E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aeroporti i Kukësit mban emrin e Presidentit arab

Vendimi Propozimi i ministrave Meta dhe Basha për emërtimin “Zayed Bin Sultan Al-Nahyan”

Aeroporti i Kukësit do të mbajë emrin e Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, “Zayed Bin Sultan Al-Nahyan”. Propozimi është dhënë nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, dhe të ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, ndërsa vendimi u mor dje nga Këshilli i Ministrave.

Aeroporti i Kukësit ka nisur së ndërtuari në vitin 2003, me financim të qeverisë së Emirateve Arabe, e cila akordoi rreth 14 milionë dollarë, ndërsa punimet u kryen nga firma kuvajtiane “Al-Kharafi”. Fondi për këtë projekt iu dha falas qeverisë shqiptare, e për këtë arsye u vendos të mbajë emrin e ish-presidentit Al-Nahyan, i cili e drejtoi shtetin për 30 vjet, duke u njohur dhe si arkitekti i krijimit të shtetit modern.

Aeroporti ka rreth tre vjet që i ka përfunduar punimet, por ende nuk është vënë në funksion nga autoritetet shqiptare për shkak të disa pengesave që lidhen me kontratën koncesionare që ka me aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Sipas kësaj kontrate, në vendin tonë nuk duhet të ushtrojë aktivitetin e fluturimeve civile asnjë aeroport, përveç atij të Rinasit.

Në total, projekti kushtoi rreh 22 milionë euro, ku në bazë të marrëveshjes shteti shqiptar përballoi koston e shpronësimeve, me një vlerë prej rreth 3 milionë dollarësh. Sipas projektit, aeroporti i Kukësit është i kategorisë C, me gjatësi të pistës 1900 metër dhe gjerësi 70 metër. Aeroporti përbëhet nga terminali i pasagjerëve, kulla e drejtimit, pistë ulje e ngritje, brezi anësor jeshil i pistës, rrugët lidhëse, vendqëndrimi i avionëve për 6-7 të tillë, etj. Aeroporti i Kukësit dhe rruga Durrës-Kukës-Morinë, përbëjnë rrjetin infrastrukturor që zhvillon pjesën e veriut të vendit me rajonet përreth.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›