Mali i Zi, Gjukanoviç fitues i zgjedhjeve

Koalicioni "Për Malin e Zi Evropian" i udhëhequr nga kryeministri aktual malezez, Millo Gjukanoviq, është fitues absolut i zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi, që u mbajtën të dielën. Kryeministri i Malit të Zi Milo Gjukanoviç deklaroi fitoren në zgjedhjet paralamentare. Gjukanoviç tha të dielën pas mbylljes së qendrave të votimeve, se votuesit zgjodhën begatinë e konomike të vendit dhe të ardhmen europiane. Koalicioni qeverisës i kryeministrit, që vetëquhet "Për një Mal të Zi Evropian", ka bërë përpjekje për bisedimet e anëtarësimit të Malit të Zi në Evropë. Një organizatë e pavarur e vëzhgimit të votimeve, "Qendra e Monitorimit", thotë se të dhënat tregojnë se koalicioni qeverisës udhëheq ndjeshëm, me 51 për qind të votave, e pasuar nga opozita pro-serbe, me rreth 17 për qind të votave. Gjukanoviç kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve një vit e gjysëm para kohe, duke thënë se do të fitojë mandatin për bisedimet e anëtarësimit të vendit në BE. Por opozita e ka akuzuar partinë e Gjukanoviçit dhe përkrahësit e tij, se kërkuan zgjedhje të parakohshme para se kriza ekonomike botërore të godasë vendin ballkanik me rreth 680 mijë banorë. Që prej shkëputjes nga Serbia në vitin 2006, ekonomia malazeze është fuqizuar ndjeshëm. Por ekspertët thonë se pritet që rritja ekonomike të ngadalësohet së tepërmi këtë vit, për shkak të krizës ekonomike globale. Ndërkaq, 5 subjektet politike shqiptare, të cilat garuan në zonën e veçantë zgjedhore, ku shqiptarët përbëjnë shumicën e popullatës, fituan 4 vende në Parlamentin e Malit të Zi. Sipas rezultateve paraprake, nga 83.2 përqind të votave të numëruara, koalicioni "Për Malin e Zi Evropian" ka fituar 49 mandate në Parlamentin malazez nga 81 që janë gjithsej; Partia Popullore Socialiste ka fituar 15. Demokracia e Re Serbe 8; Lëvizja për Ndryshim 5, ndërsa nga një mandat thuhet të kenë fituar katër partitë shqiptare që kanë garuar në këto zgjedhje. Të drejtën e tyre për të votuar e kanë shfrytëzuar 62.5 % e qytetarëve me të drejtë vote, ndërsa zgjedhjet janë mbikëqyrur nga 1.000 vëzhgues vendës dhe 200 të huaj. Gjatë ditës së hënë pritet të publikohen rezultatet më të sakta, mirëpo ato nuk pritet të kenë ndonjë ndryshim të madh, me ato preliminare. Partia e Gjukanoviçit, DPS, të dielën mbrëma, me fishekzjarrë ka festuar fitoren bindëse në këto zgjedhje, respektivisht vazhdimin e mandatit qeverisës edhe për 4 vjet të tjera