publikoi asnjë emër të ndonjë personi të përfshirë në ngjarje.
Vjedhja më spektakolare që dyshohet të jetë kryer nga të arrestuarit është në prill të këtij viti, në apartamentin e biznesmenit të ndërtimit Ilirjan Çelaj, në rrugën "Hamid Shijaku", ku u vodhën rreth 600 milionë lekë bashkë me kasafortën ku ndodheshin paratë.
Kjo vjedhje ka ndodhur më 28 prill të këtij viti, në banesën e biznesmenit, që ndodhet pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, në kryeqytet. Autorët mundën të nxjerrin nga kati i nëntë i pallatit ku ndodhej apartamenti i ndërtuesit, kasafortën e rëndë me peshë prej afërsisht 500 kg. Pasi kasafortën e kanë zbritur në katin e parë, autorët besohet se e kanë ngarkuar atë në një furgon për t'u larguar bashkë me shumën e konsiderueshme të lekëve.
Autorët arritën të realizonin vjedhjen duke prishur bravën e një apartamentit të pabanuar me oksigjen dhe më pas nëpërmjet ballkonit të tij hynë në banesën e biznesmenit prej nga kanë nxjerrë edhe kasafortën, ngjarje kjo e ndodhur shtatë muaj më parë. Në kohën që është realizuar vjedhja, biznesmeni Çela dhe familja e tij nuk ndodheshin në shtëpi, çka e ka bërë më të lehtë realizimin e vjedhjes spektakolare.
Mungesa e fqinjëve të biznesmenit në shtëpi, bëri që autorët ta realizonin pa pengesa vjedhjen e shumës së konsiderueshme të lekëve, ndërkohë që për këtë ngjarje u shoqëruan disa persona të dyshuar.
Të arrestuarit
Elton Lika, 26 vjeç, banues në Tiranë, i proceduar më parë për vjedhje.
Sajmir Kuçi, 26 vjeç, banues në Tiranë, i proceduar më parë vjedhje me armë.
Sulejman Bakalli, 26 vjeç, banues në Tiranë, i proceduar më parë për vjedhje me armë.
Taulant Mataj, 28 vjeç, banues në Tiranë, i proceduar më parë për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Euklid Habili, 27 vjeç, banues në Tiranë, i proceduar më parë për vjedhje.
Dritan Duka, 28 vjeç, banues në Tiranë, i proceduar më parë për falsifikim të vulave, stampave e letrave me vlerë.
Admir Burri, 31 vjeç, banues në Tiranë, i proceduar më parë për vjedhje me armë.
Vjedhjet
Më 6 dhjetor 2009, kanë tentuar të vjedhin kasafortën e firmës "Skutari" në autostradën Tiranë Durrës.
Më 6 dhjetor 2009, dyshohet se kanë vjedhur 10 milionë lekë në ambientet e një firme në rrugën "Sulejman Delvina"
Me 11 nëntor 2009, kanë tentuar të vjedhin agjencinë e udhëtimeve "Pasha Travel", e ndodhur në rrugën "Vaso Pasha" në Tiranë.
Me 3 nëntor 2009 kanë vjedhur 10 milionë lekë në kasafortën firmës së ndërtimit "Merkaj"
Me 23 tetor 2009, dyshohen se kanë kryer vjedhjen e ambasadës Daneze në Tiranë.
Me 2 tetor 2009, kanë tentuar vjedhjen e kasafortës në banesën e biznesmenit Dritan Pashaku.
Më 28 prill 2009, kanë kryer vjedhjen e kasafortës së biznesmenit Ilirjan Cela, ku janë marrë 600 milionë lekë
Me 30 mars 2009 kanë vjedhur kasafortën e agjencisë turistike "ATHS", ku janë marrë 30 milionë lekë
Elton Lika, Taulant Mataj e një i shpallur në kërkim, dyshohen se më 12 dhjetor 2009 në Durrës, vodhën një agjenci udhëtimesh
7 persona janë arrestuar nga operacioni policor i koduar me emrin " Hija e natës", nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Drejtoria e Policisë së Tiranës
11 persona të dyshuar si pjesë e grupit do të hetohen në gjendje të lirë nga Prokuroria e Tiranës, për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim
600 milionë lekë është shuma më e madhe që dyshohet të jetë vjedhur nga të arrestuarit, në banesën e një biznesmeni në kryeqytet në muajin maj të këtij viti
4000 euro, dy automjete, dy kompjuterë lap top, një kasafortë dhe mjete të që shërbenin për hapjen e kasafortave janë sekuestruar si provë materiale