E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Anëtarësimi i Ballkanit pas ratifikimit të Traktatit të Lisbonës



Blerina Olldashi
Diplomatët europianë në takimin e zhvilluar në Çeki kanë siguruar se vendet ballkanike kanë vendin e tyre në Bashkimin Europian dhe pengesë për anëtarësimin e tyre mund të ishte vetëm dështimi i mundshëm i ratifikimit të Traktatit të Lisbonës.
Ministri i Jashtëm çek, Karel Sherzenberg, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së, tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e BE-së. “Ndodhem këtu për t’u shpjeguar partnerëve tanë të Europës Perëndimore se shtetet e Ballkanit janë pjesë e Europës dhe si të tilla duhet të jenë pjesë e BE-së”, - deklaroi dje ministri i Jashtëm çek, Karel Sharzenberg. Deklaratave të disa shteteve të “Europës së vjetër” që duken gjithnjë e më tepër skeptike në lidhje me zgjerimin e mëtejshëm të bllokut të BE-së, iu përgjigj Britania.
“Të gjitha vendet e Ballkanit duhet të kenë një perspektivë europiane”, - theksoi shefi i diplomacisë britanike, David Miliband. “Kemi dëshmuar se BE-ja duhet të mësojë nga historia e saj dhe kjo histori tregon se bashkimi bën fuqinë”, - tha ai.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Finlandës, Aleksandër Stub, rikujtoi se suksesi më i madh i BE-së ka qenë viti 2004 ku dhjetë vende u bënë anëtare të saj. “Faza më e mirë nëpër të cilën ka kaluar BE-ja këto dhjetë vitet e fundit ka qenë zgjerimi i saj në vitin 2004, ku dhjetë vende u bënë anëtare të bllokut dhe këtë duhet ta mbajmë mend mirë”, - tha ministri Stub. Por ai shtoi se nëse Traktati i Lisbonës nuk do të hynte në fuqi siç është parashikuar për vitin 2010, kjo do ta vështirësonte zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit. Pa ratifikimin e Traktatit të Lisbonës, “situata mund të komplikohej dhe do të na duhej të bënim disa ndryshime në mekanizmat e votimit”, - deklaroi ministri i Jashtëm suedez, Karl Bild, ndërkohë që ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner, u shpreh skeptik lidhur me këtë problem.
Shqipëria, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia e Bosnja janë vende që kanë kërkuar të bëhen anëtare të Bashkimit Europian, bllok që sot për sot numëron 27 shtete. Në takimin joformal të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni. Ai gjithashtu zhvilloi një sërë takimesh me homologë të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor.

30 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›