E Diel, 1 Nëntor 2026

Mali i Zi-Kosova, avancojnë marrëveshjet kufitare

Diplomaci

Analistët: Relacionet Prishtinë-Podgoricë, nën vëzhgimin e SHBA dhe BE

Mali i Zi dhe Kosova, pavarësisht se tanimë kanë vendosur marrëdhënie diplomatike, ende nuk kanë dërguar ambasadorët e tyre në kryeqytetet përkatëse, por sidoqoftë analistët politikë malazezë konsiderojnë se Podgorica dhe Prishtina kanë treguar që të gjitha çështjet e hapura mund të zgjidhen me dialog dhe në frymë europiane. Ditët e fundit, Malin e Zi e vizitoi ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili me homologun e tij malazez, Ivan Brajoviç, arriti një marrëveshje për disa çështje kufitare mes të dyja vendeve. Duke komentuar vizitën e ministrit kosovar, analisti politik, Nail Draga, shpreh bindjen se marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kosovës po zhvillohen në drejtimin e duhur, nën syrin vigjilent të Uashingtonit dhe të Brukselit, ndërsa pret që shkëmbimi i ambasadorëve mes të dyja vendeve të bëhet deri në fund të këtij viti. “Ekzistojnë të gjitha shenjat se marrëdhëniet e ndërsjella do të normalizohen në përputhje me integrimet europiane. Për këtë arsye, mendoj se marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kosovës mund të përbëjnë model edhe për vendet e tjera të rajonit”, i vuri në dukje analisti i lartpërmendur radiotelevizionit gjerman, “Deutsche Welle” (seksionit serbisht). Analisti politik tjetër malazez, Svetozar Joviçeviç, ish-diplomat jugosllav, nga ana e tij thekson se marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kosovës, edhe pa u zyrtarizuar, janë shumë të mira dhe të tilla duhet të mbesin. “Sigurisht, gjithnjë do të mund të arrihet deri te mosmarrëveshje të vogla të caktuara, sikurse është tani kjo diçka që ka të bëjë me kufirin mes të dyja vendeve, por kjo do të mund të zgjidhet me dialog, nëse të dyja palët do të tregojnë vullnet të mirë dhe, unë mendoj se ky vullnet do të mbizotërojë. Sa i përket zyrtarizimit të plotë të këtyre marrëdhënieve në formën e dërgimit të ambasadorëve në kryeqytetit e njëri-tjetrit, për këtë mund të pritet. Kam bindjen se edhe deri këtu do të arrihet, por, sidoqoftë duhet të pritet vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) së Hagës, pas të cilit situata, me siguri, do të jetë më e qartë, megjithëse ajo edhe tani është shumë e qartë”, i theksoi analisti Joviçeviç “Deutsche Welle-s”, duke vënë dukje se reagimi negativ nga Serbia e një pjese të opinionit publik malazez dhe ekzistenca e disa këndvështrimeve të ndryshme, të paktën në nuanca, brenda Partisë Socialiste Demokratike të Kryeministrit Millo Gjukanoviç, kanë çuar në situatën se, megjithatë, duhet të pritet vendimi i GJND-së. Nuk mendoj se kemi të bëjmë me diçka thelbësore, thjesht kemi të bëjmë me një shtyrje të kufijve kohorë”, theksoi Joviçeviç.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›