Mali i Zi voton sot për parlamentin, shqiptarët të ndarë
Në Malin e Zi sot mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku partitë shqiptare paraqiten të përçara me pesë lista zgjedhore.
Përçarja e spektrit politik shqiptar pritet të ndikojë negativisht në përfaqësimin e tyre në përbërjen e ardhshme të parlamentit. Analistët thonë se, megjithatë, këto zgjedhje janë mundësi për rikonfigurimin e skenës politike shqiptare në Malin e Zi. Për herë të parë si shtet i pavarur, Mali i Zi zhvillon sot zgjedhje parlamentare. Edhe pse të parakohshme, sipas analistëve shqiptarë atje, këto votime nuk do të sjellin ndonjë ndryshim rrënjësor në nivel shtetëror. Në trevat shqiptare në Malin e Zi do të hapen 59 vendvotime, mirëpo në to garojnë edhe subjekte jo shqiptare. Sipas Kushtetutës, shqiptarët do të mund të siguronin deri në pesë deputetë, por me zbatimin e sistemit proporcional dhe me ndasitë e tyre ata maksimalisht mund të sigurojnë tre deputetë. Trupi zgjedhor në Malin e Zi është rreth 500 mijë votues. Sipas analistëve fitore sërish pritet të sigurojë koalicioni i udhëhequr nga kryeministri aktual Milo Gjukanoviç, i cili, pavarësisht nga ndryshimet e mëdha të politikës së brendshme të vendit, ka arritur të qëndrojë në pushtet. Shqiptarët vlerësojnë se të drejtat e tyre si popull pakicë nuk janë në nivelin e kënaqshëm, edhe pse janë të garantuara me ligj.
30 Mars 2009