Malick triumfon në Cannes
Filmi, në të cilin luajnë Brad Pitt dhe Sean Penn, flet për një familje në Teksas në vitet e pesëdhjeta, por është gjithashtu një meditim mbi kuptimin e jetës.
‘The Tree of Life’ (Druri i jetës) ka marrë pothuajse një status mitik në mesin e zyrtarëve të festivalit europian, për shkak të periudhës së gjatë të krijimit dhe fshehtësisë sa i përket shfaqjes së tij. Imazhet kozmike misterioze sugjerojnë se tregimi mund të shkojë përtej përvojës normale njerëzore.
Brad Pitt luan rolin e babait dhe Sean Penn rolin e djalit të tij të rritur Jack, i përshkruar si ‘shpirt i humbur në botën moderne, që kërkon përgjigje mbi origjinën dhe kuptimin e jetës’. Malick, 67 vjeçar, më herët ka xhiruar filmat "Days of Heaven" dhe "The Thin Red Line".
Rrëfimi intim familjar për edukimin në vitet e pesëdhjeta të tre djelmoshave nga Teksasi, është kombinuar me asgjë më pak se me krijimin e gjithësisë, ndarjen e qelizave, dinozaurët që shëtisin xhunglave dhe me shqyrtimin teologjik të librit për Jova’n.
Edhe pse i lavdëruar si një kryevepër, por edhe i përqeshur nga kritikët si një ‘marrëzi’ pretencioze, “Druri i Jetës” duket se ka ndarë kritikët, megjithëse të gjithë vlerësuan se bëhet fjalë për një film që “tretet” edhe për një kohë të gjatë pas shikimit të parë.
‘The Tree of Life’ është filmi i pestë i regjisorit Terrence Malick në pothuajse 40 vjet karrierë.
Filmi 148 minutash është një epikë rreth asaj se si është të jesh njerëzor, me disa skena që përshkruajnë fillimin e jetës në tokë.
Filmi i ka ndarë kritikët në dy grupe në festivalin prestigjioz, thotë Vincent Dowd, korrespodent për arte i televizionit britanik BBC. Ai thotë se disa e konsiderojnë me pretendime ndërsa të tjerët të thellë.
Në Cannes, ambicia e tij u prish nga disa recensentë por gjeti pëlqim në jurinë nëntë anëtarëshe, të kryesuar nga Robert de Niro.
De Niro ka thënë pas ceremonisë se ‘The Tree of Life’ ka pasur ‘masën, rëndësinë, qëllimin, si doni ta quani, që dukej që i përshtatej çmimit’.
Malick, 67 vjeçar, i cili njihet si njeri i turpshëm dhe i vetmuar, nuk është shfaqur fare në Cannes, ka refuzuar të flas për filmin dhe ka ndaluar publikimin e fotografive të tij nga materialet promovuese. Ai nuk qe në ceremoninë e dhënies së çmimeve, duke e lënë njërin prej bashkëproducentëve, Bill Pohlad, që të flasë në emër të tij.
“E di që ai është i ngazëllyer me këtë shpërblim, ashtu siç jemi të gjithë ne”, tha Pohlad.
Çmimi për aktorin më të mirë iu dha Performuesit francez Jean Dujardin për filmin e heshtur ‘The Artist’.
‘The Artist’, i cili përshkruan Hollywood-in në fund të periudhës së filmit pa zë, është film francez por i bërë në Los Angeles.
Me rezultatin e tij të arritur në Cannes, përpos që është konsideruar sukses i madh në këtë festival, filmi tashmë ka siguruar distribuim ndërkombëtar.
Aktorja më e mirë u shpall aktorja amerikanë Kirsten Dunst për rolin e saj në psikodramën apokaliptike ‘Melancholia’.
Regjisori i filmit ‘Melancholia’ Lars von Trier ishte përjashtuar nga festivali për fjalët që i kishte thënë në një konferencë për shtyp, ku kishte thënë se është nazist. Ai ka thënë se ka bërë shaka.
Festivali i 64-të i Filmit në Cannes nga shumëkush është konsideruar si njëri prej më të mirëve që janë mbajtur ndonjëherë. Përgatiti: A. Beka
Lista e fituesve
- Palma e Artë: ‘The Tree of Life’ i amerikanit Terrence Malick
- Çmimi madh: ‘Once upon in Anatolia’ i turkut Nuri Bilge Ceylan dhe ‘Fëmija në biçikletë’ i vëllezërve belgë Jean-Pierre e Luc Dardenne
- Çmimi për aktoren më të mirë: Kirsten Dunst për rolin në ‘Melancholia’
- Çmimi për aktorin më të mirë: Jean Dujardin për rolin në ‘The Artist’
- Çmimi për regjinë më të mirë: "Drive" i danezit Nicolas Winding Refn
- Çmimi për skenarin më të mirë: izraelitit Joseph Cedar për ‘Footnote’
- Çmimi i Jurisë: ‘Polisse’ për francezen Maiwenn Le Besco