Mali i Zi/ Shumica parlamentare kufizon kompetencat e presidentit, ndryshimet priten me protesta

Shumica parlamentare në Kuvendin e Malit të Zi, e përbërë nga Fronti Demokratik (DF), Demokratët dhe Lëvizja Qytetare Ura, miratoi amendamentet në Ligjin për Presidentin e Malit të Zi, të cilat kufizojnë kompetencat kushtetuese të Milo Gjukanovicit.
Sipas Kushtetutës së Malit të Zi, Presidenti i Shtetit ka autoritetin ekskluziv për të emëruar mandatarin për përbërjen e qeverisë së re. Mirëpo, pas ndryshimeve të fundit në Ligjin për Presidentin, shumica parlamentare këtë procedurë ia kaloi Kuvendit, në mënyrë që DF, Demokratët dhe Ura të tentojnë edhe një herë që të propozojnë deputetin dhe ish-diplomatin Miodrag Lekiç si mandatar për formimin e qeverisë së re.
Opozita doli me kritika të ashpra për këtë vendim të shumicës parlamentare. Ata këtë akt e vlerësojnë si grusht shteti kushtetues dhe kolaps kushtetues të Malit të Zi. Edhe organizata të shumta joqeveritare kanë kritikuar këtë vendim, ndërsa shumica parlamentare tha se ligji është përgjigje ndaj shkeljes dhe uzurpimit të kushtetutës nga presidenti.
Në shtator koalicioni qeverisës nominoi Lekiçin për mandatar, por u refuzua nga Gjukanoviç. Në vend të propozimit të mandatarit, Gjukanovic kërkoi shpërbërjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Shumica parlamentare hodhi poshtë propozimin e Gjukanovicit për zgjidhjen e krizës politike me zgjedhje të reja.
Me pankarta si “Stop dhunës institucionale”; “Agjencia Ruse Jashtë”; “Jo grushtit të shtetit”, në duar, një grup qytetarësh kanë protestuar para parlamentit të Malit të Zi, duke kundërshtuar ndryshimet në Ligjin për presidentin, që synojnë kufizimin e përgjegjësive kushtetuese të presidenti aktual Milo Gjukanoviç dhe kalimin e tyre te parlamenti.
Ndryshimet u hodhën në votim dhe u miratuan nga 41 deputetët e Frontit Demokratik pro-rus, Demokratëve dhe Lëvizjes Qytetare Ura.
/rtsh.al/